Arifi: Incidentet në Maqedoni nuk duhet nënçmuar
Zëvendëskryeministrja Arifi, e pyetur për incidente e fundit në Maqedoni dhe mundësin e tërheqjes së partisë së saj nga koalicioni, ka thënë se këto incidente nuk duhet të minimizohen dhe të nënçmohen.
“Do doja të them që çdo lloj zhvillimi incidental, sa i përket marrëdhënieve ndëretnike flet edhe njëherë për fragjilitetin që ka çdo shoqëri multietnike, përfshi edhe shoqëria jonë atje dhe flet, edhe njëherë që këto raste nuk duhet të minimizohen dhe të nënçmohen. Për këtë arsye BDI dhe Qeveria kanë treguar angazhim maksimal institucional që të bëjnë punën e tyre, që këto raste mos të keqpërdoren për arsye të ndryshme”, ka thënë Arifi.
Po ashtu, ajo ka shtuar se marrëveshja e Ohrit është bazamenti kryesor që jep garanca për një shoqëri, jo vetëm harmonike, por që do të vazhdonte të ishte në vazhdimësi me vlerat euroatlantike.
E pyetur për reagimin e zbehët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj shqiptare pas incidenteve në Maqedoni, Arifi ka thënë se si Qeveria e Kosovës edhe ajo shqiptare kanë bërë reagime gjithmonë tejet korrekte duke njohur realitetin rajonal.
“Qeveria e Kosovës dhe ajo shqiptare kanë bërë reagime gjithmonë tejet korrekte duke njohur realitetin rajonal dhe duke e njohur faktin shumë të rëndësishëm që shqiptarët në Maqedoni janë faktorë i rëndësishëm që di të bartë përgjegjësi për vete dhe për qytetarët në përgjithësi. Dëshiroj të vlerësoj gjithë reagimin dhe rolin konstruktiv që kanë treguar qeveritë në të dy krahët, nëse mund të them ashtu, dhe linjën apo inspirimin euroatlantik që kanë dhënë dhe seriozitetin që janë qasur dhe vazhdojnë t’i qasen cilado qoftë situate”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, ministrja e Integrimeve të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se Qeveri e Kosovës dhe gjithë institucionet e saj kanë qenë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e Maqedonisë, sidomos me lidershipin shqiptar, duke i përcjell zhvillimet e fundit në qytete të ndryshme të Maqedonisë.
Ministrja ka theksuar se ruajtja e stabilitetit në Maqedoni është në interes të Kosovës, por siç ka thënë ajo ky stabilitet nuk duhet të kaloj përmes shtypjes së shqiptarëve.
“Ne jetojmë në epokën e ndërmarrësisë, ku zhvillimet kanë reflektime automatikisht në shtetin tjetër. Është interes i Kosovës ruajtja e stabilitetit në Maqedoni, por ky stabilitet nuk duhet të kalojë përmes shtypjes së shqiptarëve, por përmes implementimit të pikë përpikshëm të marrëveshjes së Ohrit, e cila përmban në vete vlerat dhe bazamentet e një marrëveshje evropiane”, ka thënë ministrja Çitaku.
Ndërsa duke folur për procesin e integrimit, ministrja Çitaku ka thënë se procesi i integrimit evropian është proces i përbashkët i tërë rajonit.
“Kosova dhe Maqedonia kanë një qëllim t ë përbashkët, ai është integrimi në strukturat e BE-së. Ne e kemi kuptuar këtë si një dinamikë të brendshme, si një proces përmes të cilit implementohen vlerat dhe standardet evropiane”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeministrja Arifi e cila po qëndron për vizitë në Kosovë ka takuar edhe kryenegociatoren e Kosovës, Edita Tahiri dhe pritet të zhvilloj një takim edhe me kryekuvendarin e Kosovës, Jakup Krasniqi. /kosovapress/