Tre persona me heroinë e hashash
Tiranë - Antidroga e kryeqytetit në një aksion blic ka arrestuar dje tre të rinjtë, të cilët janë kapur me doza heroine dhe hashashi në zona të ndryshme të Tiranës. Burime nga policia thanë se fillimisht janë arrestuar në zonën e njohur si "Rrapi i Treshit", në afërsi të Tufinës, Astrit Beka dhe Alban Shahini. Pas kontrolleve që janë ushtruar në makinë dhe në shtëpitë e tyre, u është gjetur në total sasia prej 20 gramë pluhur i dyshuar si heroinë. Dy të rinjtë mbaheshin prej disa javësh nën vëzhgim nga oficerët e Antidrogës, pasi kishin informacione se shpërndanin doza heroine në zonën e Kinostudios dhe vendit të quajtur "Kafja e Rremës". Ndërkohë disa orë më pas, në një tjetër aksion blic, oficerët kundër narkotikëve, arrestuan në afërsi të "Zogut të Zi", Benjamin Selishtën, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik që është ushtruar ndaj tij, iu gjet rreth 150 gramë bimë narkotike. Edhe për Selishtën, policia e Tiranës kishte siguruar informacione që merrej me shpërndarje të bimëve narkotike në kryeqytet, që dyshohej se e sillte nga Durrësi. Ndërkohë aktualisht policia është vënë në ndjekje të bashkëpunëtorëve të tij në Tiranë dhe po hetohen lidhjet që ai kishte vendosur për të shitur bimën narkotike.