Arjen Roben, sërish në dyshim, Holanda kërkon fitoren e dytë
Mesfushori holandez, Arjen Roben, është stërvitur për herë të parë me skuadrën që prej dëmtimit muskulor që pësoi përpara startit të Kupës së Botës. Lojtari i Bajernit të Mynihut ka përfunduar fazën e rehabilitimit dhe tashmë duket se i ka kaluar problemet në kofshën e majtë. Pritet që 26-vjeçari të mos aktivizohet në ndeshjen e sotme që Holanda do të luajë kundër Japonisë. Gjithsesi, mundësia për të zbritur disa minuta në fushë mbetet e hapur nga mënyra si do të rrjedhë loja. Kjo është konfirmuar nga trajneri Bert van Marvijk, i cili është shprehur mjaft i kënaqur që Roben ka filluar stërvitjen përkrah shokëve të përfaqësueses. Drejtuesi i stolit “portokalli” deklaroi: “Të premten, Arjen zhvilloi seancën e parë stërvitore që prej dëmtimit më 5 qershor dhe ky është një lajm mjaft pozitiv. Tashmë duhet të presim dhe të shohim sesi muskuli i tij do të reagojë në stërvitjen e mëngjesit (sot). Gjithsesi, në një situatë normale nuk do ta rrezikonim Robenin në ndeshjen kundër Japonisë”.
“Tulipanët” e kanë mposhtur Japoninë me rezultatin 3-0 në miqësoren e luajtur në shtator të vitit të kaluar, por trajneri Van Marvijk beson se kundërshtarët aziatikë janë përmirësuar dukshëm gjatë këtyre muajve. Ai nënvijëzoi gjithashtu se japonezët nuk do të jenë një skuadër aq difensive sa në takimin e parë në botëror, kur u mposhtën 1-0 nga Kameruni. “Kjo do të jetë një sfidë edhe më e vështirë se ajo me Danimarkën, shtoi tekniku. Të dyja skuadrat kanë marrë pikët e plota në ndeshjet e para dhe tashmë kërkojnë të fitojnë. Nuk mund ta krahasojmë përballjen e Japonisë me Kamerunin, me ndeshjen e tanishme. Pres që kundërshtarët tanë të jenë shumë agresivë dhe jemi përgatitur për gjithçka. Ata janë përmirësuar shumë, kanë qëndruar të grumbulluar për një kohë të gjatë dhe kanë zhvilluar mjaft ndeshje për të qenë sa më të përgatitur në këtë botëror. Prej kohësh Japonia ka kërkuar që të gjente një stil loje, të cilin nuk e kishin gjatë eliminatoreve. Duket se e kanë gjetur atë stil. E respektoj trajnerin japonez dhe skuadrën e tij dhe mund t’ju siguroj se nuk do t’i nënvlerësojmë”. Gjatë javës së parë të Kupës së Botës në Afrikën e Jugut, holandezët përpiluan një listë të gjatë me ankesat që kanë rreth aktivitetit ku përfshiheshin vuvuzelat, fushat, topi dhe lartësia e madhe mbi nivelin e detit e stadiumit në Johanesburg. Spostimi në Durban, që ndodhet në nivelin e detit, krijoi idenë se problemi i lartësisë dhe i topit “Jabulani” u zgjidh, por Van Marvijk vendosi fantazinë në punë dhe shprehu pakënaqësi rreth motit të nxehtë.
#