E Diel, 1 Nëntor 2026

BERZH do të financojë 50 milionë euro për rrugët dytësore në Shqipëri

Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), do të financojë me një shumë prej 50 milionë eurosh programin “Rrugët dytësore dhe lokale” në Shqipëri. Kredia në fjalë, është pjesë e një projekti të koordinuar prej 137 milionë eurosh që do të mbështesin projektin e qeverise Shqiptare, i cili është në zbatim që prej vitit 2008. Projekti do të jetë bashkëfinancim me një tjetër kredi nga Banka Evropiane e Investimeve me po 50 milion euro dhe me grante të Bashkimit Evropian nga “IPA 2010 e 2011” me shumën prej 33 milion eurosh. Një grant prej 4 milion eurosh nga “Uestern Balkan Investment Frameuork” do të mbulojë kosto të tjera të lidhura me projektin si projektim-supervizimin, asistencën teknike etj. Rreth 650 km rrugë dytësore parashikohet të rindërtohet nga ky projekt gjatë 5 viteve në vijim. Projekti është një bashkëfinancim i BB-së dhe donatoreve të tjerë e po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me një vlerë prej 400 milionë USD. Ai synon të përmirësojë infrastrukturën lokale në vend, si dhe të rrisë aksesin ndaj shërbimeve bazë dhe tregjeve, veçanërisht në zonat rurale nëpërmjet rehabilitimit të rreth 1500 km rrugë. Aktualisht, janë në proces 210 km rrugë rajonale dhe lokale, ndërkohë që gjatë vitit 2010 parashikohet të jenë rehabilituar apo në rikonstruksion 340 km rrugë.

BSH: Pasojat e krizës tek fqinjët do ta shoqërojnë vendin edhe në 2010-n

Ecuria ekonomike e dobët e Greqisë dhe Italisë përbën shqetësim edhe për Shqipërinë. Inflacioni i shënuar në këto vende pasqyrohet edhe në ekonominë shqiptare për shkak të volumit të madh të importeve. “Tre-katër fqinjët tanë që përbëjnë edhe partnerët kryesorë tregtarë vijojnë të vuajnë pasojat e krizës ekonomike dhe financiare botërore, gjë që pritet të rëndojë edhe në ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2010”,- bëri të ditur Banka e Shqipërisë në një analizë të Raportit të Politikës Monetare. Sipas raportit, Italia ka dhënë shenjat e para të rimëkëmbjes, por Greqia, Turqia e Maqedonia vijojnë të shënojnë norma negative të rritjes ekonomike. Papunësia në këto vende paralajmëron edhe për prurjet e remitancave nga emigrantët. Turqia dhe Maqedonia, që janë gjithashtu partnerë të rëndësishëm tregtarë, vijojnë të vuajnë njëkohësisht nga rënia ekonomike, rritja e papunësisë dhe rritja e çmimeve. Ekonomia e Turqisë duket se e ka marrë kthesën në tremujorin e tretë të vitit 2009, megjithatë inflacioni ka arritur në 5.1 për qind ndërsa papunësia është rritur ndjeshëm. Maqedonia po vuan nga rënia e ndjeshme e kërkesës konsumatore, si nga sektori privat, ashtu edhe nga ai publik. Kjo situatë ka sjellë edhe inflacion negativ për këtë periudhë.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›