E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari: Nuk i nominoj vajzat

Banorët e rinj, pak nga pak kanë filluar të rrëfejnë diçka nga jeta e tyre. Arjani ka qenë në qendër të bisedave. Banorët e shohin atë si një konkurrent mjaft të përgatitur, i mësuar me një tjetër jetë. Banorët e vjetër e kanë pyetur për jetën, punën, për fenë etj. Ndërkohë që të rinjtë janë të ndërgjegjshëm se banorët e vjetër ua kanë "frikën".

"Vajzat nuk i nominoj"

Arjani vë në dukje se situata në shtëpi është shumë e qetë për të gjithë banorët. Ai thotë se nëse vazhdojnë të sillen në këtë mënyrë, pa u "ngatërruar" pak me njëri-tjetrin apo të krijojnë konflikte të vërteta, do ta ketë të vështirë të nominojë ndonjë. Ari shton se tani për tani nuk ka ndërmend që të nominojë asnjë vajzë, sepse ato janë në minorancë dhe se në përgjithësi vajzat i ka qejf e ndihet mirë me to. Sipas tij, e vetmja herë që mund t‘i nominojë ato do të jetë nëse do të ketë përplasje me ndonjë prej tyre apo ndonjë luhatje emocionale. Anjeza dhe Adela e falënderojnë për këtë vlerësim dhe i thonë se ai është djali i parë që e ka thënë këtë gjë në shtëpi.

Adi: "Shkruaj kur jam i mërzitur"

Adi dhe Juna diskutojnë me njëri-tjetrin në lidhje me tema të ndryshme. Ata bisedojnë edhe për jetët e tyre duke treguar diçka për t‘u njohur më mirë. Juna e pyet në lidhje me poezitë që ai shkruan dhe Adi fillon t‘i tregojë për to dhe për një poemë që ka botuar pak kohë më parë. Ai shprehet se zakonisht shkruan kur nuk ndihet mirë shpirtërisht. Më pas ata fillojnë të flasin për filozofinë e jetës. Juna mendon se është më e thjeshtë ta lësh përgjegjësinë në dorë të dikujt tjetër sesa vetes, pasi është e vështirë t‘i thuash vetes se ke gabuar. Juna tregon se jeton vetëm dhe përgjegjësitë i ka marrë përsipër vetë. Sipas Adit, është më e thjeshtë për dikë që jeton jashtë shtetit të jetojë vetëm, pa familjen, ndërsa në Shqipëri është më e vështirë. Biseda e tyre vazhdon rreth jetës së ndryshme që kanë dy popujt, shqiptarët dhe gjermanët.

Të rinjtë për të vjetërit

Anjeza ka këshilluar banorët e rinj që të jenë më të kujdesshëm në bërjen e gjërave. Ajo u tregon atyre, se vetë e ka pasur shumë të vështirë në fillim t‘u tregonte banorëve të tjerë se nëse bënte ndonjë gjë si për shembull punë shtëpie e bënte se e ndiente, ndërsa ata ia merrnin si vënie në dukje për strategji loje. Juna e kundërshton, sepse asaj vetja i duket e barabartë me gjithë të tjerët, por Anjeza i thotë se në fillim dhe ajo me atë ide hyri, por banorët e tjerë filluan ta trajtojnë ndryshe. Toni e mendon këtë sjellje të banorëve si një formë mbrojtjeje. "Në momentin që ti hyn në shtëpi, je i barabartë me të gjithë pavarësisht se dikush ka më shumë kohë brenda", shton ai. Sipas tij, shanset janë të barabarta për të gjithë si për të fituar, si për të humbur. Toni mendon se është favor për ta që banorët e vjetër t‘i shohin me një lloj frike, pasi mund të merret edhe si vlerësim. Ai thotë se ata i kanë parë nga jashtë dhe janë më të përgatitur se ata brenda, sepse e dinë mirë se cilët janë pozitivë e cilët jo, cilët bëjnë intriga e sulme e cilët jo dhe këto mund t‘i shfrytëzojnë për strategji loje. Anjeza mendon se ka një ndryshim të madh të parit nga jashtë e të jetuarit në shtëpi.

Dritani: "Një nga ne djemtë do të dalë"

Adela shprehet se nëse del ndonjë nga vajzat të shtunën dhe që për të ka shumë gjasa të ndodhë, atëherë do të vijë sërish një banore e re. Dritani mendon se ka më shumë mundësi të dalë ndonjë djalë, sepse vajzat janë në minorancë dhe kështu rrezikon ose ai ose Bjordi. Adela ia kthen menjëherë që kjo nuk ka për të ndodhur, por Dritani thotë me habi se nuk e kupton këtë gjë tek ajo dhe te të tjerët. "Nuk e kuptoj se si ju për të gjithë djemtë thoni që nuk do dalin? Atëherë i bie që ju do dilni e ne do rrimë", shprehet ai. Adela kujtohet se edhe Anin nuk e nominoi njeri dhe pyet se përse nuk e nxorën. Tani ia kthen se ai nuk ka përse ta dominojë, pasi me të shkon mirë. Ajo thotë se e ndjen dhe është shumë e sigurt se as ai e as Bjordi nuk do dalin, pasi nuk ka kuptim. "Nuk ka kuptim për ty, por për të tjerët mundet", thotë ai.

"Ti nuk më mbron asnjëherë"

Adelës i vjen inat me Mozën se pas çdo konflikti që ka ajo me Aidën, ajo mban anën e saj. Moza i kthehet se kjo nuk është e vërtetë, por i bën ashtu si e sheh ajo të arsyeshme. Adi i thotë Adelës se po flet gabim tani. Sipas tij, Moza nuk ka lidhje fare me zënkat që bën ajo me Aidën. Moza nuk ka pse të zgjedhë se me kë të rrijë vetëm se ia kërkon ajo. Sipas tij, këto zgjedhje bëhen vetëm në debate shumë të mëdha. Adela këmbëngul se Moza gjithmonë e justifikon Aidën dhe ndaj ndihet e lënduar. Ajo i thotë Mozës se asnjëherë nuk i ka thënë se Aida e teproi me të, por gjithmonë mundohet të gjejë defektet tek ajo. Adela mendon se Aida po përdor mënyra shumë të ulëta vetëm për t‘i bërë keq.

Opinione për Arin

"Sa shumë që flet!" - i ka thënë Adelajda Bjordit për Arin, ndërsa ishin ulur pranë njëri-tjetrit në divan. Ajo ka shtuar se ai flet e flet pa pushim. "Çfarë mund të bëj tjetër?" - ka thënë Bjordi. "Të dëgjojë!" i është përgjigjur ajo. Ndërsa pak më vonë dhe vetëm pak metra më tutje, Anjeza i ka thënë Qetsorit se i pëlqente kur fliste Ari, jo vetëm për temat, mënyrën, por edhe për argumentet që jepte. "Ke kënaqësi ta dëgjosh!" - ka thënë ajo. Qetsori është bashkuar me mendimin e saj, duke i thënë se Ari ishte shumë i përgatitur.

"Unë jam shumë klasik!"

"Unë jam shumë klasik!"- ka thënë Ari, - Më pëlqejnë shtëpitë e vjetra, makinat e vjetra dhe për modën e vjetër!". Por, sipas Arjonit, nëse do të kishte lindur në atë epokë do t‘i pëlqenin të rejat. Ai ka thënë se ishte i lumtur që kishte lindur në këtë epokë, në një epokë tranzicioni, siç e përkufizoi ai, sepse dinin çfarë ishte të mos kishe shumë gjëra, si celulari, makinat dhe cili ishte ndryshimi po t‘i kishe. Ari u shpreh i pasigurt nëse teknologjia e sotme apo sasia e madhe e informacionit, të bënte më mirë apo keq. "Nuk e di a jam i lumtur që po jetoj në këtë epokë!" - ka thënë ai. "Ndërsa unë jam!" - ia ka kthyer Arjoni.

"Është fati ai që vendos!"

Adelajda e ka pyetur Arin nëse ai besonte në një fuqi të mbinatyrshme, pa marrë parasysh këtu besimet e ndryshme dhe ai i është përgjigjur se shpeshherë, kur gjërat apo situatat kalojnë përtej shpjegimeve të tij, apo gjen qetësi dhe shpresë në besimin e ekzistencës së botës së përtejme, ai sheh si përgjigje pikërisht praninë e një fuqie të mbinatyrshme. "Unë besoj në Zot! - ka thënë ai, -kam shumë respekt për fetë, por nuk u besoj formateve që më janë ofruar, librave që i ka shkruar dikush e m‘i jep mua t‘i lexoj!". Adelajda e ka pyetur nëse ai beson se gjërat kanë ndodhur, ndodhin dhe do të ndodhin vetvetiu, apo sepse është dikush që i komandon. Ari i është përgjigjur se ai nuk e besonte kurrë këtë, që të ishte dikush që i komandonte gjërat dhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë ky dikush do të ishte fajtori për të gjitha poshtërsitë e kësaj bote. "Nëse qenka ai që na ka krijuar kështu, ose ai paska një qëllim cinik ndaj nesh, ose nuk ka ditur ta bëjë mirë!"- ka thënë Ari. Adelajda ka marrë si shembull një palë pantallona që njeriu i zgjedh vetë, i qep vetë, i shkurton nëse i mbushet mendja ta bëjë dhe i djeg apo i zhduk fare, sepse nuk i pëlqejnë më; ato janë të vetat dhe ai mund të bëjë ç‘të dojë. Në analogji me këtë ajo ka thënë: "A nuk mendon se dhe ai ka të drejtë të bëjë ç‘të dojë me ne, për sa kohë që jemi krijesa të tij?" Adelajda ka vazhduar duke pyetur nëse do të ishte më mirë dhe më lehtësuese që për gjithë ato të këqija që po kalon njerëzimi sot, që ai kishte përmendur, shkaktari të ishte dikush tjetër dhe jo njerëzit. Ai është shprehur se për sa u përkiste besimeve të ndryshme, më shumë e gjente veten më pranë fesë budiste, sepse ajo të mësonte të respektoje natyrën përreth, pasi besimi bazë i saj ishte mishërimi për 7 herë rresht në jogjallesa e gjallesa të ndryshme. Dhe sipas tij, ishte fati ai që i vendoste gjërat.

Edhe hile, edhe burrëri!

Adi ka thënë se për të fituar 70 mijë eurot, vërtet duhet hile, por njeriu duhet të tregojë edhe pak burrëri. Ai tha se ishte kjo arsyeja që ai nuk i kishte nominuar kësaj jave as Qetsorin, as Aidën, sepse atyre u duhej ta merrnin veten nga gjithë ai emocion dhe tension që kishin përjetuar për javë me radhë. "Më vjen keq për ty, - i ka thënë ai Aidës, - sepse u zgjat shumë!". "Mos të të vijë keq, - ia ka kthyer ajo me shaka, - se unë kam vendosur të hyj në "Gines"! Adi ka shtuar se po qe se Aida do të shpëtonte edhe këtë herë, pavarësisht se mund të dilte të shtunën e ardhshme, ajo do të ishte një person që kishte lënë gjurmë në këtë shtëpi. Edhe Qetsori ka qenë i të njëjtit mendim, që Aida nuk duhet të ishte rinominuar nga banorët.

Arjoni fotografon Qetsorin

Arjoni, në kuadër të fotografive të provës së javës, i ka bërë fotografi Qetsorit në dush dhe i ka lënë të kuptojë sikur e ka nxjerrë nudo. Ai ua ka treguar këtë edhe banorëve të tjerë që kanë qeshur. "Dua privatësinë time!"- i ka thënë Qetsori, që më pas ka mbuluar edhe xhamin e dushit nga frika e ndonjë fotoje tjetër. Ndërsa Adi, duke parë foton e Qetsorit, ku dukeshin vetëm shpatullat, e ka ngacmuar duke e pyetur nëse po lahej me ujë të ftohtë. "Jo!" - i është përgjigjur Qetsori, që nuk e ka kuptuar shakanë e Adit.

Je shumë fotozhenike!"

Duke parë fotot që banorët i kishin bërë njëri-tjetrit, Adelajda i ka thënë Junës se i pëlqente shumë sesi kishte dalë ajo. "Je shumë fotozhenike, mua më pëlqen shumë!"- i ka thënë ajo. Ndërsa Arjoni i ka thënë asaj(Junës), se për mendimin e tij, ajo kishte një fytyrë shumë ekspresive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›