E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeda-Pedersen, zbulohen gjashtë letra të panjohura

Poeti dhe albanologu Ndre Mjeda ka pasur një letërkëmbim të pasur me albanologët më të mëdhenj të kohës si Brugmman, Patsch, Jagić, Kretshmer, Bloomfield, Jokli, Jarnik, etj. Në këtë drejtim, siparin e hapi, në vitin 1966, Martin Camaj, i cili bëri kërkime dhe zbuloi në Bibliotekën e Universitetit të Gracit, 12 letra të Mjedës dërguar albanologut më të madh të shekullit XIX, Gustav Meyer-it, letra të cilat bënë një revolucion të vërtetë në fushën e studimeve mjedologjike. Tani radhën e ka letërkëmbimi i Mjedës me një albanolog tjetër të shquar, profesorin danez të Universitetit të Kopenhagenit, Holger Pedersen (1867-1953).

Problemi hapej kohë më parë nga vetë Holger Pederseni, i cili botoi, në shtator 1902, në Albania artikullin Abetari shqip, ku në mes të tjerave shkruan: "Më pëlqen shumë abetari i Gustav Majerit në qoftë se largohen karakteret greke. Ate punë bëri Z. Andrea Mjedja prej Shkodre në nji abetar që shpuri përpara Kongresit të Orientalistëve në Hamburg, të cilin abetar duket se e kanë pelqyer Ipeshkvit për nji pjesë të shkollave shqype të Shqipërisë së Sipërme". Pederseni i kishte marrë këto informacione nga Dom Andrea Miedia, me të cilin kishte letërkëmbim. Vetë poeti, në letrën apokrife, shkruar në emër të ordinarëve të dioqezave katolike shqiptare, më 4.11.1903, ka folur kështu për alfabetin e shoqërisë Agimi: "Sipas temës së albanologut të shquar modern H. Pedersen, është alfabeti shqip më i përsosur i propozuar deri tani". Është krejt e qartë se këto informacione mund të përcillen në mënyrë të ndërsjellë përmes letërkëmbimit Mjeda-Pedersen. Pastaj, Pederseni në studimin e tij në Shqip 1905, shkruan: "Por gjendja e problemit ka ndryshuar tani për shkak se janë botuar nji varg librash shkollorë, ku është pranuar alfabeti i G. Majerit. Këto libra janë: Këndime për shkollë të para të Shqypnisë I dhe II. Numeratore per shkolla të para të Shqypnisë dhe D.N. Ferrari, Të mbledhunit e mbësimeve të Krishtena I. Vendi e viti i botimit dhe autori i këtyre librave të botuar, natyrisht me pëlqimin e klerit katolik të Romës, të paktën në ekzemplarët që kam unë, nuk janë dhënë. Në mënyrë private, më është bërë e njohur që janë në përgatitje e sipër edhe të tjerë libra shkollorë të së njëjtës seri: nëse tashmë janë botuar, unë nuk di gjë".

Gjuhëtari Gjergj Pekmezi ishte i mirinformuar për raportet e Mjeda-Pedersen. Duke qenë korrektori i teksteve shkollore të Mjedës dhe duke e mbrojtur atë nga kritikuesit lidhur me shkronjën "ə", ai sqaron: "Shënimi i këtij tingulli, si përgjithsisht ortografia e librave shkollorë, është rezultat i konsultimeve të zotit Mjeda me Pedersenin e Brugmann-in, pra me filologë të shquar". (AIHT, nr. 17250/6, fk 233-234, udh. i Vjenës, 19 prill 1905, drejtuar atasheut konsullor në Prizren, Lejhanec dhe konsullit Kviatkovski në Shkodër).

Mihal Grameno, duke qenë pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit, ka treguar se gjatë njërës prej mbledhjeve: "Filologu At Mjeda tregoi se abeceja e Agimit është më e mbaruara dhe na tregoi letra nga glosologët që kishte marrë, të cilët e pëlqenin këtë abece për gjuhën shqipe". Cilët ishin ata albanologë që kishin pasur letërkëmbim me Mjedën në fillim të shekullit XX? Mendojmë se bëhet fjalë për profesorin danez Holger Pedersen, i cili ishte i mirinformuar për çfarë ndodhte në Shkodër.

Në vitin 1937, Ernest Koliqi, dhe më vonë, Jup Kastrati, kanë theksuar se Mjeda pati letërkëmbim me shumë albanologë të huaj, mes të cilëve edhe me Holger Pedersenin.

Pikërisht për këto arsye, kur në vitin 2003, nisa të punoj për monografinë Mjeda, fillova kërkimet në fondet e Pedersenit, si dhe në ato të albanologëve të tjerë, me të cilët Mjeda pati letërkëmbim. Si rezultat i një pune të gjatë kërkimore gjashtëvjeçare, falë edhe ndihmës së disa dashamirësve të kulturës e shkencës, të cilët i falënderoj paraprakisht, sot kam në dorë kopjet e gjashtë letrave autografe të Ndre Mjedës dërguar albanologut Holger Pedersen, origjinalet e të cilave ruhen në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagenit. Duke marrë parasysh rëndësinë e veçantë që kanë informacionet që dalin nga këto dokumente të mbetura nën pluhurin e harresës për një shekull, do të bëj së shpejti një paraqitje akademike në Mjeda-4 (Identieti), që del këtë verë nga shtypi. Aty do të botoj këto letra në tri variante: frontespicin e gjashtë letrave, variantin në italisht me shkronja shtypi, si dhe variantin e përkthyer në shqip. Kjo paraqitje e krahasuar do të shoqërohet me shënimet e mia kritike si dhe me një historik të odisesë së kërkimeve deri në zbulimin e tyre përfundimtar. Me këtë rast do të paraqes edhe rolin e rëndësishëm të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin me sukses të plotë të këtij projekti. Sot po bëjmë një publikim për t‘ia paraqitur opinionit të gjerë këtë ngjarje kulturore.

Letërkëmbimi Mjeda-Pedersen fillon me letrën e 10 shtatorit 1902. Dom Ndre Mjeda është i pari albanolog shqiptar që përfaqësoi Shqipërinë në Kongresin Ndërkombëtar të Orientalistëve. Mjeda erdhi në Hamburg së bashku me shpresën që të takojë aty albanologun danez, Holger Pedersen, në Kongresin XIII të Orientalistëve me të cilin kërkon të diskutojë lidhur me problemet e ortografisë dhe të alfabetit. Mirëpo ai doli i zhgënjyer, sepse nuk arriti të takonte mikun e tij. Punimet e kongresit filluan më 5 shtator 1902, në Hamburg, ku morën pjesë rreth 750 delegatë, mes të cilëve Danimarka përfaqësohet nga profesori i Universitetit të Kopenhagenit, prof. dr. Vilhelm Thomsen, i cili ishte edhe profesor i Holger Pedersenit.

Ndërkohë që para se të niset për t‘u kthyer në Vjenë, ai i shkruan letër Pedersenit, i cili jep leksione aty pranë, në Kopenhagen. Letra mban shënimin Hamburg, 10 shtator 1902. Në këtë letër, Mjeda e sqaron Pedersenin për zhvillimet kryesore në Konferencën e Ipeshkvijve Shqiptarë në Shkodër, e cila u mbajt në Shkodër më 1-10 maj 1902. Ai sqaron për krijimin e Shoqërisë Agimi si një akademi shqiptare për probleme gjuhësore. Po ashtu e njofton se alfabeti i tij me shenja diakritike ka marrë miratimin edhe të dijetarëve të huaj në Kongresin XIII Ndërkombëtar të Orientalistëve në Hamburg, që sapo ka përfunduar, me përjashtim të dy shkronjave, të cilat po të shprehen me alfabetin e sotëm janë "dh" e "th". Autori flet për modifikimet që i kanë bërë këtyre dy shkronjave studiuesit Vilhelm Thomson nga Universiteti i Kopenhagenit dhe Maurice Bloomfield nga Universiteti i Baltimores. Por Mjeda i shpreh Pedersenit edhe rezerva për propozimin e tij ð = dh, për arsye se nuk shkon në harmoni me shkronjat e tjera latine.

Mjeda i kërkon Pedersenit që opinionin e tij për çështjet e alfabetit të gjuhës shqipe t‘ia dërgojë brenda kohës që ai do të qëndrojë, në kthim, në Vjenë. Prandaj i jep edhe adresën që do të ketë në Vjenë: Manastiri i Françeskanëve.

Letra e dytë e Mjedës është shkruar vetëm tetë ditë mbas së parës, por kësaj radhe në Vjenë. Pederseni, i cili është profesor universiteti aty pranë, e merr letrën brenda një dite dhe po ashtu i përgjigjet me shpejtësi. Mësojmë për letrën e Pedersenit, e cila i ka rënë në dorë Mjedës në Hamburg më 11 shtator 1902. Në këtë letër, Pederseni ka aprovuar alfabetin e Mjedës, natyrisht, me disa rezerva. Mjeda është dakord për modifikimet për karakteret e disa tingujve problematikë të shqipes, por ai kundërshton pikëpamjen e Pedersenit, i cili kishte shprehur idenë që të afrohet alfabeti i Bashkimit me disa toleranca, përdorur edhe nga Albania e Konicës. Ai ka rezerva ndaj idesë së Pedersenit për h diakritike, jo si pjesë e shkronjave binjake, por me detyrë speciale.

Poeti është kthyer në Vjenë dhe jeton në Manastirin e Françeskanëve, në Pottenstein. Atje ka qëndruar pranë albanologut çek dr. Jarnik. Edhe Pederseni paska qëndruar në Pragë pranë Jarnikut pak përpara Mjedës, të cilit i vjen keq, sepse ka humbur një rast shumë të mirë për të diskutuar me Pedersenin drejtpërdrejt. Dr. Jarnik e ka vlerësuar alfabetin e Mjedës si shumë praktik e shkencor, duke pasur rezerva vetëm për dy shkronja. Mjeda njofton se mbas 3-4 ditësh do të niset për në Shqipëri. Prandaj i jep adresën e tij në Shqipëri: Mjeda vazhdon të jetë sekretar i Ipeshkvit të Sapës. Ai e fton Pedersenin si mysafir në Nënshat dhe i thotë se është i gatshëm t‘i dalë përpara që ta presë në port. Letrën e tretë, Mjeda e shkruan nga Shkodra më 11.7.1905. Aty mësojmë se Pederseni i ka dërguar Mjedës, në muajin qershor 1905, një letër, kurse më 11 korrik 1905, Mjeda ka kaluar si famullitar i Gramshit. Pederseni ka aprovuar variantin e alfabetit të Mjedës. Poeti ynë i ka dërguar Pedersenit serinë e parë të librave shkollorë të botuar në vitin 1905, gjë që provon thënien e albanologut danez në vitin 1905.

Mjeda tregon për punën shumë të mundimshme që po bën për hartimin dhe kopjimin e teksteve shkollore. Ai ankohet se nuk ka pasur mundësi të bëjë bocat në shtyp, se kopisti e ka pasur një gjë të re, qoftë alfabetin, qoftë ortografinë e përdorur, në këto libra. Gjithashtu shtypja është bërë me ngut të madh. Këto gjëra kanë bërë që librat të kenë shumë gabime. Albanologu ynë ankohet për Shkodrën, që kishte përfunduar në një grumbull gërmadhash, por shpreson që punët të vihen në vijë dhe atëherë qytetit do t‘i kthehej lavdia e dikurshme. Poeti e njofton se i vëllai, Lazër Mjeda, është bërë arqipeshkvi i Shkodrës, prandaj edhe e fton më lirisht në Shkodër. Mjeda ngul këmbë me njerzillëk që Pederseni të vijë si mysafir i tij në Shqipëri, sepse kështu do të diskutojnë më lirshëm për problemet e ortografisë shqipe, të cilat e shqetësojnë aq shumë. Mjeda ka ndër mend t‘i propozojë Pedersenit disa variante ortografike të gjuhës shqipe. Kujtojmë se kështu ka nxitur, para 10 vitesh, Gustav Meyer-in, të cilin e kishte ndihmuar me tekste gege e arsyetime të vlefshme rreth ortografisë së gjuhës shqipe. Mjeda synonte që të nxiste gjuhëtarët e huaj të merreshin me problemet e gjuhës shqipe. Dihet se Pederseni kishte orientim drejt gjuhës Kelte, kurse Mjeda synonte t‘ia kthente vëmendjen ndaj shqipes. Për herë të parë, Mjeda flet vetë për misionin që i kishte caktuar vetes që të punonte në fushën e bujqësisë për ta modernizuar atë, duke projektuar kështu edhe transformimin e fshatit shqiptar, modernizimin dhe progresit mjedisor në një fushë të begatë si Zadrima. Në letrën e katërt, shkruar nga Mjeda, nga Kukli, më 1 qershor 1906, sqarohet se poeti është stabilizuar në Kukel që në muajin maj të vitit 1906 dhe që nga ajo kohë ka filluar ndërtimin e qelës së famshme të re famullitare, ndërtesë ku shkroi kryeveprat e letërsisë shqipe, që është edhe sot. Me këtë rast i dërgon Pedersenit edhe adresën e re, në rezidencën arqipeshkopale në Shkodër, atje jeton vëllai i tij, Lazër Mjeda. Pederseni tregon interes për gjuhëtarin shqiptar, Andrea Miedia, gjë që shihet nga se i dërgon tre botimet e tij të fundit së bashku me një letër shoqëruese. Mësojmë se letra në fjalë e Pedersenit, nga Kopenhageni ka shkuar në Stamboll e prej aty është kthyer në dorë të Mjedës në Shkodër. Mjeda e njofton Pedersenin se librat shkollorë që ka dërguar në shtyp nuk janë pesë si i ka shkruar një vit më parë, por gjashtë. Dhe dërgon listën e titujve, duke i premtuar se sapo të dalin nga shtypi do t‘ia postojë kopjet. Poeti ynë ankohet se ka aq shumë punë, saqë nuk arrin të lexojë Meyer-in dhe as Rossin. Ndërkohë jep disa mendime për gabime e harresa që kanë ndodhur në fjalorët e tyre. Si njohës i mirë i dialekteve gege, Mjeda e siguron Pedersenin se fjala Sinzë që gjendet në fjalorin e Rossit nuk njihet nga dialektet gege, por kjo duhet të jetë gabim shtypi, Kẽzë që duhet me kie, me krasitë degët. Në letrën e pestë, që Mjeda e shkruan nga Shkodra në vitin 1934, bie në sy se pas një ndërprerjeje disavjeçare, kemi një rifillim të letërkëmbimit Mjeda-Pedersen. Kjo ka ndodhur kur Mjeda botoi në Shkodër, broshurën e tij Vërejtje mbi artikuj e premna të gjuhës shqipe(1934). Me këtë rast, Mjeda, u kujtua për mikun e tij, Pedersenin, të cilit i dërgoi një kopje, shoqëruar me një letër, të cilën nuk e njohim ende. Pederseni i ktheu përgjigje, duke i bërë lëvdata Mjedës për librin e tij, në një letër që Mjeda e përmend por që gjithashtu, ne nuk e njohim ende. Vetë Pederseni ishte pionier në fushën e studimit të artikujve e përemrave pronorë të shqipes. Mjeda i ktheu përgjigje me këtë letër, pavarësisht se është pa datë, mendojmë se duhet t‘i takojë vitit 1934. Mjeda e falënderon Pedersenin, i cili ka punuar për gjysmë shekulli për studimin e gjuhës shqipe, gjë për të cilën, emri i tij do mbetet për jetë në zemrën e çdo shqiptari. Ai diskuton me Pedersenin lidhur me përemrat e shkurtuar dhe emëroren e emrave në gjuhën shqipe si një rasë e papërcaktuar. Ai kritikon Skok për gabimet e shumta të tij, veçanërisht në shpjegimin e gjinores shumës përmes formave sllave. Mjeda bën analiza të holla në këto fusha dhe kërkon mendimin e Pedersenit lidhur me to.

Kurse letra e fundit shkruhet nga Mjeda vetëm katër muaj para se të vdiste, më 26 mars 1937. Poeti ka mësuar se më 3 mars 1937 është përkujtuar me një akademi ndërkombëtare 70-vjetori i lindjes së Pedersenit. Mbasi mëson për këtë ngjarje, Mjeda dërgon urimet e rastit. Mjeda vlerëson kontributin e madh të Pedersenit për njohjen e gjuhës shqipe. Poeti ynë rindez në këtë letër, problemin e ditës së tij të lindjes. Ka pasur shumë diskutime, por Mark Gurakuqi, gjeti dokumentin e lindjes dhe kështu data e lindjes së Mjedës u fiksua më 20 nëntor 1866. Tani vetë Mjeda e rihap diskutimin, duke caktuar një datë tjetër: 19 nëntorin. Kjo datë gjendet edhe në disa regjistrime të tjera të Mjedës në shkollat jashtë vendit. Përfundimisht mendojmë se të dhënat që arrijnë te ne nga këto letra të shkruara një shekull më parë nga albanologu i jonë i shquar Ndre Mjeda, do të sjellin zhvillime të rëndësishme në disa fusha të albanologjisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›