Arjan Beqaj rikthehet pas dëmtimit
Pas afro dy javëve pushim, Arjan Beqaj është rikuperuar dhe ndjehet i gatshëm për t‘u rikthyer në fushën e lojës. Portieri i Kombëtares pritet të aktivizohet si titullar në takimin kundër Verder Bremenit, të vlefshëm për Ligën e Kampioneve. 32-vjeçari ishte dëmtuar në gishtat e dorës gjatë sfidës së luajtur në fillim të nëntorit me Interin. Për këtë arsye, ai mungoi edhe në miqësoren ku Shqipëria barazoi 1-1 mes polemikave në fushën e modestëve të Azerbajxhanit. Por, në fundjavë, Beqaj është stërvitur normalisht me pjesën tjetër të skuadrës. Me ndihmën e portierit kuqezi, Anorthosis Famagusta do të synojnë fitoren përballë Verderit, pasi këto tri pikë do t‘i siguronin kualifikimin si skuadra e renditur në vendin e dytë në Grupin B. Në takimin e parë, kampionët e Qipros barazuan pa gola në Gjermani. Një tjetër fakt interesant është se me barazimin 3-3 të arritur përballë Interit të Hoze Murinjos, Anorthosis nuk humbet në fushën e saj prej tetë takimesh në ndeshjet evropiane.