E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova, aplikimi i tretë për pranimin si anëtare e FIBA-s

Federata Kosovare e Basketbollit (FBK) ka aplikuar të hënën për pranim në Federatën Botërore të Basketbollit (FIBA). Lajmi u pohua nga presidenti i FBK-së, Erolld Belegu, i cili bëri të ditur se i gjithë dokumentacioni është bërë gati dhe tashmë çdo gjë varet nga organizmi ndërkombëtar. Ai beson se ka ardhur koha, që më në fund basketbolli kosovar të pranohet në FIBA. "E kemi kompletuar dokumentacionin, por gjithsesi dëshiroj të saktësoj se ai ishte i rregullt edhe në aplikimin tonë të fundit. Fakti që po aplikojmë, na bën të besojmë dhe të shpresojmë që këtë herë do të pranohemi", deklaroi Belegu për gazetën "Express". Aplikimi i FBK-së do të shqyrtohet në mbledhjen e Bordit Qendror të FIBA-s, i cili do të zhvillohet më 6-7 dhjetor në Gjenevë të Zvicrës. Disa ditë më parë, Kosova u vizitua nga drejtori sportiv i FIBA-s, Lubomir Kotleba, dhe ai i FIBA Evropës, Kosta Iliev. Qëllimi i udhëtimit të dy zyrtarëve të lartë ishte vëzhgimi nga afër i organizimit dhe ecurisë së punës në federatë, në mënyrë që të raportojnë përparimet në mbledhjen e Bordit Qendror.

Pasi e kanë ndjekur nga afër situatën e tanishme në basketbollin e shtetit më të ri në kontinent, ata kanë dalë në përfundimin se Kosova e meriton të bëhet anëtare e këtij asociacioni. Ky fakt bën që presidenti Belegu të ndjehet edhe më optimist rreth aplikimit të tretë, të institucionit që ai drejton. Konkluzionet pozitive të dy drejtuesve të FIBA-s lënë mjaft hapësirë për të shpresuar se gjatë muajit të ardhshëm, Federata Kosovare e Basketbollit do të pranohet në arenën ndërkombëtare. "Të gjithë i dëgjuam përshtypjet e dy zyrtarëve të FIBA-s. Raporti i tyre ishte shumë pozitiv. Ata thanë se FBK nuk ka nevojë të bëjë asgjë më shumë për t‘u pranuar. Kjo është arsyeja që na bën të jemi optimistë dhe të besojmë se ndoshta ka ardhur momenti të pranohemi si anëtarë", shtoi Belegu.

Krerët e sportit të top-koshit besojnë se me përshtypjet e tyre, drejtori sportiv i FIBA-s, Lubomir Kotleba, dhe ai i FIBA Evropës, Kosta Iliev, do të "rreshtohen" përkrah Kosovës dhe ambicieve të saj, për t‘u trajtuar njësoj si vendet e tjera. Erolld Belegu shpreson që zyrtarët e lartë të shërbejnë si "krahu i djathtë" i FBK-së në punimet e Bordit Qendror, që më parë e ka refuzuar në dy raste kërkesën për anëtarësim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›