Messi: “Unë flas me topin”

"Nuk jam shumë elokuent, preferoj të flas me topin, shprehem kështu si jam", - thotë lojtari i dytë më i mirë i botës për vitin 2007 Lionel Mesi. Argjentinasi i Barcelonës do t'i mungojë fushave për gati pesë javë për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë. "Do të paguaja për të qenë në fushë tani", - thotë Mesi për gazetën spanjolle "El Pais". "Por për momentin më duhet të mendoj vetëm për terapinë". Mesi, 20 vjec, me tetë golat e shënuar, është edhe golashënuesi më i mirë i Barcës në kampionat.
UEFA ndëshkon Rajkardin
Një ndeshje skualifikimi më shumë për teknikun e Barcelonës, Frenk Rajkard, për protestë kundër arbitrit italian Farina gjatë ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Olimpikut të Lionit. Holandezi ishte pezulluar edhe për ndeshjen kundër Shtutgardit në takimin e fundit në fazën e grupeve dhe tani do të mungojë edhe në ndeshjen e parë të një të tetave të finaleve.
Valencia, sulm për "Bekamin e ri"
Valencia dhe Atletiko janë duke u përgatitur të bëjnë një ofertë të jashtëzakonshme për mesfushorin e avancuar të Bllekbërnit, Devid Bentlej (23 vjec). Sipas gazetës britanike "Mirror", Valencia kishte ofruar 14 milionë euro. Shumë nga ekspertët e kanë përcaktuar Bentlejin si "Bekami i ri".