E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF, gati "furtuna" për vëzhguesit

Gjykimet - Jo për faktin se tani arbitrimet janë më të këqija se më parë, por sepse gjykimet e tyre njohin denoncime konkrete, jo më nga futbollistët apo drejtuesit e skuadrave, që në çdo rast konsiderohen si njerëz jo objektivë për shkak të konfliktit të interesit, por nga specialistët e futbollit. Madje, në rastin konkret, ai që e ka denoncuar ashpër një fakt të tillë është shefi i sektorit të Garave, Ilir Shulku, i cili, edhe pse nuk ka sulmuar aktorët kryesorë (gjyqtarët dhe ndihmësit e tyre), gishtin e ka vënë mbi vëzhguesit, që janë pjesa e pandikueshme në gjykimin e ndeshjeve, por që nuk raportojnë drejt në relacionet e tyre për atë që ndodh në fushat e lojës gjatë ndeshjeve të kampionatit shqiptar.

Denoncimi - Në çdo ndeshje, të të gjitha kategorive (edhe ato inferiore), Federata Shqiptare e Futbollit është e detyruar, që përveç katër gjyqtarëve (kryesorit, dy anësorëve dhe të katërtit), të dërgojë edhe një vëzhgues. Por këta të fundit duket se kanë përdhosur e shkelur besimin e FSHF-së, duke u bërë palë me gjyqtarët në manipulimin e fakteve rreth gjykimit të ndeshjeve përkatëse. Shulku ka akuzuar ashpër këta fundit. "Do të ketë ndëshkime edhe për vëzhguesit, të cilët shpeshherë na sjellin vlerësimet maksimale për gjykimet, megjithatë, kur shikojmë pamjet filmike, duket qartë se arbitrimi i gjyqtarëve ka qenë skandaloz dhe ka krijuar shumë probleme në fushat e lojës dhe me të drejtë, shumë kontestime nga skuadrat përkatëse", ka nënvizuar shefi i Sektorit të Garave. Për vëzhguesit, ndëshkimi do të jetë jashtëzakonisht i rëndë, madje kemi planifikuar që ai të jetë sa dyfishi i penalizimeve për vetë gjyqtarët".

Faktet - Për të ilustruar me fakte këtë denoncim të Ilir Shulkut mjafton të përmendim atë çfarë ndodhi në javën e 12 të kampionatit, e cila mund të ketë shërbyer si shfryrje për shefin të Garave: Partizani vazhdon ende pretendimet për një penallti të pa dhënë nga gjyqtari kryesor, Kridens Meta.

Ndërsa Teutës i është mohuar një penallti e qartë, e cila mund të kishte ndryshuar rezultatin, duke e kthyer në një fitore 1-0 për durrsakët. Vendimi i arbitrit është kontestuar nga lojtarët e skuadrës së Sulejman Starovës. Duke e marrë të mirëqenë faktin se lojtari i tyre mund të kishte shënuar nga pika e 11-metërshit, asaj i janë mohuar padrejtësisht edhe dy pikë, të cilat mund t‘i ngjisnin në kuotën e 19 pikëve, baras me Shkumbinin e vendit të tretë. Vetë Shulku theksoi se "ka qenë një javë e qetë nëse e krahasojmë me javët e mëparshme", por pranon në njëfarë mënyre se goli i mohuar i Miles nga anësori Mali dhe gjyqtari Latifi në Teuta-Dinamo 0-0 ka qenë i rregullt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›