E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonat ekonomike jo interesante për investitorët e huaj

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 18:00

Edhe përkundër rritjes së zonave ekonomike nga ana e Qeverisë së Maqedonisë dhe thirrjeve për të investuar me kushte të volitshme në Maqedoni, prapë se prapë mungon interes i lartë në mesin e kompanive botërore.

Përveç mungesës së interesit, një goditje e radhës për vendin dhe ekonominë ishte anulimi i investimeve të paralajmëruara nga kompania koreane "Hajer dhe Trivju", e cila kishte planifikuar edhe planin e investimit për prodhime teknike dhe kompjuterike në zonën e lirë ekonomike "Bunarxhik".

Deri tani Qeveria ka hapur katër zona ekonomike: Dy zonat e lira ekonomike në Shkup- Bunarxhik 1 dhe 2, zona e lirë ekonomike në Tetovë si dhe zona ekonomike në Shtip. Ministria e Ekonomisë ka paralajmëruar edhe mundësinë e hapjes së zonave të tjera ekonomike. Prania dhe promovimi i vazhdueshëm i këtyre zonave nuk ka ndikuar në tërheqjen e interesit për investitorët e huaj.

Investimet e huaja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të kaluar kanë shënuar rënie prej 7,3 milion, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2009.

Vitin e kaluar janë realizuar rreth 120 milion euro investime të huaja. Ekspertët për çështje ekonomike kanë kërkuar që të shqyrtohet plani qeveritar për investimet e huaja, për shkak të shmangies së harxhimeve të mëdha për zonat e lira ekonomike, për promocionet e padobishme dhe për shërbimet e tjera që nuk kanë sjellë asnjë efekt për përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Akoma nuk i kanë përcaktuar si të qartë investimet e tyre të paralajmëruar edhe kompania turke Shishexham, por edhe ajo franceze për prodhimin e pjesëve të veturave "Montipe", të cilat tani për tani nuk planifikojnë Maqedoninë si destinacion për investime e tyre. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›