E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aris e Vangjeli shkatërrohen në Mynih

Edhe Kristi Vangjeli i jep fund aventurës evropiane për këtë sezon me skuadrën e tij Aris të Selanikut. Skuadra e mbrojtësit të kombëtares shqiptare është turpëruar në Mynih duke humbur me rezultatin e thellë 6-0 nga vendasit e Bayern në ndeshjen e vlefshme për Grupin F të Kupës UEFA. Sulmuesi italian Luka Toni ka shënuar katër herë në portën e potierit grek Chalkias, i cili ka qenë fajtori më i madh për humbjen e thellë me gafat e tij në tre golat e parë. Dy golat e tjerë për gjermanët janë shënuar nga Lahm dhe Lell. Humbja i ka dhënë fund aventurës së grekëve në këtë garë pasi me këtë humbje Aris renditet në vendin e katërt në grup.
Futbollisti i kombëtares shqiptare është aktivizuar për 90 minuta në këtë përballje dhe është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 32-të të ndeshjes për shkak të një ndërhyrjeje të palejueshme. Si e gjithë skuadra edhe shqiptari ka qenë në një ditë të keqe, por gjithsesi detyra e tij në këtë përballje ka qenë tejet e vështirë pasi duke qenë i pozicionuar në krahun e djathtë të mbrojtjes selanikase, ka pasur të bëjë gjatë gjithë ndeshjes me një superdriblues si Franck Ribery.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›