E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Partizani është në presionin e pikëve

Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Lika ndodhen në pozita të vështira dhe çdo takim ka rëndësi të veçantë

Këtë javë Partizanin e pret një përballje e vështirë, pasi të tilla kanë qenë gjithmonë takimet me Flamurtarin. Por nesër të kuqtë do ta kenë edhe më të vështirë, pasi thjesht po të bëhet krahasimi me sezonin e kaluar, shikohet se skuadra ka humbur shumë nga emri i saj. Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, është i mendimit se çfarë është dashur për të thënë, është kryer, tashmë mbetet që skuadra të ndryshojë sa të mundet dhe sa më shpejt, për të dalë nga fundi i tabelës. Pas humbjes me fierakët, u fol se trajneri Lika mendonte edhe largimin nga të kuqtë, por presidenti Xhani e ka hedhur poshtë këtë gjë, duke e konfirmuar Hasan Likën në krye të Partizanit deri në vitin 2010. Të kuqtë do të udhëtojnë drejt Vlorës me vetëm katër pikë në pesë javë dhe ndiejnë presionin e pikëve të lëna në fillim si dhe obligimin për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Pas problematikës që lindi para dhe pas ndeshjes me Apoloninë, grupi është munduar të rikuperojë shumë nga vetja dhe shpresohet se në Vlorë do të ketë një moral tjetër, dhe nga kjo transfertë do të mundohen të marrin një rezultat pozitiv. "Unë mendoj se nuk është momenti për të folur, pasi çfarë kemi pasur për të thënë rreth problematikës që kemi pasur, është kryer gjatë ditëve të shkuara. Prandaj është mirë të mos përsëritim veten. Jemi koshientë për pozitat që ndodhemi. Pa dyshim, jemi nën presionin e pikëve, gjë të cilën e vuajnë edhe ekipe të tjera, që janë pranë nesh. Prandaj po mundohemi të rrgullojmë sa më shumë dhe të kthehemi në pozicionin që na takon,"- u shpreh dje për "Sportin shqiptar" trajneri i Partizanit, Hasan Lika. Për njëshin e pankinës së kuqe ekziston një metodë pune që çdo kundërshtar e konsideron të vështirë dhe ekipi duhet të bëjë më të mirën për të marrë maksimumin. Kësaj filozofie të trajnerit Lika, po t'i shtosh edhe pozicionin që mban Partizani, del qartë se sa e vështirë do të jetë për të kuqtë transferta me Flamurtarin. "I dimë vështirësitë e takimit me Flamurtarin, por duke parë gjendjen që ka ekipi, shpresojmë të marrim një rezultat të kënaqshëm,"- ka vijuar më tej trajneri Lika. Edhe vlonjatët në këto pesë javë të para kanë treguar oshilacione të mëdha, madje janë mposhtur edhe në fushën e tyre. Kështu që duke ditur se të dy ekipet vijnë në këtë përballje pas humbjeve respektive me Apoloninë dhe Tiranën, fitorja shikohet si një rast për ndryshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›