Punësimi, rreth 400 studentë përfitojnë praktika profesionale
Rreth 350- 400 studentë të sapodiplomuar në rang vendi do të përfitojnë sërish këtë vit nga zbatimi i programit gjashtë mujor “Praktikat profesionale për të rinjtë që kanë mbaruar arsimin e lartë”. Ky program, zbatimi i të cilit nisi në muajin shkurt në të gjitha zyrat e punësimit në vend, ka përfshirë deri tani 300 studentë. “Këta të rinj po kryejnë praktika profesionale në 50 subjekte, ku 70 për qind e tyre janë biznese private, me një fond prej 17 milionë lekë”,- pohon Vasilika Avdiu, shefe e Sektorit të Nxitjes së Punësimit në Shërbimin Kombëtar të Punës. Subjektet që kanë shfaqur interesin për punësimin e studentëve, sipas Avdiut, i përkasin fushës së shëndetësisë, kontabilitetit, juridike, inxhinierisë, etj. Avdiu bën të ditur se priten edhe rreth 100 aplikime të tjera nga studentë të interesuar. Ata mund të nisin aplikimin pranë Drejtorive Rajonale të Punës ose në web-in e Ministrisë së Punës. Këtë vit, duke parë interesin e të rinjve dhe biznesit ndaj programit të praktikave profesionale, Zyra Rajonale e Punës në Tiranë do të presë nga 100–150 studentë të diplomuar në 24 muajt e fundit. Në bazë të programit, të rinjtë do të ushtrojnë profesionin e tyre në subjektet private për gjatë gjashtë muajve. Projekti fokusohet në subjekte private, pasi aty është mundësia më e madhe për punësimin e të rinjve të diplomuar. Falë programit të praktikave profesionale, të rinjtë që kanë qënë pjesë e tij, kanë përfituar trajnime në profilin specifik të punës dhe më pas në bazë të aftësive që ata kanë reflektuar në praktikë, janë inkuadruar në stafet e kompanive. Përveç kësaj mundësie, të rinjtë e përfshirë në këtë program, gjatë praktikës profesionale marrin çdo muaj një mbështetje financiare nga zyra përkatëse e punësimit, si dhe nga kontributi për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.5 për qind të pagës minimale.
25 Prill 2009