Arjan Kane, bie akuza e trafikut
Armand Bajrami
Rrëzohet akuza e "trafikut të prostitucionit" ndaj Arjan Kanes, gjatë rigjykimit te Krimet e Rënda. Çështja e bujshme e trafikut me dy të akuzuar është kthyer në një dosje që mban vetëm akuzat e falsifikimit, duke vënë në diskutim juridiksionin e Krimeve të Rënda në këtë rast. Bëhet fjalë për Arjan Kanen dhe Fatmir Tahirin, dy persona të dënuar më parë për trafik, përkatësisht me 20 dhe 18 vjet heqje lirie. Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje rrëzimin e akuzës së "trafikimit të femrave për prostitucion" dhe "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" për Arjan Kanen dhe Fatmir Tahirin. Kërkesa u paraqit në seancën e djeshme, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare të prokurorisë. Përfaqësuesi i akuzës paraqiti përpara gjykatës konkluzionet përmbyllëse në lidhje me çështjen në ngarkim të të pandehurve Arjan Kane dhe Fatmir Tahiri. Sipas prokurorisë, provat e paraqitura gjatë shqyrtimit të dosjes në gjykatë nuk provonin fajësinë e dy të pandehurve për veprën e trafikut. Për rrjedhojë organi i akuzës, kërkoi në përfundim pafajësi të të pandehurve për këtë akuzë, ndërsa deklarimin e tyre fajtor për veprën penale të "falsifikimit të dokumenteve" dhe dënimin me 3 vjet burg për të pandehurin Kane dhe 800 mijë lekë gjobë për të pandehurin Tahiri.
Problemet me drejtësinë
"U fejua me të dhe pastaj e trafikoi drejt Italisë, ku e shfrytëzoi si prostitutë. Të njëjtën gjë ai e ka bërë edhe me dy vajza të tjera", pretendohej nga organi i akuzës për të pandehurin Arjan Kane, gjatë gjykimit të parë në Shkallën e Parë dhe në Apelin e Krimeve të Rënda. Ndërsa për të pandehurin tjetër, pretendohej se mundësonte falsifikimin e dokumenteve me të cilat udhëtonin vajzat drejt Italisë dhe pastrimin e parave të fituara nga shfrytëzimi i tyre në trotuaret e vendit fqinj. Në gjykimin e parë, sipas prokurorisë, femrat e trafikuara në periudhën 1999-2001 në këtë mënyrë ishin femrat me iniciale H.XH, L.K dhe M.D. Dy të pandehurit ishin pronarë të një kompleksi sportiv dhe të një hoteli në qytetin e Fierit. Për këtë akuzë një vendim i Gjykatës për Krimet e Rënda dënoi me 16 vjet burg Arjan Kanen.
Ekstradimi i Kanes
Me nisjen e procedimit penal në ngarkim të Arjan Kanes, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi në mungesë për të në dhjetor të 2005 masën e sigurisë "arrest me burg". Pas këtij vendimi, ai u deklarua person në kërkim dhe më 14 dhjetor 2007 u prangos nga policia italiane në Milano. Ndërsa ekstradimi i tij nga drejt Shqipërisë u bë i mundur më 27 mars të këtij viti.