E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thahet Selita, Tirana vuan për ujë te pijshëm

Situata është më e vështirë në zonat që furnizohen nga Selita, pasi prurjet nga ky burim janë më shumë se përgjysmuar. Ndërkohë, ndërmarrja e Ujësjellësit, për të normalizuar situatën ka hedhur në rrjet ujin e Bovillës 

TIRANE-Banorët e Tiranës thahen për ujë të pijshëm. Situata është më e vështirë në zonat që furnizohen nga Selita, pasi prurjet nga ky burim janë më shumë se përgjysmuar. Zonat janë ato që furnizohen nga ujëmbledhësi i Selitës dhe Shënmrisë. Zyrtarët e Ujësjellësit sqarojnë se, mungesa e reshjeve për një periudhë të zgjatur ka sjellë ulje të presionit në rrjet dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Rëniet e ndjeshme të prurjeve të ujit në Selitë dhe Shënmëri, që aktualisht janë rreth 300 metër kub/sekondë, nga 800 që janë në situate normale, kanë detyruar specialistët që këto humbje t’i kompensojnë me ujin që vjen nga Bovilla. Aktualisht niveli i ujëmbledhësit në Bovillë është 316 metër kub. Por, edhe këtu ka pasur probleme, pasi janë shembur dherash në një pjesë të liqenit dhe pritet që së shpejti të nisë puna për stabilizimin e situatës, por që ky problem ka bërë që niveli i ujit të ulet me 2 metra. Zyrtarët e lartë të Ujësjellësit sqarojnë se edhe nëse nuk do të kemi reshje shiu, Tirana do të ketë furnizim me ujë deri në dhjetor, por me ndërprerje. Ndërkohë që në këtë situatë, shitja e ujit në Tiranë është kthyer në një biznes fitimprurës, pasi prej një jave shumë zona të kryeqytetit furnizohen pak ose aspak me ujë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›