E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjoni deklaron: E pëlqej shumë Mimozën

Kanë kaluar një ditë shumë intensive banorët e shtëpisë së "Big Brother". Janë angazhuar në debate të shumta e kanë diskutuar për tema të ndryshme. Herë pas here edhe janë hapur në lidhje me njëri-tjetrin, siç është rasti i Arjonit kundrejt Mimozës. Ai i ka thënë Adelajdës se e pëlqen shumë Mozën.

Arjoni pëlqen Mimozën

Arjoni, Bjordi dhe Ani flasin për makinat. Para tyre kalon Mimoza, e cila është rregulluar dhe ka veshur minifund. Arjoni reagon menjëherë dhe i thotë: "E di që unë dhe Bjordi të kemi inat tani!" Mimoza i pyet: "Duken bukur flokët?" Arjoni i thotë që nuk e kanë mendjen te flokët. Ai dhe Bjordi i kërkojnë që të largohet, pasi për ta është shumë provokuese. Ajo largohet, ndërsa ata vazhdojnë duke diskutuar për të. Bjordi thotë: "E ka feminilitetin në gjak, por nuk e kupton!" Arjoni i kërkon Adelës që t‘i thotë ndonjë fjalë Mimozës për të. Ajo i thotë që nuk është në dorën e saj, por duhet që ai ta bëjë për vete. Adelajda e pyet: "Kaq shumë e pëlqen?" Arjoni ia kthen: "Jashtë mase!"

Adela: Nuk dua të më urrejnë!

Adelajda, Bjordi dhe Adi diskutojnë për banoren e re, Anjezën. Adelajda i thotë Adit që Bjordi i ka dhënë këshillë që të afrohet me të, por ajo ka frikë se mos i ndodhë si me Mesidën. Ajo shton: "Më duhet kohë që ta njoh!" Adi i thotë që ajo gabon në këtë rast dhe se duhet ta provojë njëherë që të afrohet. Adela ia kthen që personat që kanë hyrë, i kanë ndjekur nga jashtë dhe i njohin më mirë karakteret e tyre. Sipas saj, ato hyjnë me një qëllim të caktuar dhe merr si shembull Mesidën, e cila kishte hyrë me idenë për të prishur shoqërinë e saj me Bjordin. Bjordi i thotë që ajo nuk humbet asgjë nëse i afrohet Anjezës. Sipas Adelajdës, Mesida ishte një vajzë shumë e zgjuar dhe e vlerësonte, por ajo arriti që ta urrente Adelën. Ajo shton: "Nuk dua të më urrejnë!".

"Djemtë s‘do flenë te dhoma e vajzave"

Adelajda si kryefamiljare ka vendosur që të bëjë një organizim tjetër në lidhje me punët e shtëpisë. Ajo mendon që personat të pastrojnë të gjithë bashkë një ditë po dhe një ditë jo. Këtë vendim ajo e diskuton edhe me banorët e tjerë, për të marrë dhe mendimet e tyre. Qetsori mënjanohet nga kjo gjë, pasi ai është personi që gatuan në shtëpi dhe banorët i kanë dhënë të drejtën për të mos bërë asnjë punë tjetër. Si gjithmonë larja e enëve është kthyer në temë debati. Banorët diskutojnë me njëri-tjetrin në lidhje me të. Republika hap një tjetër diskutim, për dhomat. Ajo thotë: "Djemtë nuk do flenë më te dhoma e vajzave!" Arjoni ndihet i ofenduar nga ky mendim i Republikës. Ajo e sqaron duke i thënë që janë dhe persona të tjerë që e mendojnë si ajo. Sipas saj, fakti që dhomat janë të ndara për vajzat dhe meshkujt do të thotë diçka. Banorët shprehin mendimin në lidhje me këtë. Sipas Anjezës, është absurde që djemtë të mos rrinë te dhoma e tyre. Qetsori e pyet Republikën: "Ju trembeni nga vetja të mos bëni hapin e gabuar, apo ngaqë mendoni mos gabojnë djemtë? Pse kërkoni të bëni një viktimë të një bashkëfjetjeje shoqërore?" Republika i thotë Qetsorit që ai ka tendencën për t‘i transformuar gjërat dhe ia arrin qëllimit.

Anjeza: Familja është e shenjtë!

Anjeza, ndërkohë që ndihmon Qetsorin për gatimin, do që të dijë më shumë për të. Ajo gjithashtu i tregon nga jeta e saj. Ajo thotë që është një person që e do punën, pasi e mëson të komunikojë me njerëzit dhe të vlerësojë lekun. Paralelisht me punën ajo studion në vitin e dytë për Juridik. Qetsori e pyet nëse ka pasur lidhje dhe ajo i përgjigjet që po, por që kishte përfunduar. Ajo shton: "Jemi ndarë përfundimisht dhe nuk ka kthim mbrapa. Unë dua që një njeri të më japë aq sa i jap dhe unë, të jemi të barabartë". Jeta e saj ka qenë e vështirë, pasi është rritur pa baba. Ajo thotë: "Familja është e shenjtë për mua!"

"Vajzat duhet ta zgjidhin midis tyre"

Banorët diskutojnë për debatin e Republikës. Anjeza thotë që për të nuk ka sens kërkesa e Republikës, që djemtë të mos qëndrojnë në dhomën e vajzave. Aida mundohet ta justifikojë, duke thënë që ajo nuk e ka tek e fjetura, por ka problemet e veta. Arjoni thotë: "Për këtë unë e respektoj Biken!" Qetsori i thotë që ai diskutim e bën atë të marrë një vendim ekstrem, që të mos hyjë fare te dhoma e vajzave. "Vajzat duhet ta zgjidhin midis tyre. Nëse ato dëshirojnë mund të vijnë dhe të na takojnë te dhoma", thotë ai.

Piceri "Big Brother", tel. 04 2370740

Të gjithë ata që dëshirojnë mund të porosisin picën e tyre "Big Brother", duke telefonuar në numrin 04 2370740 dhe të zgjedhin mes 12 llojeve të disponueshme: pica Aida, pica Ani, pica Dritani, pica Arjoni, pica Qetsori, pica Lirita, pica Adelajda, pica Anjeza, pica Adi, pica Bjordi, pica Mimoza dhe pica Republika.

"Big Brother" u ka komunikuar banorëve ditën e hënë në mbrëmje fillimin e provës së javës. Ata duhet të realizojnë menynë e picerisë dhe çdo picë duhet të ketë emrin e një banori. "Big Brother" do të vlerësojë banorin që shet më shumë pica. Të gjitha paratë e mbledhura do të shkojnë për bamirësi. Përveç kësaj, çdo ditë, ata duhet të realizojnë një spot publicitar për picerinë e tyre.

"Adelajda ka harruar të sillet!"

"Adelajda ka harruar të sillet me ne!" - i ka thënë Republika Mimozës. Mimoza i ka thënë se ajo, nga ana e vet, po mundohej të sillej sa më mirë, por nuk i pëlqente aspak mënyra sesi Adela fliste apo vepronte karshi saj. "Po e tepron, nuk po mundem ta duroj!" - ka thënë ajo. Kjo situatë mes të triave u rëndua edhe nga fakti që pasi ishin bërë bashkë në grup Adelajda, Lirita dhe Mimoza, për të realizuar spotin e parë për picerinë, Adelajda u nda prej tyre dhe u bashkua me Dritanin dhe Anjezën.

"E ke marrë inat zyshen!"

Ndërsa Republika po bisedonte me Dritanin, aty ka ardhur Adela. "Mund të na lësh pak vetëm!" - i ka thënë Republika dhe Adelajda është larguar. Pas kësaj Dritani e ka pyetur Republikën nëse e kishte marrë inat "zyshen" dhe Republika ka pohuar. Sipas saj, ajo nuk po sillet fare mirë e sidomos me vajzat. Ajo ka shtuar se kohët e fundit Adelajda kishte filluar të hidhte edhe kunja. Republika ka thënë gjithashtu se këtej e tutje edhe ajo do të dinte si të sillej me të, madje kishte filluar ta bënte.

"Aida i ka ulur pendët!"

Sipas Republikës, Aida "i ka ulur pendët". Ajo ka cilësuar se këtë e ka bërë me të tjerë, sepse me Adelajdën gjithçka vazhdon po njësoj. Sipas Bikes, Aida është bërë më indiferente. Ajo e ka pyetur Dritanin për marrëdhënien e tij me Aidën dhe ai ka thënë se i kishte shkëputur fare ato. Më pas Dritani ka shtuar: "Të gabosh është normale, por dështimi më i madh është të mos e kuptosh që po gabon dhe ta përsëritësh!" Republika ka thënë se Aida është ftohur edhe me Liritën. Sipas saj, marrëdhënia e tyre nuk është më si më përpara.

"Kam të përbashkëta me ju!"

Anjeza i ka thënë Adit dhe Bjordit se i pëlqente të rrinte me ata të dy. Sipas saj, të paktën deri tani, nga bisedat që kishin bërë, vinte re se kishte shumë gjëra të përbashkëta, në krahasim me banorët e tjerë, pavarësisht se nuk i njihte mirë të gjithë. Ajo ka shtuar se e gjente veten te disa banorë dhe Adi e Bjordi bënin pjesë në këtë kategori. "E rëndësishme është - i ka thënë Adi, Anjezës, - që edhe pse ti ke vetëm dy apo tri ditë, ti ke dy miq që janë pro teje dhe duhet të jenë pro teje."

"Jam tërhequr për respekt të Bjordit"

Arjoni i ka thënë Adelajdës me shaka, se ai e kishte pëlqyer, por ishte tërhequr për respekt të Bjordit. Adelajda i ka thënë se ai do të bëhej një aktor shumë i mirë. Arjoni e ka pyetur se përse ajo mendonte se ai nuk ishte i sinqertë dhe Adela i ka thënë se nëse ai do ta kishte pëlqyer vërtet, do ta kishte shprehur. Sipas Arjonit, ai e kishte bërë këtë gjë, sepse vazhdimisht "e mbushte me komplimente". Në atë moment ka ndërhyrë Qetsori, që ka kërkuar të kuptojë përse po flitej. Arjoni i ka shpjeguar se "zyshes nuk i besohej që ai mund ta pëlqente dhe që ishte tërhequr për shkak të respektit që kishte për Bjordin. "Më duket më se normale!" - ka thënë Qetsori. "Arjon po flet me mua!" - ia ka kthyer seriozisht Adelajda. "Sa e rreptë që është, - ka thënë Arjoni, - prandaj më pëlqen edhe më tepër!"

Konfliktet vazhdojnë

Përplasjet ndërmjet Adelës dhe Aidës vazhdojnë gjatë gjithë kohës. Ato nuk lënë rast pa u kapur me fjalë me njëra-tjetrën, qoftë edhe për gjestin më të vogël. Aida i kërkon Adelës që të mos e shohë shtrembër që në mëngjes se i ecën dita ters, por Adela ia kthen se pa në atë formë sepse u tremb. Adela largohet për të pirë kafen jashtë, ndërsa Aida vazhdon të flasë nën zë, duke thënë se e ka gjetur halli me këtë nivel njerëzish. "Këto e kanë lidhur gomarin, por mbrapsht", ka përfunduar ajo.

Konkurrencë në treg

Djemtë bisedojnë për spotin e reklamës që do të bëjnë për picerinë e "Big Brother". Më parë, Sori dhe Arjoni po ia shpjegonin Anit, i cili do të përfshihet në spotin e tyre që do të zhvillohet. Ata bënë disa prova për të krijuar një ide më të saktë. Bjordi bëhet kurioz dhe herë pas here futet në dhomë për të marrë vesh ndonjë gjë. Edhe kur dalin në kopsht, Adi i pyet për spotin dhe i kërkon që t‘u tregojnë diçka se mund t‘u japë ndonjë ide, ose për të marrë vesh se mos kanë të përbashkëta me spotin e tij dhe të Bjordit. Të dyja palët janë shumë kuriozë për spotet e grupit tjetër, por nuk preferojnë të zbulojnë asnjë detaj lidhur me to. Ata pyesin Anin, i cili i di përmbajtjet e të dyja spoteve, nëse kanë ngjashmëri dhe se cili i duket më i bukur. Ai përgjigjet se nuk kanë ngjashmëri, por ai i Sorit dhe Arjonit iu duk më interesant. Adi thotë me shaka se ata do ta hedhin spotin e tyre në treg që në fillim me paragjykim, por të tërë janë në një mendje se e rëndësishme është që të mos kenë ngjashmëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›