E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjen vdekjen nga bombola e gazit

KRUJË - Harron bombolën e gazit hapur, vdes i riu në Krujë. Dritan Bajrami, lindur në Vinjoll të Kurbinit e banues në Borizanë të Krujës, i martuar disa kohë më parë, ka gjetur vdekjen ndërsa jetonte i vetëm në banesën që i kishte marrë me qira një personi në Borizanë të Thumanës në Krujë. Sipas policisë, 24-vjeçari po flinte në banesën dhe në rrethana ende të paqarta është gjetur i vdekur nga banorë të zonës. Nga hetimet e para policia thotë se shkak i vdekjes ka qenë lënia hapur e një bombole gazi nga vetë viktima në banesën ku ai jetonte i vetëm, ndaj hidhen dyshimet jo vetëm për ngjarje aksidentale, por edhe një vetëvrasje përmes helmimit me gaz.
Tentoi të trafikonte një pistoletë në Greqi, pranga Zakos

GJIROKASTËR - Vihet në pranga një person ndërsa po trafikonte një armë zjarri dhe municion luftarak drejt tokës greke duke udhëtuar me një autobus të linjës Shqipëri-Greqi. Lajmi konfirmohet nga burime policore të Gjirokastrës, sipas të cilave i ndaluari është Sotir Zako, 29 vjeç, lindur dhe banues në Skrapar. Bëhet me dijeni se policët kishin marrë informacion në rrugë operative se në autobusin me targë TR 4989 F, të linjës Tiranë-Athinë, i shoqërisë “Joy Travel”, udhëtonte një person, i cili donte të trafikonte për në shtetin grek armë zjarri dhe municion. Prandaj ata e kanë ndjekur autobusin gjatë gjithë rrugës, derisa ai mbërriti në pikën kufitare të Kakavijës, ku kanë bërë edhe bllokimin e tij. Nga kontrolli i imtësishëm i këtij mjeti ka rezultuar se i ndaluari Zako kishte një pistoletë model “54”, prodhim kinez, si dhe 7 fishekë, të fshehur në një çantë shpine, të cilën e kishte vendosur në bagazhin e autobusit, me qëllim trafikimin e tyre drejt Greqisë.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›