Korçë, revoltohen 15 të dënuar
Fatos Mahmutaj
Pesë efektiva të policisë në regjimin e brendshëm të burgut të Korçës, u pezulluan dje nën dyshimin se kanë dhunuar një të burgosur që mbahet në këtë institucion. Pezullimi i efektivëve të burgut u bë mesditën e së shtunës, ndërsa ngjarja për të cilën ata po hetohen, e ka fillesën e saj ditën e premte. Një i dënuar në sektorin e sigurisë së lartë të këtij burgu i ka kërkuar gardianit që bënte shërbim në sektor t’i hapte derën në mënyrë që t’i çonte një kafe një bashkëvuajtësi te qelia ngjitur. Gardiani nuk ka pranuar ndërsa i burgosuri i ka kërkuar që ta merrte polici kafen dhe ta dërgonte te qelia ngjitur. Por edhe pas kësaj gardiani ka refuzuar, ndërsa situata mes të dënuarit dhe policit ka kaluar në sharje dhe fyerje. Gardiani ka njoftuar grupin e gatshëm të sigurisë së institucionit, të cilët kanë hyrë me të shpejtë në sektorin e sigurisë së lartë ku kanë nisur të rrahin të dënuarin. Pak minuta më pas ata e kanë dërguar të dënuarin në izolim, ndërsa situata nëpër qeli ka qenë e qetë. Një ditë më pas, në orën 12:00 të mesditës së të shtunës, rreth 15 të dënuar të sigurisë së lartë në këtë burg nuk kanë pranuar të lënë fushat e ajrimit dhe të hyjnë nëpër qelitë e tyre. Sipas të dënuarve shkaku i protestës ka qenë dhuna që dyshohet se është ushtruar ndaj bashkëvuajtësit e tyre si dhe mbyllja e tij më pas në izolim. Funksionarë të policisë së burgut u kanë kërkuar të dënuarve të sigurisë së lartë që të linin protestën dhe të ktheheshin në qeli por ata kanë kundërshtuar. Mes tjerash të dënuarit kanë paraqitur ankesa edhe për ushqimin, mungesë ngrohjeje, dhunë ndaj tyre, mungesë aktivitetesh sportive e argëtuese, si dhe transferimin e tyre nëpër burgje të tjerë që ndodhen pranë banesave në mënyrë që t’i vizitojnë familjarët, për të cilat kanë marrë premtimin nga autoritetet e burgut se janë probleme që do të zgjidhen. Situata ka vazhduar në këtë gjendje deri rreth orës 16:00 kur të burgosurit janë bindur të ktheheshin në qeli pasi u është pohuar se gjashtë policët që kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëvuajtësit të tyre do të pezullohen në detyrë deri paraditen e sotme kur do të shqyrtohet kjo çështje nga autoritetet e burgut. Po kështu pritet që gjatë ditës së sotme të shqyrtohen edhe kërkesat e tjera të paraqitura nga të burgosurit për përmirësimin e kushteve në qeli. Ndërkohë pohohet se veprimet e uniformave blu të burgut të Korçës pritet që të hetohen edhe nga SHKB e burgjeve.