E Shtunë, 31 Tetor 2026

Onufri ndërkombëtar me shqiptarë

Hapet ekspozita ndërkombëtare e arteve vizuale e kuruar për herë të parë nga një i huaj, Riccardo Caldura

Hapësirë ekspozimi për 13 persona dhe hapësirë koktejli që del e tepron për aq pak të ftuar sa u ndodhën mbrëmë në hollin e Galerisë Kombëtare të Arteve. I quajturi konkurs ndërkombëtar i arteve vizuale në edicionin e XI me titull “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset” u hap dje në një ceremoni me fare pak pjesëmarrje të artistëve dhe të ftuarve.

Është hera e parë që “Onufri” kurohet nga një i huaj dhe ky është profesori italian i fenomenologjisë, Riccardo Caldura. Është zgjedhje e tij titulli i mësipërm për të cilin i është referuar një vargu të Getës “A e dini vendin ku lulëzojnë limonat?”, ku në fakt shkrimtari i madh gjerman e ka fjalën për Italinë si vend i limonave. Kuratori i “Onufrit 2008” e huan këtë varg për të dhënë një referencë për Shqipërinë si vend i paradokseve.

Për këtë arsye, për të dhënë një skenë të artit shqiptar, Caldura ka ftuar vetëm artistë shqiptarë, sidomos të rinj. Janë Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan

Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant

Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro.

I vetmi artist i huaj që vjen si i ftuar është Bert Theis nga Luksemburgu i cili sjell në Tiranë një projekt që e ka prezantuar në disa muze të rëndësishëm të Evropës.

Pra një kurator i huaj, e kthen konceptin e Onufrit, në origjinë të tij, kur konkursi i arteve vizuale që mori emrin e ikonografit të famshëm, u themelua dhe u konceptua si kombëtar dhe shumë shpejt statusi i tij ndërroi në konkurs ndërkombëtar.

Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 8 shkurt 2009. Është vendosur që më 14 janar 2009 të jepen çmimet në Galerinë Kombëtare të Arteve, nga një jurindërkombëtare që nuk është formuar akoma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›