Ari Han mbush 1 vit në krye të kuqezinjve
Më 27 dhjetor të vitit 2007, institucioni i futbollit shqiptar zyrtarizoi si trajner të ri të kombëtares holandezin Ari Han, pas dorëheqjes së kroatit Oto Bariç, për shkak të humbjes së turpshme me Rumaninë. Kur gjithçka është mbyllur këtë vit, për sa u përket angazhimeve të kombëtares, trajneri Han do të vizitojë Shqipërinë të shtunën, në një ditë, e cila përkon me njëvjetorin e tij në krye të kuqezinjve. Ndoshta nuk e kishte parashikuar FSHF-ja, por sebepi, shto këtu edhe festat e fundvitit, kanë bërë që të mendohet një ceremoni të thjeshtë për të uruar trajnerin. "Do të vijë të shtunën, pikërisht në njëvjetorin e tij si trajner i Shqipërisë. Arsyeja e vizitës është për të bërë programimin e punës për muajt e ardhshëm, pasi, siç dihet, më 11 shkurt kombëtarja do të luajë ndeshjen e radhës paraeliminatore me Maltën,"- tregon shefi i marrëdhënieve me shtypin në FSHF, Tritan Kokona. Përveç kësaj, në axhendën e trajnerit kuqezi është parashikuar që ai të vëzhgojë edhe ndeshjen më të rëndësishme e javës së 17-të, Vllaznia-Dinamo, me synimin për të pikasur ndonjë element të ri, edhe pse e ka të qartë gjendjen e lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar. Ndërkohë, një e veçantë e holandezit gjatë këtij viti në drejtimin e kombëtares, ka të bëjë me përvjetorin e tij, teksa më 16 nëntor mbushi 60 vjeç.
Fillimi i punës ishte ters, fundi sjell lumturi
Por si ka shkuar karriera e deritanishme e Ari Hanit në krye të Shqipërisë? Holandezi, i zgjedhur me unanimitet nga komiteti ekzekutiv i FSHF-së, premtoi në konferencën e tij të parë për shtyp se do t'i ndryshojë fytyrën kombëtares kuqezi, edhe pse kishte shumë pak njohuri për përbërjen e saj. Gjithsesi, për fatin e keq, puna me kuqezinjtë nuk nis ashtu siç trajneri Han e mendonte. Kjo, jo për faj të tij, por konfliktit që shteti kishte me institucionin e futbollit, gjë që çoi në pezullimin e Shqipërisë nga aktivitetet ndërkombëtare, për një periudhë tremujore. Mirëpo, kur FIFA dhe UEFA hoqën këtë masë pezulluese, trajnerit kuqezi iu dogj mundësia për të vëzhguar ekipin në dy miqësoret e programuara në mars, me Arabinë Saudite dhe Moldavinë. Vetëm një grumbullim disaditor në Antalia të Turqisë, me lojtarë kandidatë për ekipin kombëtar, ishte shumë pak për holandezin. Do të duheshin më shumë se pesë muaj, që ai të shikonte ekipin e vërtetë, konkretisht në miqësoren e 27 majit me Poloninë, ku u mundëm 1-0. Pas kësaj miqësoreje, data më e afërt për të vëzhguar edhe një herë ekipin, përpara fillimit të eliminatoreve ishte 20 gushti. Shqipëria testoi veten ndaj Lihtenshteinit, duke fituar 2-0, por nga ana tjetër, trajneri kuqezi mbeti tepër i zhgënjyer nga loja. Sidoqoftë, ekipi reagoi në startin e eliminatoreve, ku barazoi me Suedinë dhe më pas fitoi 3-0 me Maltën, duke mbajtur për një muaj vendin e parë në grup. Më pas, vjen një dështim i papritur me Hungarinë në Budapest, por qershia mbi tortë ishte Portugalia. Kundër një prej ekipeve më të forta në botë dhe me shumë yje në përbërje, kuqezinjtë e drejtuar nga Ari Han arritën një barazim historik dhe pas katër ndeshjeve të para, janë të pozicionuar në vendin e katërt me pesë pikë. Holandezi si trajner dhe Shqipëria, kanë një shans tjetër për të kapur vendin e parë, nëse fitohet me Maltën, duke pasur parasysh se ekipi qëndron vetëm dy pikë larg, kryesuesve të Danimarkës. Ky ishte pak a shumë edhe njëvjetori i punës së Ari Hanit në krye të kombëtares, teksa fundi i këtij viti la të lumtur jo vetëm atë, por të gjithë me prezantimin që kuqezinjtë bënë në Portugali. Këtu nuk përfshihet miqësorja e fundit me Azerbajxhanin, pasi siç tha edhe vete Hani pas ndeshjes, "nuk pashë gjë", kjo e ndikuar nga gjykimi i njëanshëm, që nuk i la kuqezinjtë të shfaqnin vlerat reale.