Filloi ndërtimi i parkingjeve në QKUK
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të enjten ka filluar ndërtimi dhe rregullimi i parkingjeve, përmes së cilave do të eliminohen tollovitë në rrugët e QKUK-së dhe në hyrje të klinikave.
Fillimin e punimeve e përuruan, dr. Ilir Tolaj, sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë dhe dr. Lulzim Emini, ud. i drejtorit ekzekutiv të QKUK-së.
Me këtë rast, Tolaj theksoi se ky projekt ka qenë njëri nga prioritetet e ministrisë për këtë vit.
“Përmes këtij projekti do të bëhet eliminimi i pranisë së automjeteve para hyrjeve të klinikave, qarkullimi zyrtar dhe i autoambulancave emergjente do të jetë më i lehtë”, theksoi ai dhe shtoi se me realizimin e këtij projekti, çdo kush që viziton QKUK-në me automjetin e tij, do ta ketë të sigurt atë.
Ai potencoi mes tjerash se mbetet ende të punohet në QKUK, por me përkrahje më të madhe të politikës dhe njerëzve vendimmarrës shumë projekte mund të realizohen.
Në anën tjetër, dr Lulzim Emin tha se ndërtimi i parkingjeve të reja pritet të përfundojë brenda 3 muajve dhe pas funksionalizmit të tyre, pritet që në tërësi të eliminohen tollovitë në hapësirat e QKUK-së.
“Me ndërtimin e parkingjeve të reja, pritet të hapet edhe hyrja e tretë, po ashtu do të ndërtohet edhe shiriti për automjete emergjente, do të rregullohet ndriçimi i jashtëm, do të ketë vëzhgim 24-orë nga kamerat, përderisa parkingjet e reja do jenë prapa klinikave”, theksoi ai.
Sipas tij, parashihet që në parkingje të ketë hapësirë për 1.400 vetura, përderisa do të investohen 300.000 euro, ndërsa parkingjet do jepen me koncesion për 3 vite.
Ai shpjegoi se QKUK-ja në vazhdimësi është ballafaquar me mbingarkesë të rrugëve dhe parkim të makinave para hyrjeve të klinikave, por për të lehtësuar komunikacionin, janë vendosur shenjat e komunikacionit dhe janë vënë kontakte me Policinë e Kosovës dhe me kompaninë e sigurimit fizik. /kp/