E Diel, 1 Nëntor 2026

Njohja e pavarësisë, Topi: Lajm shumë i mirë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përshëndeti njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Maqedonisë dhe Republika e Malit të Zi. Gjatë një komunikimi të posaçëm me mediat në Pallatin e Brigadave, Presidenti Topi e vlerësoi këtë akt si "një gjest të shumëpritur dhe mjaft të rëndësishëm për zhvillimet e perspektivës së marrëdhënieve në rajonin ballkanik". "Njohja e pavarësisë së Kosovës nga këto dy vende është një lajm mjaft i mirë, që i kontribuon stabilitetit në këtë rajon. Ky proces, i përfunduar nga vendet më të rëndësishme demokratike të botës, si nga BE-ja ashtu dhe SHBA-ja, besoj se do të jetë një pikë referimi për të tjera vende, që kanë pasur një lloj pavendosmërie, ndoshta edhe për shkak të koniunkturave politike", tha kreu i shtetit. Ndërsa vlerësoi stabilitetin në rajonin ballkanik, Topi e cilësoi si "shumë pozitive sjelljen e moderuar të lidershipit politik në Kosovë e të gjitha institucioneve atje, të cilat po japin shembuj të qartë të ndërtimit të një shteti mbi bazat e multietnicitetit, respektimit të minoriteteve, sipas planit "Ahtisari".

"Një hap të rëndësishëm e të përgjegjshëm, që bëhet në kohën dhe drejtimin e duhur", ka vlerësuar Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), vendimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Duke përshëndetur këtë akt, në një deklaratë për shtyp të MPJ-së thuhet se "njohja zyrtare prej tyre e shtetit më të ri të Evropës, vetëm një ditë pas miratimit në OKB të nismës së Serbisë për të kërkuar mendim këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dëshmon se pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm. Ky realitet është njohur tashmë nga 50 shtete. Të tjera shtete pritet që ta njohin atë, sepse pavarësia e ka qetësuar dhe stabilizuar jo vetëm Kosovën, por krejt rajonin tonë".

Edhe Partia Socialiste përshëndeti dje aktin e njohjes së Republikës së Kosovës, nga dy shtete fqinje, shumë të rëndësishme në rajon, siç është Mali i Zi dhe Maqedonia. "Kjo çon drejt frymës së konsolidimit dhe bashkëpunimit, por edhe rritjes së volumit të marrëdhënieve edhe në aspektin ekonomik, ku i jep një shpresë më të madhe popujve të rajonit, për ta bërë një vend më të mirë për të gjithë për të jetuar", u shpreh Arta Dade. Sipas saj, është tepër e rëndësishme që njohja e Republikës së Kosovës vjen nga dy shtete fqinje, me të cilat kemi të ardhme të përbashkët. "Me ta kemi hyrë në proceset dhe rrjedhat integruese dhe vendet përkatëse e kanë shprehur vullnetin politik e angazhimin konkret për të qenë pjesë e familjes euroatlantike", u shpreh Dade. Ajo shpreson se edhe politika do të kthjellohet dhe do të largohet nga skemat e vjetra, sikurse bëhet fjalë me kërcënimin për largimin e ambasadave në kryeqytetet përkatëse të Podgoricës dhe Shkupit. "Kjo nuk do t‘i shërbente demokratizimit të mëtejshëm të Serbisë dhe pa dyshim që edhe Serbia duhet t‘i bashkëngjitet rrjedhës së rajonit për integrimin e mëtejshëm në familjen euroatlantike", konstatoi Dade.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›