Hafizi: “Presim gabimet e kundërshtarëve”

Tirana e vendit të katërt dhe që vjen pas katër fitoreve rresht në kampionat do të përballet në javën e 16-të të Kategorisë Superiore me skuadrën e Besës së Kavajës, me të cilin ka pësuar edhe humbjen e fundit në javën e 6-të 3-1, njëherësh edhe e para për trajnerin aktual të bardhebluve, Astrit Hafizi. Kampionët në fuqi po përgatiten seriozisht jo vetëm për të marrë revanshin, por edhe për të kaluar sipër fituesen e Kupës së Shqipërisë që ndodhet në vendin e tretë me 27 pikë. Trajneri Hafizi do të përballet pikërisht me ish-trajnerin e Tiranës në këtë fillim sezoni, Sulejman Starovën, prej të cilit trashëgoi bankinën e 23-herë kampioneve të Shqipërisë. Shkodrani e ka të qartë detyrën: "Ne do të përpiqemi të përfitojmë sa më shumë nga përballjet me kundërshtarët tanë, aq më tepër që dy javët e ardhshme na vënë përballë me Besën dhe Vllazninë. Skuadra është duke u rritur". Tirana humbi me Besën në fazën e parë në Kavajë dhe barazoi (0-0) me Vllazninë në kryeqytet. "Unë shpresoj shumë që të gabojnë edhe kundërshtarët. Kjo do të jetë në favorin tonë, ashtu sic përfituan edhe ata nga gabimet tona në fazën e parë". Tirana ndodhet në kuotën e 25 pikëve, 6 më pak se kryesuesja e kampionatit Dinamo (31).