Skela, e vërteta e marrjes së bluzës së Frenk Riberisë
Mijëra fansa nga stadiumi dhe teleshikuesit që ndoqën ndeshjen nëpërmjet televizorit kanë parë një skenë shumë kurioze në Bundesligë. Ervin Skela mori bluzën e yllit të Bajern Mynih, Frenk Riberi, menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë, kur po hynin në dhomat e zhveshjes. Një gjë e tillë duket qartë edhe në foton e publikuar në faqet e së përditshmes prestigjioze gjermane "Bild". Shqiptari i Kotbuz (sipas gazetës gjermane) duket si një turist në Bundesligë, i cili ka udhëtuar drejt Mynihut si koleksionues "trofesh" (nënkupton bluzën e yllit francez)... Skela, i cili më në fund ka shënuar ndaj Bajernit golin e tij të parë në këtë sezon, rrëfeu më pas për "Bild" të vërtetën e marrjes së bluzës. "Riberi ka ardhur drejt meje në pushimin e ndeshjes", tha shqiptari. Por kjo ka një prapaskenë: Ylli i Bajernit i ishte lutur një ish-bashkëlojtari tek Olimpik Marseja për t‘i dhënë bluzën. Ai është ylli shqiptar i marsejezëve, Lorik Cana. Bluzën e Riberisë, Skela do t‘ia jepte si dhuratë (të dedikuar më parë nga Cana) shefit të Kombëtares, Ajet Zeka, (kjo sipas gjermanëve, pasi Zeka njihet thjesht si përkthyes i Ari Hanit). Skela e dinte që francezi do t‘i afrohej për t‘i dhënë bluzën. Megjithatë u befasua: "Nuk e mendoja që do ta bënte këtë në pushim të ndeshjes. E falënderova. Kurse ai më tha: ‘Asnjë problem, miku im‘".