E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han, vizitë kortezie në Hungari

Trajneri i kombëtares ka vizituar këto ditë Hungarinë. Ndeshjen e 11 tetorit e cilëson të vështirë

Sipas gazetës vendore hungareze "Kisalföld", këto ditë në qytetin e vjetër turistik Györ, që ndodhet në veri-perëndim të Hungarisë, pak kilometra larg Vjenës, është parë trajneri i kombëtares shqiptare, Ari Han. Me sa duket, ka qenë më tepër një vizitë personale kortezie nga ana e holandezit, i cili është shoqëruar nga dy miq të tij hungarezë, menaxheri Laszlo Zsiray dhe ish futbollisti i njohur Jozsef Poczik. Me këtë rast, holandezit të pankinës shqiptare i është marrë një intervistë e shkurtër, ku ai flet për nivelin e futbollin shqiptar si dhe ndeshjen e 11 tetorit me Hungarinë, ku do të jetë përballë patriotit të tij, Ervin Kuman. Ja si u shpreh trajneri kuqezi:

- Zoti Han, duke qenë fillimisht kandidat për trajner të kombëtares hungareze, pse pranuat të shkonit me Shqipërinë?

E kam thënë edhe më parë, që arsyeja pse pranova të drejtoja kombëtaren shqiptare ishin rrethanat dhe sidomos kushtet e pranueshme që më ofroi FSHF-ja. Mund ta them pa asnjë rezervë, që nuk jam bërë aspak pishman për këtë zgjedhje. Megjithëse Shqipëria është një vend i vogël, deri më tani them se kam punuar në kushte përgjithësisht të kënaqshme. Krerët e futbollit shqiptar i janë përgjigjur çdo lloj kërkese që u kam bërë, fryt i së cilës ishin pa diskutim katër pikët që kemi marrë së fundi në dy ndeshjet eliminatore me Suedinë dhe Maltën.

- Ç'mund të na thoni për nivelin e futbollit shqiptar?

Them se është relativisht i mirë, por, në krahasim me atë hungarez, ka ende probleme në lidhje me organizimin dhe mbështetjen e futbollit të moshave, por edhe me infrastrukturën sportive. Kjo u shpreh edhe në rezultatet jo fort të kënaqshme që arriti kombëtarja U 21.

- Si një ish futbollist, që ju kanë pëlqyer gjithmonë sfidat e mëdha, si e mendoni ndeshjen e 11 tetorit?

E shikoj si një ndeshje të vështirë, duke llogaritur deri diku edhe faktin që jo më kot kombëtarja hungareze ndodhet 52 vende para nesh në renditjen e FIFA s. Gjithashtu, fakti që Hungaria do të luajë në fushën e vet, përbën një favor të madh për të. Nga ana tjetër, më duhet të pohoj se, për fat të keq, nuk kam mundur që të luaj shumë ndeshje miqësore me kombëtaren shqiptare, kjo natyrisht jo për fajin tim. Kësaj duhet t'i shtohet edhe kohë e paktë në dispozicion që kam pasur për t'i njohur më mirë lojtarët e mi. Por, e përsëris, dy ndeshjet e fundit eliminatore më kanë bërë shumë optimist.

- Ç'do t'i thoshit patriotit tuaj në stolin e Hungarisë?

Edhe pse me Ervin Kumanin jemi miq të mirë, shpresoj që në takimin tonë të afërt fati të më buzëqeshë mua. Gjithsesi, edhe në rast se hungarezët arrijnë të fitojnë, ju siguroj se do të jem unë i pari që do ta uroj kolegun tim bashkatdhetar.

Ka qenë ndër kandidatët për stolin e Hungarisë, por pranoi kushtet e favorshme të ofruara nga FSHF

Holandezi Han ka gjetur "parajsën" në Shqipëri

Bashkë Ervin Kumanin, që është trajneri aktual i Hungarisë, holandezi tjetër, Ari Han, ka qenë një nga kandidatët kryesorë për të marrë kombëtaren hungareze. Këtë fakt e zbulojnë mediat hungareze, të cilat kanë nisur komentet në prag të ndeshjes eliminatore Hungari-Shqipëri, që luhet më 11 tetor në stadiumin "Ferenc Pushkash". Por për holandezin Ari Han, duket se "parajsa" ishte Shqipëria, që i ofroi kushte më të mira se Hungaria. Në garë me patriotin e tij, Ervin Kuman, për një vend në stolin e Hungarisë, trajneri Ari Han, pas aventurës me Kamerunin dhe Kinën, zgjodhi të drejtonte kuqezinjtë. Arsyet? Për vetë Hanin janë të thjeshta. Holandezi e tregon këtë gjatë një interviste për gazetën hungareze "Kisalföld", ku thotë: "Pranova të drejtoj ekipin kombëtar të Shqipërisë, nisur nga kushtet e favorshme që më ofroi Federata Shqiptare e Futbollit. Mund ta them pa asnjë rezervë, që nuk jam aspak pishman për zgjedhjen që kam bërë."

Edhe pse trajneri kuqezi nuk e thotë drejtpërdrejt, gazeta citon se oferta e Shqipërisë në krahasim, me atë të Hungarisë, ishte më e lartë nga ana financiare. Në bazë të kontratës që ka nënshkruar me FSHF-në, mësohet se trajneri i kuqezinjve do të përfitojë një shumë prej 300 mijë eurosh, plus bonuset, të cilat janë në bazë të pikëve që do të marrë në këto eliminatore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›