Vendimi i Ministrisë, tani barnat do të kenë pullë të dyfishtë
Emanuela Sako
Futja e pullës së dyfishtë të sigurisë për medikamentet do të shmangë abuzimet me barnat. Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave në vendin tonë, Besnik Janku, shprehet se me futjen e pullës së dyfishtë, do të mund të shmangen abuzimet dhe shitja e medikamenteve pa recetë në farmacitë e vendit. Gjithçka u bë e ditur gjatë Konferencës së parë të Farmaceutikës, ku u evidentuan problemet e shumta që ndodhin në këtë sektor. Një ndër çështjet më problematike është dhe shitja e mjaft medikamenteve pa recetën përkatëse nga farmacitë. Janku theksoi se kjo situatë është alarmante, pasi edhe antibiotikët që jepen vetëm me këshillën e mjekut, në farmaci shiten pa recetë. Specialistët theksuan dhe një problem tjetër shqetësues siç është varfëria që ka vendi ynë në barna.
Barnat
Specialistët e shëndetësisë dhe të farmaceutikës evidentuan problemet e barnave që ekzistojnë në tregun farmaceutik, të cilat kanë dalë prej kohësh nga tregu europian. Këshilltari i Ministrisë së Shëndetësisë, Elvis Keno, bëri të ditur se medikamentet si Klorafenikoli, që prej shumë vitesh në vendet e europës përdoret vetëm për kafshët, në vendin tonë përdoret për kurimin e pacientëve. Ndërkohë, autoritetet e shëndetësisë sqaruan se tregu jonë farmaceutik është ende i varfër dhe kjo varfëri duhet të zgjidhet nëpërmjet bashkëpunimeve me vendet e huaja dhe me pasurimin e tregut farmaceutik me barna të reja.
Farmacitë
Përsa i përket problemit me recetat, përfaqësuesit e shëndetësisë theksuan se duhet të ketë një rishikim të ligjit për barnat. Në hartimin e ligjit të ri për barnat do të merren parasysh të gjitha problemet, ku të vendosen rregulla, procedura dhe sanksione të reja. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kërkoi unifikimin e tregut farmaceutik dhe përafrim me atë europian. Për të shmangur mënyrat e abuzimeve autoritetet shëndetësore përkatëse ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në të gjitha farmacitë. Pak kohë më parë, nga kontrollet e ushtruara u vërejt se shumica e barnave shiteshin pa recetë në të gjitha farmacitë e vendit. Ndërkohë që ligji parashikon që farmacistët duhet të ruajnë recetat e pacientëve për nga dy deri në pesë vjet. Ruajtja e recetës për dy vjet vlen për recetat e thjeshta, ndërsa për blerjen e barnave narkotike dhe psikotrope është parashikuar ruajtja e recetës deri në 5 vjet.
Memorandum bashkëpunimi me Italinë në fushën e farmaceutikës
Vendi ynë dhe Italia nënshkruan të enjten një Memorandum mirëkuptimi për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e farmaceutikës. Nëpërmjet këtij memorandumi synohet që vendi ynë të marrë barna nga Italia dhe njëkohësisht punonjësit e farmaceutikës të kenë mundësi specializim në Itali. Memorandumi u nënshkrua në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë midis drejtuesve të këtij dikasteri dhe Agjencisë Italiane të Barnave (AIF). “Memorandumi konsiston si në shkëmbimin e informacionit për barnat që vijnë në Shqipëri nga Italia, edhe në trajtimin e personelit tonë të strukturave farmaceutike, siç është Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, pranë strukturës së AIF”,- u shpreh Këshilltari i Ministres së Shëndetësisë, Elvis Kena.
Këshilltari bëri të ditur se trajnimi do të shkojë nga regjistrimi i barnave deri tek inspektimi i fabrikave prodhuese, ose i aktiviteteve të tjera farmaceutike. Tashmë pala italiane do të informojë sa herë që pala shqiptare të ketë nevojë për profilin e sigurisë së medikamenteve. Sipas tij, pala italiane do t’i ofrojë mundësi palës shqiptare të kalojë periudha të shkurtra të mesme, apo të gjata trajnimi, pranë strukturave të veta për të parë sesi punohet në një njësitë e farmaceutikës, në regjistrimin e barnave, inspektimin e fabrikave dhe të aktivitete të tjera farmaceutike, si dhe në drejtimet e tjera që janë të lidhura me këtë sektor.
25 Prill 2009