“Argjiroja” e Kamzës hidhet nga kati i dytë i hotelit për t’i ikur agresorit
TIRANË - Rrëmbehet dhe mbahet forcërisht në një hotel, hidhet nga kati i dytë për t’i shpëtuar agresorit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e djeshme në një hotel në Kamzë, ku një vajzë 20-vjeçare është hedhur nga kati i dytë ndërsa personi që e kishte çuar aty donte ta përdhunonte. Për fat të mirë mësohet se ka pësuar vetëm disa dëmtime fizike dhe i ka shpëtuar vdekjes, ndërsa personi që donte të përfitonte prej saj ka rënë në prangat e policisë. Personi i ndaluari mësohet të jetë Besnik Fetahu, 38 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Kamzë. Arrestimi i tij u krye pasi dyshohet se ka mbajtur forcërisht duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një vajze 20-vjeçare, ku për t’i shpëtuar, kjo e fundit është hedhur nga dritarja e katit të dytë të këtij hoteli. Aktualisht ajo ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën, pasi ka marrë vetëm disa dëmtime fizike. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet procedurale, ndërsa materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe të “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
Sherri në tavernë, një i plagosur dhe katër në pranga
TIRANË - Goditën me thikë në gjendje të dehur një të ri në një tavernë, arrestohen 4 të rinjtë. Ngjarja ka vënë në lëvizje forcat policore, të cilat u angazhuan në një operacion të koduar që vuri në pranga të katër të dyshuarit. Operacioni i koduar “Taverna” vendosi në pranga për vrasje me dashje të mbetur në tentativë Ermal Nike Lekën, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Maringlen Riza Cinën, 24 vjeç, Ervis Ndue Marashin, 18 vjeç, që të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, si dhe 24-vjeçarin Zef Vlash Marku, lindur në Lezhë dhe banues në Prush, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Katër djemtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sulmuar fizikisht 24-vjeçarin Bledar Sefa, lindur e banues në Laç. Ngjarja ndodhi përgjatë orëve të para të ditës së djeshme, në ambientet e një taverne të ndodhur në Unazë të Re, kur katër të dyshuarit kanë tentuar të vrasin me thikë, duke e plagosur disa herë në trup 24-vjeçarin Sefa. Viktima u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, por mjekët thanë se ai ndodhet në gjendje të rënduar për jetën, për shkak të plagëve serioze të marra në trup. Policia e Tiranës tha se shkaku i grindjes përmes të pestëve ka nisur fillimisht pas një debati për motive të dobëta në gjendje të dehur. Autorët e dyshuar të kësaj plagosjeje të rëndë, në momentin e ngjarjes kanë qenë duke darkuar me njëri-tjetrin, ndërsa i dëmtuari ka qenë me disa miq të tij në një tjetër tavolinë. “Kapja e autorëve u bë e mundur në sajë të informacioneve të poseduara për to”, - detajoi policia duke konfirmuar se të dyshuarit, menjëherë pas kryerjes së këtij krimi, ishin shpërndarë duke u fshehur te të afërmit e tyre në zona të ndryshme në Tiranë.
Gjendet e mbytur në liqen 50-vjeçarja, vuante nga depresioni
TIRANË - Gjendet e mbytur në Liqenin Artificial 50-vjeçarja Virgjinushe Duka, e cila vuante nga depresioni. Sipas të dhënave paraprake, trupi i pajetë është vënë re nga kalimtarët në orët e para të ditës. Mësohet, ndër të tjera, se ajo vuante nga depresioni dhe për këtë arsye ekspertët e grupit hetimor ngritën menjëherë pistën e vetëmbytjes së saj në ujërat e liqenit. Kjo u vërtetua edhe nga ekspertët mjeko-ligjorë të mbërritur në vendngjarje, sipas të cilëve, të gjitha gjasat janë që viktima të jetë mbytur vetë në liqen, pasi nuk kishte asnjë shenjë dhune ndaj saj. Kufoma ka qenë në gjendje të padekompozuar dhe kjo duket se ka ndihmuar në zbardhjen e identitetit si dhe shkaqeve që kanë çuar në mbytjen e saj.
“Butrinti” u merr nga 600 euro për t’i kaluar në Greqi, pranga 23-vjeçarit
ELBASAN - U merr dy personave nga 600 euro duke u premtuar ndihmë për t’i kaluar në Greqi, por është arratisur duke mos ua kthyer dhe duke i lënë në baltë sapo ata janë kapur nga policia. Por forcat policore janë vënë menjëherë në lëvizje dhe kanë mundësuar kapjen e tij në kuadrin e operacionit “Butrinti”. Sipas Policisë së Elbasanit, mësohet se i ndaluari është Eduart Sula, 23 vjeç, lindur e banues në këtë qytet. Ndërkaq, janë identifikuar edhe personat që ai ka ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët janë G. Gj., 20 vjeç, lindur e banues në fshatin Vidhas të Elbasanit dhe P. U., 21 vjeç, lindur e banues në fshatin Uruçaj të Peqinit. Mësohet se këta dy persona do t’i paguanin të ndaluarit Sula shumën e parave prej 800 eurosh për kalim në tokën greke, por i kanë dhënë paradhënie 600 euro. Ata janë kapur nga policia në momentin që i janë afruar kufirit dhe janë lënë të lirë. Pas këtij momenti, trafikanti Eduart Sula është ndarë nga personat që do të ndihmonte për të shkuar në Greqi duke mos ua kthyer shumën e 600 eurove si paradhënie dhe është larguar në drejtim të paditur.
5 Shkurt 2010