Turku kërkon mbështetje për shkollën e restaurimit
Në kuadër të Presidencës Greke të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Juglindore, u zhvillua më 3 prill, takimi i ministrave të Kulturës të Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë dhe Bullgarisë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Ministrive të Kulturës të Turqisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë, (me statusin e vëzhguesit të përhershëm), ambasadori i Maqedonisë në Athinë, si dhe përfaqësues të UNESCO-s dhe Këshillit të Evropës. Në fjalën e tij, ministri shqiptar i MTKRS-së, Ardian Turku, nënvizoi rëndësinë që ka kultura, ruajtja dhe përcjella e vlerave kulturore dhe e trashëgimisë kombëtare për rajonin dhe integrimin e tij evropian. Në takim, ministri Turku theksoi angazhimin e MTKRS-së për zbatimin e Konventave të UNESCO-s që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore. Ministrat pjesëmarrës u informuan mbi angazhimin shqiptar në promovimin e kulturës së minoriteteve kombëtare dhe etnolinguistike. Ndërkaq, si rrjedhim i mbështetjes që ministrat e Kulturës i kanë dhënë në Bukuresht të Rumanisë nismës shqiptare për kthimin e shkollës së restaurimit në Tiranë në një qendër rajonale të kategorisë së dytë të UNESCO-s, ministri Turku kërkoi edhe një herë mbështetjen e ministrave të tjerë për këtë iniciativë, tani që kjo qendër po mbyll vitin e dytë të funksionimit të saj. Në fund u ra dakord për tekstin final të Planit të Veprimit për periudhën prill 2009 - prill 2010, që përfshin Presidencën Malazeze të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore.