Arifi - Çitaku: Bashkëpunimi, rruga e vetme në BE

Zëvendëskryeministrja për eurointegrime e Maqedonisë, Teuta Arifi dhe ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, theksuan sot në Prishtinë se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme për në BE. Takimi u përqendrua në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit rreth procesit të integrimit evropian.
Ministrja Çitaku tha se e ardhmja e Ballkanit perëndimorë është në BE dhe se bashkëpunimi rajonal është rruga e vetme drejt BE-së. Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha shtetet fqinje duke përfshire edhe Serbinë, por Serbia duhet të këtë të qarte se nuk mundet me njërën këmbë në BE dhe tjetrën në Mitrovicë.
Ministrja Çitaku theksoi se “liberalizimi është prioritet i qeverisë së Kosovës dhe se ne jemi të bindur që shumë shpejt Kosova do të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.”Nga ana e saj Zv. kryeministrja Arifi tha se është “shumë e inkurajuar me progresin e madh që ka bërë Kosova në rrugën e saj drejt BE-së, dhe shprehu gatishmërinë që shteti i Maqedonisë të ofrojë mbështetje në fusha të ndryshme, sidomos me eksperiencën e saj në procesin e integrimi Europian pasi Maqedonia është ndër vendet e para të rajonit që ka pranuar statusin e vendit kandidat”.
Teuta Arifi nënvizoi se zgjidhja e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do ti hapte rrugë avancimit në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë. Ministrja Çitaku shprehu kënaqësinë për zhvillimet ne raport mes dy vendeve të cilat janë në proces të thellimit dhe forcimit të mëtejmë, si dhe në nevojën për identifikimin e hapësirës për intensifikimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve.