E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolapsi, Financat do të shkurtojë nga fondi i ministrive 30 miliardë lekë

Plani i Ministrisë së Financave për të reduktuar me rreth 30 miliardë lekë shpenzimet totale të buxhetit 2010 do të japë ndikim te të gjitha ministritë e linjës. Nga llogaritjet paraprake të bëra nga ekspertët e ministrisë mësohet se, mesatarisht çdo institucion qendror do të ketë rreth 30 për qind më pak fonde se plani i miratuar nga Kuvendi në muajin nëntor 2009. Rishikimi i buxhetit 2010 erdhi si pasojë e ndikimeve në ekonomi të krizës financiare, e cila tkurri rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Qeveria ka miratuar tri variante të buxhetit dhe gjatë rrugës së zbatimit do të vendosë se cilin skenar do të zgjedhë të zbatojë. Fakti konfirmon jo vetëm krizën ekonomike, por edhe atë profesionale, pasi brenda periudhës 1-mujore, ministria e ndryshoi dy herë buxhetin. Ministria e Financave ka nisur zbatimin e planit të “bllokimit” të 20 miliardë lekëve investime, të parashikuara për këtë vit, ku më të goditurit janë sektorët e infrastrukturës rrugore. Edhe borxhi 300 milionë euro që do të merret nga bankat në maj, është parashikuar të përdoret për të shlyer kredinë e Durrës-Kukës, e cila është marrë në kohë krize me interesa tepër të larta. Për këtë vit, qeveria kishte miratuar totalin e shpenzimeve në masën e 410 miliardë lekëve, me një tkurrje të lehtë të fondit për investime, krahasuar me vitin 2009. Por varianti i ri parashikon një buxhet prej afro 380 miliardë lekësh, ku shkurtimet e mëdha janë bërë tek investimet. Megjithatë, sipas Ministrisë së Financave, politika e rritjes së pagave dhe pensioneve nuk do të ndalet as këtë vit, ndërsa pritet një shkurtim i borxhi publik, që në 2009-n u mbyll afër 59 përqindëshit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Telekomunikacioni, sektori më i zhvilluar i ekonomisë

Tregu i telefonisë rezulton të jetë sektori më dinamik i ekonomisë shqiptare gjatë muajve të fundit të 2009. Për ministrin e shtetit Genc Pollo, në varësi të të cilit është edhe fusha e telekomunikacioneve, rritja me 34 për qind, gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar është efekt i futjes në treg i operatorët të tretë celular që ka ndikuar në përmirësimin e cilësisë dhe uljes së çmimeve edhe nga operatorët e tjerë. Ministri Pollo deklaroi se brenda gjysmës së parë të këtij viti tregu i telefonisë do të njohë zhvillime të rëndësishme siç është futja e operatorit të katërt të lëvizshëm, apo ofrimi i shërbimeve të tilla si teknologjia “3G” për navigimin në internet, apo mbartja e të njëjtit numër nga klienti edhe në rast të ndryshimit të kompanisë celulare.

Interesat bankare
Banka e Shqipërisë

Përditësimi i fundit: 03.02.2010

Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.83%
12M 12-mujor 7.66%
6M 6-mujor 6.62%
3M 3-mujor 5.55%
1M 1-mujor 5.20%
1Ë njëjavor 4.99%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.75%
1Ë njëjavor 6.24%
o/n njëditor 5.60%
12M 12-mujor 9.46%
6M 6-mujor 8.22%
3M 3-mujor 7.29%

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›