Alonso: “Titulli me Reno? Do të ishte çmenduri”

"Të them se dëshiroj të kaloj te Ferrari, vetëm 15 ditë pasi kam nënshkruar me Renonë, do të ishte e padrejtë. Por, skuadrat e mëdha janë Meklaren, Uiliams dhe Ferrari, që ka fituar më shumë tituj se të gjithë. Dhe nëse një ditë do të garoj me Ferrarin, ju siguroj se do të ishte argëtuese". Fernando Alonso rrëfehet për radion e njohur spanjolle "Cadena Ser". "Titulli menjëherë me Renonë? Do të ishte cmenduri ta mendoja", - pohon me sinqeritet piloti. "Duhet të jemi realistë. Gjatë këtij viti kanë qenë shumë të ngadaltë dhe është shumë e madhe ajo që duhet të bëjnë. Megjithatë, gjithcka është e mundur, por si fillim duhet të përmirësojnë makinën". Alonso flet për arsyet që e bindin për të nënshkruar për skuderinë franceze. "Ishte një vendim i vështirë për t'u marrë pasi duhet të zgjidhja më të mirën për të ardhmen time. Zgjodha Renonë pasi ishte opsioni më i mirë për vitin 2008. Menjëherë sapo mbaroi kampionati nuk dija c'të bëja, të qëndroja te Meklaren apo jo. Në fund zgjodhëm rrugë të ndryshme. Kur lashë Meklarenin, të gjitha skuderitë e Formula 1 më dhanë propozimet e tyre", - thotë gjatë intervistës Alonso. "Edhe Ferrari? Jo, Ferrari jo", - thekson Fernando. "Dhe nëse do të thërriste Ferrari? Nuk e di. Dëshiroj një skuderi që fiton dhe nëse fitoj me Renonë nuk do të shkoj asgjëkundi".