E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tjetër "Nobel" paqeje për shqiptarët

Një nga njerëzit më të gëzuar pas vendimit të djeshëm të Akademisë Mbretërore Suedeze të çmimit "Nobel", ka qenë padyshim ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madlen Ollbrajt. Pas këshillës së një prej njerëzve më të zgjuar të administratës Klinton, zv/sekretarit të Shtetit, Strob Talbot, zonja Ollbrajt, në një mbrëmje pranvere të vitit 1999, telefonoi Presidentin e atëhershëm të Finlandës, të cilin e ftoi të jetë negociatori i Perëndimit për krizën e Kosovës. Politikani dhe diplomati i sprovuar në meditacione krizash, pranoi menjëherë. Gjithashtu, bashkë me sekretaren Ollbrajt, një nga të gëzuarit e tjerë për fituesin e çmimit më të lartë botëror për paqen në botë, është ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, arkitekti politik i çlirimit të Kosovës nga pushtimi gati 100-vjeçar serb. Siç do ta deklaronte vetë Presidenti Ahtisari, pas nderimit me "Nobelin" e paqes, atë e kanë uruar në radhë të parë liderët më të mëdhenj të Perëndimit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia etj. Ka qenë një kor i madh dhe i fuqishëm solidariteti botëror për nderimin që iu bë dje 71-vjeçarit Marti Ahtisari.

Njeriu i urtë nga Finlanda e largët u bë një nga njerëzit më të afërt të shqiptarëve. Politikani dhe diplomati i talentuar ishte ai që arriti të bindë Sllobodan Millosheviçin të largojë të gjithë trupat nga Kosova. Të gjitha, të gjitha. Për t‘ia lënë qeverisjen e këtij vendi të pushtuar e të persekutuar, banorëve të tij, që 90% janë shqiptarë. Siç do ta deklaronte vetë z. Ahtisari, Millosheviçi, pas firmosjes së dokumentit, e ftoi Presidentin finlandez të drekonte me të. Por politikani veteran, i sprovuar me diktatorët e të gjitha llojeve, që nga Afrika e Jugut apo Azia, nuk pranoi. U kthye për të dhënë menjëherë lajmin e madh që Kosova do të jetojë që prej asaj dite pa zgjedhën serbe. Shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga vendi i tyre u kthyen në Kosovë për të jetuar të lirë. Ndërsa Marti Ahtisari vazhdoi misionin e tij në Indonezi, ku ndihmoi popullsinë e Aceh që të fitonte lirinë e nëpërkëmbur nga regjimi i Xhakartas. Por shqiptarët e Kosovës, edhe pse nuk e vuanin më shtypjen serbe, edhe pse jetonin të lirë, ata nuk po e fitonin shtetin e tyre. Ndërkohë që Rusia e fuqizuar ekonomikisht e shtoi influencën në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar seriozisht pavarësinë e plotë dhe substanciale të Kosovës. Pikërisht në këtë moment, në fillimin e vitit 2007, rikthehet sërish në skenë talenti nga Finlanda, Marti Ahtisari. Ai zhvillon negociata me qetësi me të dyja palët dhe harton një plan, i cili do të merrte më pas emrin e tij, që përbënte bazat e një shteti të ri, të pavarur, multietnik dhe modern. Serbët nuk e deshën kurrë.

Ata nuk e fshehën urrejtjen për të, në të gjitha nivelet e shoqërisë së tyre. Ndërsa në rrugët e Beogradit e quajtën "Myftar" dhe "Hitler", në kancelaritë serbe kërkonin largimin e tij nga detyra si i ngarkuar special i sekretarit të përgjithshëm për OKB-në, por edhe rrëzimin e planit të tij. Por z. Ahtisari iu kthye serbëve gjithmonë me qetësi, duke i rrëzuar me argumente të fuqishme pretendimet e tyre, si dhe kundërshtoi qëndrimin e Moskës. Me ngulmim të paparë, Presidenti Ahtisari nuk la vend të botës pa vizituar, duke bindur të gjitha kancelaritë për të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për t‘u qeverisur. Ish-presidenti finlandez, pas mbylljes së misionit, ua la gati krerëve të Kosovës dokumentet kryesore që përbënin shtyllat e shtetit të ri. Moska u përpoq shumë, natyrisht bashkë me Beogradin, që ta rrëzonte përpjekjen kolosale të 71-vjeçarit nga Finlanda, i cili ishte i dashuruar marrëzisht pas paqes dhe të drejtës së popujve për liri. Kaluan disa muaj deri në ditën e acartë të shkurtit të këtij viti. Kur Parlamenti i Kosovës, të dielën, më 17 shkurt 2008 shpalli Republikën e Kosovës shtetin më të ri, të pavarur në Evropë. Edhe pse nuk ndodhej në Prishtinë atë ditë (a ka pasur ftesë vallë?) Marti Ahtisari deklaroi pa triumfalizëm se u arrit zgjidhja më e mirë për të gjithë.

Gëzimin ua la shqiptarëve, ndërsa vetë finlandezi 71-vjeçar vazhdoi misionin e tij, pasionin e tij, të punonte për paqen në botë, bashkë me fondacionin që ka themeluar, për menaxhimin e krizave. Në një intervistë të tij, Presidenti Ahtisari theksonte disa kohë më parë, se është një admirues i madh çmimit "Nobel" për paqe dhe i shqiptares Nënë Tereza. Mirëpo, shqiptarët që i ndihmoi shumë, si ata të Prishtinës, apo të Tiranës, sikur e harruan veprën e madhe të Presidentit Ahtisari, të cilit nuk i është dhënë asnjë medalje apo çmim, që është më e pakta shenjë mirënjohjeje ndaj veprës kolosale të Marti Ahtisarit, ndërkohë që ai meriton shtetësinë shqiptare dhe kosovare. Por atë që nuk e bëmë ne, e vendosi Akademia Mbretërore e Suedisë, që nderoi një "shqiptar" tjetër me çmimin për paqe. Tani u bënë dy, bashkë me Nënë Terezën!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›