Bogdani, në formacionin më të keq
Erjon Bogdani është përfshirë në formacionin e futbollistëve që zhgënjyen me paraqitjet e tyre në javën e 13 të Serisë A. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua përgjatë gjithë 90-minutëshit në sfidën ku Kievo humbi 2-0 në fushën e saj me Sienën, megjithatë ka bërë shumë pak për të ndihmuar skuadrën e tij. Bogdani nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, edhe për shkak të mungesës së gjatë nga fushat e lojës. Mediat italiane e kanë vlerësuar me notën mesatare 4.5, prej së cilës kuqeziut iu dha një "fanellë titullari" mes 11 lojtarëve më të dobët të fundjavës. Formacioni i "Sportmediaset" e vendos "Er-Bomber" në sulm, përkrah juventinit Amauri dhe Budan. Skema 3-4-3 sheh në portë Benusin, ndërsa në mbrojtje rreshtohen Kaladze, Komoto e Domici. Mesfusha përbëhet nga Fabiano, Barone, Bombardini dhe Ariati. Për Erjon Bogdanin, i cili nuk është aktivizuar në mënyrë të vazhdueshme, kjo është hera e dytë gjatë këtij kampionati, që përfundon mes lojtarëve më të dobët të javës.