E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han, "luftë" Hungarisë: Kemi ardhur për të fituar

Shqiptarët sot mbajnë frymën në stadiumin "Ferenc Pushkash" të Hungarisë, atje ku skuadra e tyre e zemrës do të zbresë si kurrë ndonjëherë deri tani, si e para e grupit, në kërkim të një fitoreje për të ruajtur kreun. Objektivin e tri pikëve e ka konfirmuar edhe trajneri i Shqipërisë, Ari Han, në konferencën e djeshme për shtyp, ku edhe u ka shpallur "luftë" vendasve.

OBJEKTIVI - "Normalisht Shqipëria ka ardhur për të fituar, do përpiqemi deri në fund, edhe pse dhe një barazim do të na kënaqte", ka thënë holandezi i kuqezinjve. Por këtë ambicie të tij, Han e mbështet, jo vetëm te fakti se kundërshtari nuk është i pathyeshëm, por më shumë te gjendja e futbollistëve të tij. "Për fat të mirë të gjithë futbollistët i kemi në një formë të mirë dhe grupi ka mjaft harmoni. Jemi në gjendje optimale përpara kësaj ndeshjeje. Është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë të bëjmë diçka të mirë", sqaroi tekniku i kombëtares, i cili e ka vlerësuar rëndësinë e ndeshjes: "Është e kuptueshme që hungarezët kërkojnë me domosdoshmëri të fitojnë, pasi ky rezultat është mjaft i rëndësishëm për ta. Luajnë në fushën e tyre dhe janë të motivuar. Ata janë kundërshtari ynë direkt në grup, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm. Motivimi nuk na mungon dhe besojmë se do ta marrim rezultatin që na duhet".

DREJT REKORDIT

Shqipëria ka arritur 4 herë të koleksionojë 4 rezultate pozitive në seri. Në rast të një barazimi, apo të një fitoreje ndaj Hungarisë, kuqezinjtë do të arrinin rekordin për të pestën herë. Katër rezultate pozitive radhazi Shqipëria i ka fiksuar më 2 maj 1948, deri më 23 tetor 1949 (1-0 Rumani, 0-0 Hungari, 0-0 Jugosllavi, 1-1 Rumani), tre prej të cilave janë luajtur jashtë fushe. Nga 29 nëntor 1952, deri më 1 maj 1958 (3-2 Çekosllovaki, 2-1 Çekosllovaki, 2-0 Poloni, 1-1 RDGJ) të katërta të zhvilluara në shtëpi. Nga 14 tetor 1998, deri 28 prill 1999 (2-2 Norvegji, 0-0 Greqi, 2-0 Maqedoni, 0-0 Letoni), me dy ndeshje të luajtura jashtë. Nga 9 tetor 1999, deri 10 shkurt 2000 (2-1 Gjeorgji, 3-0 Andorra, 1-0 Azerbajxhan, 1-0 Malta), tre të fundit gjatë turneut "Rothmans" të fituar në Maltë.

BASTET - Edhe pse prestigji i Shqipërisë pas barazimit me Suedinë dhe fitores me Maltën që i dhanë vendin e parë në Grupin 1 është rritur shumë, sërish kuqezinjtë shikohen nga bastexhinjtë si "të vegjël" përpara Hungarisë. Një gjë të tillë e kanë bërë të njohur shoqëritë ndërkombëtare të basteve. Fitorja e skuadrës vendase në stadiumin "Ferenc Pushkash" është kuotuar me 1.5, ndërkohë që 3.5 është kuota për një barazim të mundshëm. Për bastexhinjtë që do të dëshironin të fitonin shumë nga kjo ndeshje, por që edhe mund të rrezikonin gjithçka (sipas logjikës së shoqërive të basteve), mund të zgjedhin kuotën 5.5 të fitores së Shqipërisë.

KUNDËRSHTARI - Boldizhar Bodor i Rodës, Sabolç Husti i Hanoverit dhe Kristian Vados i Osasunës janë thuajse gati për ndeshjen ndaj shqiptarëve, ndonëse vendimi për të luajtur ose jo do të merret vetëm sot, para ndeshjes. Trajneri hungarez Kuman mund të jetë më i qetë pas punës së bërë nga shtabi i tij mjekësor. Stadiumi që mban emrin e yllit më të madh hungarez të futbollit "Ferenc Pushkash" ka kapacitet prej 68 976 vendesh, ndërsa fillimisht mbante 100 000. Sipas mediave hungareze, do të jetë e vështirë që në stadium të jenë më shumë se 30 000 tifozë.

Hungari-Shqipëri

Sot ora 19:45

Stadiumi "Ferenc Pushkash", Budapest

Transmetimi

"SuperSport" dhe TVSH

Hungaria

3-2-3-1-1

Fulop - Shelesi, Juhash, Vançzak - Vadosh, Dardai - Buzsaki, Hajnal, Xhuxhak - Huszhti - Torgel

Shqipëria

4-2-3-1

Beqaj - Dallku, Curri, Beqiri, Vangjeli - Cana, Lala - Duro, Skela, Agolli - Bogdani



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›