E Shtunë, 31 Tetor 2026

Margarita Xhepa vlerësohet në Athinë

Margarita Xhepa, Artiste e Popullit, është ngjitur në skenën e teatrit "Kapa" në "Kipseli 2" të Athinës. Ajo interpretoi rolin e nënës në krah të dy nënave të tjera, një greke dhe një bullgare, në një tragjedi të jashtëzakonshme "Vëllai i vdekur", në kujtesën e një miti të lashtë, sa shqiptar po aq edhe grek, bullgar, rumun a serb, një mit ballkanik që lidhet me besën, mitin e Konstandinit dhe Doruntinës, të Konstandinit dhe Aretisë apo të Lazarit dhe Petranës... sipas kujtesës popullore të këtij gadishulli, kujtesë e përcjellë brez pas brezi, e shekull pas shekulli, të cilën regjisori i talentuar grek Akzakis e mori për ta shpërndarë në pesë gjuhë, me aktorë profesionistë, por edhe me aktorë emigrantë.

Për rreth dy javë, nga dy shfaqje në ditë, aktiviteti tërhoqi një publik të konsiderueshëm, mes të cilëve edhe personalitete të kulturës greke, por edhe ballkanase. Margarita Xhepa, nëna shqiptare, interpretoi në gjuhën shqipe, e ndjekur nga aktorët Kiti Selmani në rolin e Doruntinës, Aretisë e Petranës, e Karafil Shena në rolin e një prej vëllezërve të Konstandinit.

"Është nder i madh për Greqinë dhe për ne që Margarita Xhepa është mes nesh. Dëshiroj që të ngremë gjithë gotën dhe ta pimë për miqësinë e popullit shqiptar me popullin grek", tha regjisori grek Sotiris Akzakis. Shoqata kulturore artistike "Lushnja" në Greqi, e njohur prej dhjetë vjetësh për veprimtaritë e saj të shumta me emigrantët, me në krye Jovan Mëhillin, e shpalli aktoren Margarita Xhepa "Anëtare Nderi" me motivacionin: "Për veprimtari të shquar si Artiste e Madhe në fushën e artit skenik e kinematografik, si dhe për kontributin tepër të vlerësuar në themelimin e shoqatës kulturore artistike ‘Lushnja‘ në Greqi". Pas shfaqjes në Athinë, legjenda e "Vëllait të vdekur" dhe e besës do të udhëtojë nga 21 prilli e deri më 5 maj në katër shtete ballkanikë, në Shqipëri, Serbi, Bullgari dhe Rumani, si një simbol i paqes, i një Ballkani të kohës që jetojmë dhe do të jetojmë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›