E Shtunë, 31 Tetor 2026

PERSE NUK DO DOJA TE ISHA KROAT, PER NATO-n?

Këto ditë, kur shumica e shqiptarëve po brohorasin për hyrjen e vendit tonë në NATO, nën dilemën për ta trajtuar këtë çështje të cilën e kam pasur për zemër me vite (për shkak se tashmë dobia e saj është kthyer në një aksiomë politike), më ngacmoi një shkrim tonik kundër rrymës i analistit Mustafa Nano (te "Shqip"-i, me titull "Sa do doja të isha kroat"), duke u bërë kështu tharmi sfidues për këtë koment me thelb debatues që po ofroj, ndaj pikëpamjeve të tij. Njihet në fakt një prirje karakteristike e theksuar individualizmi në qëndrimet e z. Nano, jo vetëm për çështjet e ditës, por edhe për çështje madhore dhe, në fakt, kjo nuk është një gjë e keqe në vetvete. Madje edhe unë besoj se mund ta klasifikoj veten, me mburrje, pak a shumë në këtë rrymë, sepse në përgjithësi, historia ka treguar se gjakftohtësia, kozmopolitizmi dhe qëndrimet individuale kanë qenë më superiore se qëndrimet euforike të turmave të ekzaltuara nga manipulimi i elitave politike.

Por për z. Nano, me sa duket, individualizmi është kthyer në një tepri dhe qëllim në vetvete, duke e çuar atë ndonjëherë në qëndrime analitike jo reale, siç është rasti për këtë çështje kruciale. Ndoshta në lidhje me temën që ai ka trajtuar mund të ketë edhe dizavantazhin e mosnjohjes së thelbit të historisë së popullit shqiptar (në fakt, ai është një gazetar me eksperiencë dhe i talentuar, por që unë nuk di që ai të ketë treguar njohje të thella historike, qoftë dhe si autodidakt), të luftës dhe përpjekjeve të tij sizifike për të mos u asimiluar në oqeanin e shekujve dhe, si rrjedhojë, të mos kuptuarit e faktit të rëndësishëm se që mbas Koncilit të parë të Nikeas dhe zyrtarizimit të Krishterimit nga Perandoria Romake dhe Perandori i saj ilir - Konstandini, shqiptarët për mbi 1700 vjet rresht, kanë qenë të sedimentuar nga fati i tyre i keq, me palët humbëse, apo në një transhe me armiqtë e tyre shekullorë, më të fuqishëm se ai. Shqiptarët kanë qenë si një sorkadhe e ndryrë në një vathë me disa ujqër që oreksi iu kishte dalë para se t‘u dilnin dhëmbët. Madje kjo ka qenë edhe arsyeja se përse shqiptarët janë mpakur dhe tkurrur nën krusmën e shekujve dhe sot janë i vetmi komb, ndoshta në botë, që janë të rrethuar nga të gjitha anët e kufijve të tyre tokësorë shtetërorë politikë, po me toka të banuara nga shqiptarët.

Megjithatë, ata që rrinë mbrapa NATO-s dhe përfaqësuesit e tyre zyrtarë e kanë ditur dhe e dinë ndoshta më mirë se ne çfarë përfaqëson historikisht raca shqiptare, nga vjen ajo, ç‘kontribut ka dhënë dhe ç‘vokacion ka. Këtë e kanë theksuar më se një herë autoritete si Aurelio Pecio, Aleksandër Haig, Manfred Verner, Wesly Clark, Hoolbrok, etj. Kjo nuk është propagandë, por një e vërtetë e mistershme që vjen nga historia me këtë popull shumë të lashtë dhe enigmatik.

Z. Nano, në këtë shkrim, është kundër sentimenteve festive orgazmatike popullore me synime politike të ditës (në përgjithësi kështu jam edhe unë) dhe shfaqjes së ekzaltuar te "Klan"-i dhe "Top Channel"-i me gazetarët Fevziu dhe Balla të të intervistuarve përkatës, Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi, për çështjen e anëtarësimit në NATO. Ai është kundër veprimeve "populiste" të Doktorit dhe të pjesës tjetër të politikës blu dhe, madje duket sikur i tërheq veshin "për ndërrim kursi" dhe një farë konformizmi qeveritar të "Top Channel"-it për këtë çështje, me pikësynimin strategjik për t‘i ngritur atij vigjilencën dhe për të ruajtur pozicionin asnjanës dhe kritik ndaj këtyre veprimeve paraelektorale të qeverisë e, duke e çuar kështu ujin në mullirin elektoral të Berishës. Madje ai simpatizon si një model "totemi" politik sjelljen e ftohtë të kroatëve për këtë çështje. Në fakt, sipas mendimit tim, ai nuk ka të drejtë për asnjë gjë nga këto që thotë! Përse? T‘i shohim me radhë, megjithëse në thelb përgjigjja ka lidhje me hyrjen që bëmë më lart, por po shtojmë edhe ca aksesorë të tjerë historikë, qoftë edhe me drojën e bezdisjes që mund t‘i shkaktojmë lexuesit modest.

Në fakt, prirja popullore për të kaluar në një ekzaltim për këtë eveniment është një prirje evolucioniste (e pranoj, edhe pak karakteristikë e shqiptarëve si një popull i vogël) dhe që e ka bërthamën e vet tek enzima e mbijetesës së racës, e kultivuar te ne si një shqisë jetësore më tepër. Të dalë nga nxiromat e Luftërave Ballkanike, nga një "maternitet londinez me dy dhoma" të viteve 1913 dhe 1915 (Traktatet e Londrës, i pari legal dhe sanksionoi Shqipërinë e sotme politike të copëtuar dhe i dyti, një traktat i fshehtë që u përdor si "karrem" për të futur Italinë në Luftën e Parë, nëpërmjet ofrimit të gjithë detit Adriatik dhe të një cope tjetër toke të kësaj Shqipërie të sotme të copëtuar), duke pritur si astmatikë vendimet e dy traktateve të mëdha të paqes në Versajë - pas dy Luftërave Botërore dhe, sidomos pas qëndrimit në zgrip të humnerës së ekzistencës të vitit 1997, shqiptarët e nuhatën se tash, kombi i tyre nuk do të nëpërkëmbet më. Madje po të shohim më në thellësi të historisë, kjo prirje ekzistencialiste e shqiptarëve për të gjetur aleatë politikë, ka qenë edhe në fushën shpirtërore, në drejtim të adaptimeve të tyre me religjionet e ndryshme.

Shqiptarët, si rrallëkush janë një popull apostolik. Në tokat e tyre ka qëndruar dhe është shuguruar madje edhe papa i parë shqiptar, (sipas Konicës), Eleutheri, nga vetë kryedogmatiku i Kishës, Shën Pali, gjatë qëndrimit të tij disamujor në Nikopojë (Prevezën e sotme). Kisha dhe religjioni kristian do të shërbente si një institucion integrues për shqiptarët, të cilët pas rënies së perandorisë romake, në shekullin e katërt pas Krishtit, do të ishin të rrezikuar për shfarosje dhe asimilim nga barbarët paganë të veriut, bullgarët dhe sllavët. Kur bullgarët e braktisën paganizmin e tyre dhe u pagëzuan në kristianizëm, (si fillim me perandorin e tyre Samuel në kishën e Bylisit në Mallakastër), masivizimi i këtij religjioni tek armiqtë e tyre pushtues do të ishte rreziku i radhës për shqiptarët dhe me sa duket, shpëtimi, me intuitë, erdhi nga Islami, feja e re e cila u paraqit si parashutë për një shpëtim të ri, edhe pse atëherë ekzistonin kufijtë politikë më tolerantë të perandorive dhe jo ato kombëtarë (që filluan të krijoheshin në Evropë pas Koncertit të Vjenës më 1814) ku kombi bërthamë do të përpiqej t‘i shuante thëngjijtë e ekzistencës së racave minoritare. Midis sundimit romak të Ilirikumit dhe sundimit të popujve ballkanikë të Rumelisë nga Porta Osmane, një "perde e hekurt shpirtërore" e pati ndarë Evropën: ajo u quajt vija e Teodosit.

Ndryshimi midis shqiptarëve dhe kroatëve është se shqiptarët, në përgjithësi, ngelën nga e njëjta anë me armiqtë e tyre pushtues dhe shfarosës (Perandoria Bizantine), ndërsa kroatët ngelën nën qeverisjen edhe politike (Habsburgët), edhe shpirtërore (Vatikanit), të Perëndimit. Nën iluzionin e komunistëve dhe nën ndikimin sllav, për mbi gjysmë shekulli, kroatët e kafshuan karremin jugosllav (serbo-rus), kësaj dige antigjermanike artificiale dhe, pas viteve 1990, kërkuan rikthimin e tyre në "shtëpinë e vjetër shekullore të stërgjyshërve" në Perëndim. Kjo është diferenca se përse kroatët janë më të ftohtë se sa shqiptarët. Në mashtrimin e kroatëve, përveç iluzionit të komunizmit, ndikoi edhe një prirje historike e derës mbretërore serbe të Obenoviqëve drejt Perëndimit. Por në fakt, edhe pse Tito ishte një kroat me fytyrën nga Roma dhe Washingtoni, detyra e tij ishte të recitonte vargjet e lëna nga tradita e derës tjetër mbretërore serbe të Karagjorgjeviçëve, për vokacion pro ruso-sllav. Kur u rrezikuan për pak kohë nga Milosheviçi për zotërimin e një territori të vogël të Krajinës dhe për pak toka të tyre në Bosnjë, e pa gjithë bota se sa "të ftohtë" ishin kroatët.

Po, ne, shqiptarët që kemi qenë gjithë kohës një popull kallogre nga zaptimi, gjenocidi dhe shfarosja, a duhet të tregohemi të nxehtë me një rast të cilin kishim të paktën mbi një shekull, mbas shpartallimit të të Sëmurit të Bosforit dhe Luftërave Ballkanike, që kërkonim ta proftasnim për të hyrë në aradhat, vokacionin dhe për t‘u bërë pjesë e vezullimit të diamantit të 30 vendeve elitare të botës? Z. Nano dhe Na(no)to-skeptikët e tjerë (sidomos veteranët nostalgjikë që ende mbajnë si gjë të çmuar kokoret sovjetike me yllin e kuq me të cilin luftuan kundër kosovarëve për të çliruar Jugosllavinë deri në Vishegrad - me këtë s‘dua të bëj paralelizëm me z. Nano, pasi ai nuk ka absolutisht asnjë lidhje me këtë kategori) lipset që ta dinë se nëse ka ndonjë popull që fiton shumë më tepër se sa jep për këtë kauzë, nga 28 vendet e tjera të këtij diamanti, këta janë shqiptarët, për shkak të veçorive që theksuam më lart. Ndaj, si rrallëherë, është e justifikuar adrenalina e mediumeve tona dhe politikës. Unë jam dakord me z. Nano që kjo çështje s‘duhet dhe nuk mund të margjinalizohet në dobi të politikave partiake të ditës. Dhe kjo, në fakt, nuk mund të ndodhë se të gjithë shqiptarët e kanë të trashëguar në gjenet e tyre shekullore aspiratën për të këputur zinxhirët e dyfishta të Teodosit dhe të "perdes së hekurt", e cila na rreshtoi fatkeqësisht për 50 vjet me armiqtë tanë.

Është fakt se krijimi i mundësive për hyrjen në NATO të një pjese të madhe të Ballkanit është bërë kryesisht për arsye të gjeopolitikave midis Perëndimit dhe botës ortodokse të Lindjes, kryesisht Rusisë. Kjo e fundit është një fuqi e madhe bërthamore dhe ngacmimi i saj është sikur të ngacmosh një fole me grerëza. Pra ky moment ka qenë një akord i heshtur dhe mbrapa kuintave midis regjisorëve të mëdhenj botërorë dhe, politika jonë ka pasur vetëm një rol afirmativ të këtij akordi dhe një pozicion paralel me aspiratat gjeopolitike kombëtare. Pra hyrja në NATO pikën më të rëndësishme dhe më të vështirë e kishte tek pranimi i tyre nga shkaku i pamundësisë reale për dominim të territoreve tona sipas vullnetit politik të Perëndimit dhe jo atë të vokacionit të një politikani shqiptar apo të një tjetri. Pra në NATO na futi akordi NATO-Perëndim dhe vokacioni i shumicës së shqiptarëve, vokacion që u sintetizua te politikanët tanë të Tiranës në këto 18 vjet. Tashmë deti Adriatik ku kalonte "perdja e hekurt", de jure, pas 4 prillit, është kthyer në një liqen të Perëndimit dhe "Pjetri i Madh" nuk i lan dot më këmbët me ujin e lakmuar testamential të këtij deti. A e kupton dot z. Nano dhe Na(no)to-skeptikët e tjerë, këtë të fundit, se ç‘do të thotë për ne shqiptarët?

Prandaj, duke e mbyllur, s‘më mbetet gjë tjetër veçse t‘i mbështesim të gjithë politikanët shqiptarë të këtyre 18 viteve, që pak a shumë kanë dhënë kontribut për këtë ditë (kjo ka qenë relative ndonjëherë këto 18 vjet pasi ka pasur në fakt një mungesë orientimi - nga ngjarjet e ‘97 - nga ndonjë prej politikanëve tanë si dhe ata ballkanikë që sollën si rezultat edhe prirje të gabuara antishqiptare për rreshtim gjeopolitik, në ndonjë moment të shkurtër, deri sa mbaroi lufta NATO-Serbi), si dhe atyre që do të vinë, që për këtë çështje parimore, të vazhdojnë vetëm në këtë drejtim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›