Tjetër hap fals, Anglia e Kapelos vetëm barazim pa gola me Algjerinë
Anglia ka harruar të fitojë. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të Botërorit 2010 përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, skuadra e drejtuar nga Fabio Kapelo barazon 0-0 edhe me Algjerinë. Robert Grin, portieri i gafës së pafalshme me amerikanët, nuk ishte në fushën e lojës, megjithatë britanikët kanë shfaqur shumë vështirësi. Uejn Runi nuk shfaqet si lojtari i jashtëzakonshëm kur mban fanellën e Mançester Junajtid, loja ka qenë pak (për të mos thënë aspak) efikase: thuajse të paorganizuar, të trembur në fushë dhe të pasaktë në lojën e tyre, “Tre Luanët” e shohin veten me vetëm 2 pikë në klasifikim. Tashmë, për t’u kualifikuar në 1/8 e aktivitetit në Afrikën e Jugut, ata duhet të mposhtin Slloveninë, skuadrën që kryeson Grupin C me 4 pikë, në sfidën e 23 qershorit. Paraqitja e anglezëve në stadiumin “Grin Point” të Kejp Taunit ka qenë shumë e dobët. Ky ishte më tepër se një hap mbrapa, në krahasim me lojën e shfaqur në debutim kundër SHBA-së. Por, të besuarit e Kapelos nuk janë parë në fushën e lojës edhe për meritë të skuadrës së Sadan, që nuk ka lënë hapësira. Tentativat e Xherard dhe Lampard nuk mjaftuan për të nxjerrë Anglinë nga situata. Pothuajse gjatë gjithë 90-minutëshit, “Tre Luanët” janë shfaqur pa ide dhe shumë të parashikueshëm në lojën e tyre, duke ia lehtësuar detyrën “barrikadës” algjeriane. Me rezultatin e djeshëm, Kapelo nuk e mori dhuratën për 64-vjetorin.
#