Ndalohet i shpalluri në kërkim për mashtrim, fshihej në banesën e tij
Shkodër – Forcat e policisë së Shkodrës kanë mundësuar kapjen e 43-vjeçarit Bilal Kola, lindur e banues i këtij qyteti, ndaj të cilit ekzistonte një vendim gjykate me 7 muaj burg për veprën penale të “mashtrimit”. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, Bilal Kola ka qenë person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Shkodër dhe kapja e tij u bë e mundur nga forcat policore brenda në banesën e tij, në lagjen “Daniel Matlia” të këtij qyteti.
Plagosi rëndë me thikë, arrestohet në flagrancë nga forcat e policisë
Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë mundur të kapin në flagrancë 29-vjeçarin Emiljano Llani, i cili ishte klasifikuar si autor i një plagosje të rëndë në këtë qytet. Sipas të dhënave të policisë për gazetën “Albania”, Llani ka goditur dhe plagosur me thikë për motive të dobëta 20-vjeçarin Elvis Caka. Bëhet e ditur se nga goditjet e marra, ky i fundit ka pësuar dëmtime të rënda në trup dhe aktualisht ndodhet në spitalin rajonal të qytetit për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Materialet për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal, do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Aksident rrugor afër Marikajt, humb jetën drejtuesi i një motoçiklete
Tiranë – Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen ka ndodhur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas të dhënave, shkak i këtij aksidenti është bërë përplasja e një motoçiklete me një karrotrec, e cila është shoqëruar me humbjen e jetës së drejtuesit të motoçikletës. Forcat e policisë ende nuk bëjnë të ditur identitetin e personit që është dëmtuar fatalist, por bëhet e ditur paraprakisht se ai ka qenë fajtori për këtë ngjarje, e cila i kushtoi jetën. Kjo pasi ai ka hyrë në mënyrë të gabuar nga një rrugë dytësore, duke i shkaktuar vetes përplasjen e pashmangshme nga karrotreci.
25 Prill 2009