E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asgjësohet rrjeti i trafikut të heroinës në kryeqytet

TIRANË - Shkatërrohet një grup shpërndarësish droge që vepronte në shtatë zona të ndryshme të Tiranës. Policia e kryeqytetit bën të ditur se ka mundur të arrestojë ditën e djeshme katër persona, përkatësisht Armando Canaj, 33 vjeç; Jetnor Ademi, 24 vjeç; Alban Demiraj, 28 vjeç dhe Endri Bardhyl Avdyli, 26 vjeç. Ky arrestim ka ardhur pas hetimit të nisur në vitin 2009, ku aktualisht ndodhen të arrestuar shtetasit Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani, të cilët u arrestuan më datë 28 korrik 2009 dhe 26 tetor 2009, si dhe 4 shtetas të tjerë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë.

Operacioni “Baçia”
Uniformat blu të kryeqytetit kanë zhvilluar dy net më parë operacionin e koduar “Baçia”, i cili çoi në arrestimin e 4 personave dhe sekuestrimin e disa dozave heroinë. Kapja e Armando Canajt dhe Jetnor Ademit u realizua në afërsi të Rrugës Fortuzi në Tiranë, ndërsa kapja e Alban Demirajt dhe Endri Avdylit u mundësua në afërsi të një lokali në Shkollën e Bashkuar Tiranë. Gjatë arrestimit të tyre polica arriti të sekuestronte një sasi prej 8 dozash heroinë, me një peshë prej 4 gramësh, si dhe një sasi pre 0.5 gramësh lëndë pluhur me ngjyrë të bardhë, e dyshuar si kokainë. Mësohet se ky grup e realizonte shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, në zona të ndryshme të Tiranës, si ajo e Spitalit, Selvia, Linzë-Teleferik, Rruga e Elbasanit, Stacioni i Trenit, Rruga Fortuzi, si dhe në shkollën e mesme “Partizani”.

Hetimet
Prej 6 muajsh Policia e Tiranës kishte nisur një hetim ndaj këtij grupi, ku gjatë kësaj kohe ka arritur të bllokojë rreth 250 doza droge heroinë. Gjatë këtij hetimi është bërë i mundur dhe arrestimi i dy personave, të cilët kanë qenë pjesë e këtij grupi, si dhe ndjekjen penale në gjendje të lirë ndaj 4 të tjerëve. Ky aksion ka nisur që në vitin 2009, në kuadër të të cilit aktualisht ndodhen të arrestuar Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani, të arrestuar më 28 korrik e 26 tetor 2009, si dhe 4 persona të tjerë, të cilët janë proceduar në gjendje të lirë. Pas dokumentimit të të gjitha të dhënave, dosja në ngarkim të katër të ndaluarve i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›