E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arian Çani: Nuk kam fare xhaxha, kam vetëm 2 halla

Në faqet e të përditshmes “Dita” është botuar dje letra e një zotërie me emrin Namik Çani, i cili prezantohej në të si xhaxhai i moderatorit të njohur Arian Çani. Letra vinte si një kritikë ndaj gazetarit, për përkrahjen që sipas autorit të saj, ‘nipi i tij’ (Ariani) po i bën kryeministrit Berisha. Por vetë moderatori dhe autori i “Zonë e Lirë”, i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, mohon prezencën e një xhaxhai në jetën e tij. “Këto janë falanga të Edi Ramës. Unë nuk kam xhaxha, kam vetëm dy halla. Janë mjaftuar me mbiemrin Çani dhe ma kanë bërë xhaxha zotërinë në fjalë”, ka përfunduar gazetari. Gjatë javës së shkuar kryeministri Sali Berisha u ul për herë të parë në studion e “Zonë e Lirë”, ku u kthehu përgjigje pyetjeve të Çanit, për jetën dhe karrierën politike.
Letra
I dashur Nipçe,
Të shkruaj nga Saranda, unë xhaxhai tënd, që të kam dashur dhe të dua shumë, njësoj si fëmijët e mi. Unë krenohesha me ti, mor i dashur Arjan, jo vetëm unë, por gjithë familja e fisi tonë në fshatin Mashkullorë e kudo ku jetojnë e punojnë me punë të pastër e të ndershme, krenoheshim për emisionin tënd aq shumë popullor “Zona e Lirë”. Por çfarë të shtiu që të bëheshe shërbëtor i Berishës, njeriut të urryer që aq shumë dëme, e krime i ka bërë Shqipërisë e popullit shqiptar? Çfarë të shtiu që u fute në politikë, kur s’merr vesh nga politika! Ne nuk na lidh asgjë me Berishën e sojin e sorollopin e tij, përkundrazi jemi kundërshtarë të tij për gjithë ato mynxyra që i ka shkaktuar këtij populli. Po çfarë thotë ai i nëmur për luftën dhe dëshmorët a e ke dëgjuar ti? Ti e di, mor i dashur nipçe, që në rrethin tonë familjar kemi tetë dëshmorë të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Babai dhe Dajua i babait tënd, katër xhaxhallarë të babait tënd, dy kushërinj të parë, Ali Çani 19-vjeç, partizan i brigadës së gjashtë sulmuese, i cili u vra në Borsh të Sarandës dhe vëllai i tij, Riza Çani, që u vra në luftën e Labinotit në Elbasan. Nuk mjafton gjithë kjo gjakderdhje? Po ti e di edhe çfarë lidhje ka Berisha e Lul Basha me vrasjen në mes të bulevardit në 21 janar të Ziver Veizit, kushëririt tënd, ose nipin e babait tënd, i cili qëndronte me duar në xhepa e shikonte me habi Kryeministrinë, se nuk e kishte parë ndonjëherë?! Ti, mor i dashur nipçe, ke një familje të mrekullueshme. Babai tënd mbeti jetim në moshën 2-vjeç, u rrit me vështirësi, vazhdoi shkollën “Skënderbe” dhe Shkollën e Bashkuar dhe doli oficer. Punoi me devotshmëri dhe arriti deri në komandant prapavije i divizionit të Delvinës. Mamaja jote punoi arsimtare në Gjirokastër e Përmet dhe për punën e saj të përkushtuar është dekoruar nga presidiumi i Kuvendit Popullor. Vëllai tënd, më i vogël është intelektual i shquar, punon me përkushtim e pastërti dhe zotëron shtatë gjuhë të huaja, ne mburremi me të. Pse i harrove gjithë këto, pse u shkëpute ideologjikisht nga trungu jonë familjar? Mendohem unë, ditë e natë dhe nuk gjej asnjë shkak për qëndrimin tënd kaq të neveritshëm. Të kam bërë thirrje vazhdimisht që të ndryshosh rrugën që ke marrë, por nuk më ke dëgjuar, përsëri si xhaxha i dhembshur të bëj thirrje: Ndrysho qëndrim, të presim në familjen tonë të përbashkët. Ky është edhe mendimi i prindërve të tu.
Përshëndetje xhaxhai yt që të do me shpirt!
Namik Çani – Sarandë 

(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›