E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çfarë thonin për regjimin e Enver Hoxhës shqiptarët e Amerikës Latine”

 

AFRIM IMAJ

“Sa më larg  vendlindjes, aq më i përmalluar ndjehesh për të!” Kujt më shumë se shqiptarëve të Amerikës Latinë, do t’i shkonte kjo sentencë e hershme, thotë Piro Andoni, diplomati që përfaqësoi Shqipërinë në kontinentin e largët dy dekada me radhë.Në rrëfimin e ish-ambasadorit kujtimet për bashkëkombësit që fati i degdisi në fund të botës, vijnë natyrshëm dhe me një emocion të veçantë. Njerëz të thjeshtë të mbledhur në botën e tyre me mbresat e së kaluarës, rrojnë e vdesin me ëndrrën për t’u kthyer dhe një herë në tokën e të parëve. Zemra të lënduara nga ajo që panë e përjetuan gjatë vizitës së parë në vendlindje. Shqipëria e regjimit të Enver Hoxhës, nuk paskej qenë ajo që kishin dëgjuar!  Ambasadori Andoni, si dëshmitar i kësaj metamorfoze sjell me   ngjyrime realiste dilemën dhe tronditjen shpirtërore të bashkëkombësve që prekën rishtas realitetin shqiptar, të cilin ai e njihte nga afër, por detyra ia kërkonte ta paraqiste tjetërsoj.  Gjithsesi, Andoni i ardhur në diplomaci nga profesioni i gazetarit, u përpoq ta shfrytëzonte në maksimum “oazin”, që të krijonte detyra e ambasadorit në një vend të largët, ku lajmet prej Shqipërisë vinin rrallë e “për mall”. Pikërisht në orët e qeta, pa ngarkesë takimesh e protokollesh zyrtare, ai nuk ia lejoi vetes luksin e një jete të mbushur vetëm me shëtitje e vizita turistike, por preferoi shoqërinë me bashkëkombësit dhe praninë në tubimet dhe veprimtaritë e shqiptaro-argjentinasve, të cilët e deshën dhe i deshi me shpirt. Takimet dhe bashkëbisedimet me gratë dhe burrat e këtij komuniteti, që te selia e ambasadës shqiptare në Buenos Aires, shikonin shtëpinë e përbashkët, ishin pjesa më tërheqëse e axhendës së ish-ambasadorit Andoni. Ai thotë se edhe pas kaq vitesh vazhdon t’i ruajë kontaktet me mjaft syresh... 

Zoti Piro! Në librin tuaj “Atje larg në fund të botës” shkruani ndër të tjera edhe për komunitetin e shqiptaro-argjentinasve. Cili ka qenë kontakti i parë me ta?
Në fakt kontaktin e parë, nëse mund ta quajmë kështu, me komunitetin e shqiptarëve që jeton në Amerikën Latine, e kam marrë nga kujtimet e Kujtim Myzyrit, ish-ambasadorit tonë që kishte shërbyer aty para se të shkoja unë. Çuditërisht historinë me shqiptarët e këtyre viseve të largëta ai e niste me kujtimet me bashkëkombësit tanë në Kili…
Ka pasur Shqipëria ambasadë në Kili në atë periudhë?
Ambasada shqiptare aty u hap në mitin 1973 dhe po atë vit u mbyll. Grushti i shtetit i gjeneralit Pinoçeti, u bë shkak për ta transferuar nga Santiago në Buenos Aires të Argjentinës. Ky u përjetua si një lajm i gëzuar nga të gjithë shqiptaro-argjentinasit. Ambasadori Myzyri më pati treguar se në këtë periudhë kur regjimet ushtarake jetonin kohët e tyre të arta në tërë hemisferën jugore të Amerikës Latine, shqiptarët e Argjentinës me mjetet e tyre morën përsipër transferimin e ambasadës dhe sigurimin e saj gjatë gjithë itinerarit Santiago- Buenos Aires. Nga kujtimet e Myzyrit më është fiksuar në kujtesë një fragment nga biseda e tij me presidentin Juan Domingo Peron, presidenti më popullor në vend. Gjatë një ceremonie zyrtare kur kishte rënë fjala për emigrantët e huaj, ndër të cilët shqiptarët shquheshin si entitet pa probleme, presidenti i kishte kërkuar për t’i populluar hapësirat pafund e pjellore të atij vendi me tre milionë shqiptarë. “Ne gjithsej bëhemi dy milionë”, i ishte përgjigjur ambasadori ynë. Pastaj presidenti Peroni shprehu habinë për këtë fakt të paditur dhe aty për aty shtoi jo pa kuptim “Pse kaq pak jeni? Për ju flet shumë bota”. Kështu u futa unë në shoqërinë e shqiptarëve të Amerikës Latine, kur ende nuk isha takuar me ta…
Të ndalemi pak më konkretisht në historinë e emigracionit shqiptar në Argjentinë…
Historia e emigracionit shqiptar në Argjentine nis nga fundi i shekullit të 19-të dhe arrin kulmin në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Ai përbëhet kryesisht nga emigrantë të pjesës jugore e juglindore e vendit, por ka dhe nga zona të tjera, si nga Shqipëria e Mesme, ajo e Veriut, sidomos nga Shkodra.
Koha e qëndrimit në këtë vend, detyra dhe zhvillimet brenda këtij komuniteti, të lidhur ngushtë me vendin, më shtynin të njihja më mirë jetën e tyre si dhe të ndodhesha në ngjarje e halle që mund të kishin. Kam mjaft kujtime të bukura nga kontaktet dhe veprimtaritë e përbashkëta me shqiptaro-argjentinasit, të cilët dalloheshin sidomos për dashurinë e madhe për vendlindjen…
Në librin me kujtime veçoni mbresat nga takimet me Haxhi Dervishin, ju kujtohet ndonjë ngjarje konkrete në marrëdhëniet me të?
Kam shumë kujtime nga kontaktet e bisedat me Haxhi Dervishin. Ndodhi një herë që një bandë hajdutësh u fut në shtëpinë e tij në Buenos Aires dhe ushtroi terror mbi dy pjesëtarët e familjes. Na lajmëruan menjëherë në ambasadë. Reagimi i shpejtë si trup diplomatik nëpërmjet autoriteteve zyrtare, bëri të mundur kapjen e keqbërësve dhe normalizimin e jetës në shtëpinë e Haxhi Dervishit. Ishte ky një moment që e lumturoi shumë bashkatdhetarin tonë, jo vetëm për mënyrën si u veprua për të siguruar familjen e kërcënuar seriozisht, por sidomos për faktin që kjo erdhi falë bashkëkombësve të tij. Haxhiu për një kohë të gjatë ishte kryetar i shoqatës “Skënderbeu”, e cila grumbullonte rreth vetes tërë komunitetin e shqiptaro-argjentinasve. Mbaj mënd sidomos dimensionin gjithëpërfshirës të tij, çka krijonte hapësira për të bashkuar tërësinë e shqiptarëve, që halli i kishte degdisur në ato zona të skajshme, pa ndasi politike, krahinore e regjionale…
Gjatë kohës që ju keni shërbyer në Amerikën Latine, pjesa më e madhe e shteteve të saj ka përjetuar zhvillime tronditëse. Sa ndikonte kjo në jetën e emigrantëve shqiptarë…
Komuniteti i shqiptarëve, sikundër e gjithë bashkësia e emigrantëve të tjerë, ishte pjesa më e brishtë e këtyre zhvillimeve tronditëse e kërcënuese. Për ta bërë më të qartë këtë desha të sjell një episod, që ka të bëjë me kryeredaktorin e gazetës “Liria”, e cila u botua për dy vite me radhë në spanjisht dhe shqip. Ende e kam në sy portretin e tij. E quanin Paskal Kristo. Një ditë të bukur ai u bë objekt i sulmit të skuadroneve të ushtarakëve dhe organizatës terroriste “Triple A” (Aleanca antikomuniste “Argentina”), të cilat kërkonin shpagim për denoncimin e dhunës dhe represionit antinjerëzor që “Liria” bënte me forcë në atë periudhë. Paskali falë intuitës dhe shkathtësisë mundi të kapërcejë murin e komshiut nën tutat e armëve dhe erdhi për strehim te bashkëkombësit e tij…
A ka pasur viktima ndër shqiptaro-argjentinasit gjatë diktaturës?
E thashë, pjesa e emigrantëve shqiptarë, si gjithë bashkësia e të huajve të tjerë, ishte pjesa më e ekspozuar përballë represionit të diktaturës dhe të agresivitetit të shtetit diktatorial. Më ka treguar vetë njëri nga bashkatdhetarët tanë për një histori të tillë. Vetëm pse ishte shqiptar dhe nuk e mohonte këtë asnjëherë, Sadik Bleta u burgos e torturua barbarisht në qelitë e errëta për muaj me radhë. Çfarë nuk i bënë xhelatët, duke e mbajtur për orë me radhë në ujë me akull në mes të dimrit, por në asnjë rast nuk mundën ta shtypnin shpirtin e tij rebel. “Unë jam shqiptar dhe jam krenar që i përkas kombit tim!”, këto ishin falët e tij nga fillimi në fund. Në vitet e fundit të jetës, Sadik Bleta, i dobësuar dhe i sëmurë rëndë nga vuajtjet, pasi i mblodhi të tre fëmijët u la këtë amanet: “Unë do vdes, por ju do më plotësoni dëshirën për të më varrosur në fshatin tim, në Vërnik! Ishte ky një amanet që u realizua vetëm pas viteve ‘90 kur Shqipëria mundi të dalë nga bunkeri komunist. Dy vajzat e tij të njohura e të respektuara nga gjithë komuniteti shqiptaro-argjentinasve, pas shumë mundimeve i sollën eshtrat e të atit te këmbët e malit të Çipinit e të BOGONICES në Kurvelesh të Vlorës. Unë kam pasur rastin t’i takoj disa herë vajzat e Sadikut dhe sa herë i kujtoj i kam parasysh si dy copa stralli shqiptar në Argjentinë. Janë vërtet dy atdhetare të flakta dhe në çdo kohë punojnë e jetojnë si të jenë në Shqipëri. Raste si ky i familjes së Sadik Bletës, ka me dhjetëra. Sa herë marrë penën për të shkruar për këta bashkëpatriotë, që fati i ka degdisur atje larg, para syve më lëvizin portretet e qindra prej tyre, njeri me interesant se tjetri, por të gjithë të bashkuar në një pikë: Te malli për vendin, te dashuria dhe atdhetarizmi i zjarrtë.
Ju keni qenë me seli në Argjentinë, ndërkohë që mbulonit të gjitha vendet e Amerikës Latine. Sa ndjehej komuniteti shqiptar në shtetet e tjera të rajonit?
Më qëlloi që në Brazil të takohesha me shqiptarët qysh ditën e parë të zbritjes aty. Teksa shkoja për ceremoninë e paraqitjes së kredencialeve, në aeroportin e San Paolos, më rrethuan disa burra të veshur thjesht dhe ndonjëri mbante në kokë takije, (kapele si e myzeqarëve). Më thanë se kishin dalë për të më takuar se donin të dinin më shumë për atdheun e tyre, por edhe për të mundësuar futjen e tyre në Shqipëri. Në një kontinent tjetër, aty prapa diellit, siç thoshin ata, as emri nuk i dëgjohej atdheut të tyre. Dukeshin që ishin të malluar, të preokupuar për njerëzit që kishin lënë pas. Bisedova me ta thjesht e shtruar pa u bërë ndonjë premtim për kthimin në atdhe. Bëra me ta dhe një fotografi. Pasi u mënjava pak, një burrë i dobët me një fytyrë fisnike më tha si me pak ndrojtje: “Ata janë nga shqiptarët të arratisur para disa vitesh, por janë burra të mire”. Pastaj mu prezantua. Ishte Ludovik Deda, njëri nga të afërmit e artistit të madh Ferdinand Deda, me të cilin njihesha që nga koha kur punonim bashkë në Radio–Tirana. Sidoqoftë, e ruajta fotografinë me këta burra të lënduar pa e publikuar dhe u ndjeva mirë më vonë kur mora vesh, që këta burra të mirë nuk kishin të bënin fare me tradhtinë me të cilën i akuzonte sistemi komunist i Shqipërisë.
Në Amerikën Latine janë strehuar mjaft nga të kërkuarit e regjimit komunist shqiptar. A keni pasur takime me ta dhe çfarë marrëdhëniesh ruanin ata me njerëzit e tyre në vendlindje?
Mërgata shqiptare në Amerikën Latine ka qenë e ndarë në disa kategori. E para që kishte mbërritur aty i përkiste të dëbuarit nga regjimi i monarkisë zogiste. Të tjerët kishin shkuar gjatë viteve të luftës. Kishte dhe nga ata që ishin gjendur aty pasi ishin arratisur nga Shqipëria në vitet e komunizmit. Interesante ishte mënyra si harmonizoheshin me njëra-tjetrën të gjitha këto kategori. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, agjenturat e huaja dhe ato kuislingët kishin mbërritur deri në Argjentinë dhe kishin kërkuar energjikisht që komuniteti i shqiptarëve të rreshtohej me okupatorin, që kishte pushtuar vendin. Shoqëria patriotike “Skënderbeu”, e vetmja organizatë shqiptare atje, nuk u lëkund për asnjë moment përballë kësaj oferte dhe u angazhua totalisht në krahun e mbështetjes së Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare….
Po pjesa e emigrantëve familjarët e të cilëve i përndoqi regjimi komunist në Shqipëri si reagonin?
Për mua kanë qenë impresionuese dhe te paharrueshme qëndrimet e mjaft emigrantëve që pushteti komunist u kishte vrare njerezit e afert, por ata në asnjë rast nuk u lëkundën në dashurinë e tyre për vendlindjen dhe tokën amë. Me atë filozofinë e tyre të thjeshtë ata ishin në gjendje të bënin dallimet midis regjimit dhe vendit të tyre, ndërkohë që e ruanin me fanatizëm miqësinë me njëri-tjetrin. Kam pasur rastin të njihem me mjaft syresh. Elena  Serasini, ishte nga fshati Lezos i Sarandës. Regjimi komunist i kishte pushkatuar babin, një burrë të shquar nacionalist e patriot. Vëllezërit e saj ishin internuar diku në Lushnje. Kjo grua e kulturuar, profesore e gjuhës frënge, nuk mundi të përballonte gjendjen dhe gjeti si mjet për t’u futur në Shqipëri si turiste franceze. Vetëm kjo i vlejti të merrte vesh se vellezërit e saj ishin gjallë diku në Myzeqe. Pavarësisht kësaj tragjedie. Elena e donte dhe e adhuronte atdheun e saj. Mbaj mënd që kur u kthye nga Shqipëria zgjodhi nga krijimtaria e Isamil  Kadaresë romanin “Dasma” dhe pasi e përktheu e botoi me shpenzimet e saj.
Ka pasur raste të tjera të kësaj natyre?
Ka qenë një rast tjetër, i cili i përket një burri të fortë nga Pogradeci me emrin Piqon. Ishte arratisur një natë dhjetori  vetëm e vetëm për t’i shpëtuar prangave të njerëzve të sigurimit të cilët kishin sajuar shpifje e trillime absurde. Një ditë teksa u ndodh vetëm për vetëm me mua, akoma pa u njohur me historinë e tij me tha: “Do kthehem në Shqipëri, më burgosni, më vrisni po deshët, po më përpara lirmëni të shof dhe një herë të 4 djemtë e mi. Më të voglin e lashë 4 vjeç. Tani është 24”. Përpilova një raport dhe ia nisa direkt presidentit të vendit, Ramiz Alia. Kërkesa e Piqonit u mor parasysh dhe ai pas disa peripecive mundi të kthehej ne vendin e tij. Ka qenë një tjetër nga Mirdita me emrin Lek Përlika. Një burrë i qetë, i cili u arratis pasi aty afër ku kryente shërbimin ushtarak u dogj një central elektrik. Leka, nga frika se do ta bënin atë fajtor për faktin se kishte  biografi “të keqe” u arratis dhe përfundoi në Agjentinë. Jetonte i vetëm, i ndarë nga shqiptarët, të cilët nuk e pranonin në shoqërinë e tyre meqenëse ishte i arratisur. I vetmi që e shoqëronte ishte një farë Vasilio nga Korça. Me propozimin tonë  komiteti drejtues i shoqërisë patriotike “Skënderbeu” e pranoi dhe Leka e ndjeu veten më të qetë.
Sidoqoftë, regjimi i Enver Hoxhës këtë kategori e mbante në shënjestër…
Ata nuk e dinin dhe nuk kishin si ta dinin mekanizmin represiv të diktaturës dhe kur vinte puna te natyra e regjimit ose heshtnin ose nuk harronin për ta lavdëruar. Nuk kishin pothuajse fare kontakte me realitetin shqiptar…
Folët pak më parë për vajza dhe gra shqiptare që ishin pjesë e këtij komuniteti…
Ka pasur shumë të tilla. Madje shoqata e komunitetit shqiptaro-argjentinas kishte shumë aktiviste nga radhët e tyre. Kështu për shembull Neziha Kalikulla, Sofia Rrapi, Elena Serasini dhe mjaft të tjera ishin ndër veprimtaret e zjarrta të organizatës së komunitetit……
Ndonjë mbresë të veçantë…
Nga nja fshat i Himarës, Qeparo, një burrë i shquar e tregtar i suksesshëm, vendosi të vinte në Shqipëri për të bërë kontratë për shitjen e kromit. Por motivi që e shtynte më shumë ishte të shkonte dhe një herë në fshatin ku kishte lindur, e siç thoshte vetë, në vendin ku e hidhnin vallen me gju. Erdhi, por administrata burokratike e politizuar e asaj kohe e la tri ditë vetëm në hotel “Dajti” dhe pastaj me një korrier e njoftoi se duhet të kthehej në Argjentinë se pala jone nuk kishte interes për çka ai kërkonte. Përmbledhtas do të thosha se shqiptaro-argjentinasit, kane një histori të madhe dhe njerëz të shquar si Bajram Veizi, Haxhi Dervishi, Sadik Bleta, Roberto Rahman, Teki Ramadani e shumë e shumë të tjerë, të cilet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe transmetimin te brezat e rinj të vlerave dhe tipareve tona kombëtare…

Andoni: Sa na kushtoi dokumenti i CIA-s që morëm në ambasadën e SHBA-së
“Letra sekrete e CIA-s për Shqipërinë, ishte nga ato dokumente të rëndësishme agjenturore, që sigurohen me vështirësi dhe me shuma të jashtëzakonshme. Ne e hodhëm në dorë vetëm me mirëbesim dhe solidaritet shoqëror...” E rrallë në llojin e vet historia e rrëmbimit të shkresës “Top sekret” nga arkivi i Ambasadës amerikane në Buenos Aires, ka qenë e çuditshme edhe në aspektin e “kostos”, që është dashur për ta siguruar. “Letra sekrete për Shqipërinë, ishte nga ato dokumente të rëndësishme agjenturore, që sigurohen me vështirësi dhe me shuma të jashtëzakonshme, thotë për gazetën “Panorama” diplomati Andoni. “Ne e hodhëm në dorë vetëm me mirëbesim dhe solidaritet njerzëor” shprehet ai duke shtuar se i gjithë operacioni për rrëmbimin e këtij dokumenti misterioz ka kushtuar gjithsej një arkë me verë “Përmeti”, dy shishe “whisky” dhe një bust të vogël të Skënderbeut. Duke hedhur poshtë hamendësimet e dëgjuara për shpenzimin e miliona dollarëve për këtë mision me natyrë spiunazhi, ish-diplomati të cilit detyra ia kërkoi të dalë për një moment nga profili i shërbimit të tij, sqaron se gjithçka është realizuar falë miqësisë së sinqertë dhe përpjekjeve shoqërore, që në asnjë rast nuk kërkuan shpërblim për kontributin e ofruar në këtë çështje. Sidoqoftë, nga tërë kjo ngjarje plot mister e të papritura, ambasadori Andoni ka peng mënyrën tinëzare të punonjëse të policisë së fshehtë, të cilët disa vite më vonë nisën hetimet për abuzimet e mundshme në këtë operacion për të cilin shteti shqiptar nuk harxhoi asnjë dollar...

Mbledhja e fshehtë e Byrosë Politike:Letra e CIA-s, komploti i Mehmet Shehut
Ka qenë nëntori i vitit 1986, kur Byroja Politike e thirrur me urgjencë nga Ramiz Alia u njoh me dokumentin e CIA-s për Shqipërinë. Ambasadori Andoni thotë se është njohur në frymën e atij diskutimi nga biseda me Reiz Malilen, i cili pikërisht pas kësaj mbledhje e ka thirrur dhe i ka transmetuar vlerësimet pozitive të udhëheqjes së lartë për misionin e vështirë nëpërmjet të cilit u sigurua dokumenti “Top sekret” në Buenos Aires. As më shumë dhe as më pak Ramiz Alia dhe liderët e tjerë politikw e   vlerësuan letrën e CIA-s konfirmim të “tablosë sinoptike” që Enver Hoxha kishte bërë më herët për komplotin e Mehmet Shehut me destinacion rrënimin përfundimtar të pushtetit politik në Shqipëri. I mbwrritur me urgjencë nga Argjentina në zyrën e ministrit të Jashtëm, dokumenti i CIA-s u bë menjëherë objekt diskutimi për lidershipin komunist. Ministri Malile që u njoh i pari me përmbajtjen e tij, pasi shprehu rezervat për autenticitetin e materialit zyrtar, i tha Andonit se po të ishte e vërtetë ajo çka shkruhej në atë letër me logo amerikane, shuheshin shumë dyshime dhe hamendje në lidhje me të vërtetën dhe misterin që kishte mbuluar vdekjen e ish-kryeministrit Shehu, pavarësisht se zyrtarisht akuzat mbi të kishin qenë të pakursyera. Që këtej ministri Malile ka përgatitur raportin për kreun e vendit Ramiz Alia dhe bashkë me dokumentin e rrallë është paraqitur në mbledhjen e Byrosë Politike. Në përfundim të diskutimit në forumin e lartë të Partisë, është vendosur që ajo shkresë të sigurohej në fondin e dokumentacionit të rëndësisë së veçantë dhe të klasifikohej “Tepër sekret”. Me mbylljen e diskutimit të fshehtë në Byronë Politike, ministri i Jashtëm Reiz Malile thirri sërish në zyrë ambasadorin Andoni dhe i transmetoi atij falënderimet e udhëheqjes së lartë për detyrën e kryer në interes të popullit dhe të atdheut. “Ky ishte një shpërblim jo i vogël për mua në atë kohë”, shton Andoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›