Arinç mbetet pa fjalë në Prekaz
(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bylent Arinç me bashkëpunëtorë si dhe ministri i Qeverisë së Kosovës, Mahir Jagxhillar, kanë vizituar të enjten Prekazin, me ç’rast para varrit të legjendarit Adem Jashari ka bërë homazhe dhe lutje fetare.
Pas vizitës në Prekaz, zëvendëskryeministri Arinç, dukshëm i emocionuar nga tërë ajo që pa dhe dëgjoi, nuk ka dashur të prononcohet për media.
Megjithatë, ai tha shkurt se “dje vizituam vendin e flijimit, Tyrben e Sulltan Muratit, të mbretit të një Perandorie, kurse sot vendin e flijimit të mbretit të gjithë botës liridashëse, andaj njeriu këtu edhe mund të mbetet pa fjalë”.
Ndërkaq, Murat Jashari u shpreh të jetë i kënaqur për vizitën e delegacionit të lartë të shtetit mik turk, duke lavdëruar rolin e Turqisë në përkrahje të Kosovës.
“Nëse kihet parasysh pozita gjeografike, Kosova është një vend interesant për fuqitë e mëdha, andaj edhe për Turqinë, e cila u gjend në krah të Kosovës duke luajtur rol kyç”, tha Jashari.
Arinç: Njohjet e reja, në interes të mbarë rajonit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të enjten zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Bylent Arınç. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha sferat.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit, njoftohet se kryeministri Thaçi ka falënderuar zëvendëskryeministrin Arınç për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e pavarësimit dhe tani në procesin e zhvillimit të gjithëmbarshëm dhe të njohjeve të reja.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Turqisë, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe atë të kulturës.
Kryeministri Thaçi në takim ka njoftuar Arınç për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë vendime legjitime, kushtetuese dhe mbi të gjitha vendime që i kanë dhënë fund kontrabandës dhe krimit të organizuar, që ka mbizotëruar tash e 12 vite në pjesën veriore të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdojë të kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe për të vendosur në plotëni sundimin e rendit dhe ligjit dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke shpërbërë strukturat kriminale dhe duke luftuar dukuritë tjera negative në atë pjesë të territorit të Kosovës”, u ka thënë kryeministri Thaçi dhe shtoi se duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në Bashkimin Evropian dhe për ta arritur këtë ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje, këtë kusht duhet ta plotësojnë edhe Kosova edhe Serbia.
Në takim, është diskutuar edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe rolin që ka Turqia në mbështetje të Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Bylent Arınç, pasi ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë, dhe ka theksuar ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.
“Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, ngase ky proces është në interes të mbarë rajonit”, u shpreh Arınç.
Zëvendëskryeministri Arınç në takimin me kryeministrin Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.
Në këtë drejtim ai ka theksuar se Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e Kosovës.