Blum: "Nobel"-i nuk u jepet atyre që e meritojnë
"Një vit më parë u rrëzova dhe theva të gjitha vertebrat e shpinës. Doktorët më thanë se isha në prag të vdekjes, por ja ku jam". Sytë me ngjyrë të hapur dhe plot trishtim të Harold Blumit përpiqen të justifikojnë shkopin që tashmë nuk e ndan për asnjë moment nga dora, mbi të cilin kapet për të mbështetur peshën e viteve dhe të fizikut të tij, por jo mendjen me kthjelltësi të jashtëzakonshme. "Ajo që më prek më shumë është fakti se nuk mund të udhëtoj", shpjegon autori i "Ligjet perëndimore", "Ankthi i influencës", dhe më shumë se 300 librave të tjerë që kanë revolucionuar historinë e kritikës letrare botërore. "Do të doja shumë të shihja Bolonjën dhe Barcelonën, dy qytetet e mia të preferuara, por nëse do të merrja avionin, do të vdisja aty. Duhej të dëgjoja gruan time, Xhen, dhe të kujdesesha për veten që i ri. Kam bërë një jetë jo korrekte, duke pirë alkool, cigare dhe lënë pas dore ushtrimet fizike", tregon. Edhe tani Blum nuk heq dorë nga një gotë "Sherry", teksa flet nga apartamenti i tij në Manhatan, të cilin e përdor zakonisht për fundjava, kur angazhimet e tij në Universitetin e Yale-s janë më të pakta. Në hapësirën plot piktura dhe skulptura të Dina Melicovit, vjehrrës së tij artiste, 78-vjeçari Blum vazhdon të kujtojë kohët e vjetra, kur mjaftonte një firmë për të krijuar ose shkatërruar një karrierë. Sot, të gjithë e cilësojnë atë si "kritiku letrar më me influencë në Amerikë". Ndriçuesi i kulturës perëndimore në kohën e internetit, guxon të shkruajë me stilograf, sepse, siç shpjegon, një dridhje e tmerrshme e duarve nuk e lejon të përdorë tastierën. Ai tregon se e ka mendjen më të kthjellët se kurrë. "Prindërit e mi kanë qenë hebrenj të varfër dhe gjysmanalfabetë të ardhur nga Evropa Lindore. Megjithatë, paraardhësit e mi kanë qenë studiues të mëdhenj". Në kohën e universitetit, Blum cilësohej si "studenti më i aftë që ishte parë ndonjëherë, në gjendje të lexonte një libër me të njëjtën shpejtësi me të cilën e shfletonte". Kultura e tij enciklopedike? E dorës së parë. "Gjithmonë kam preferuar gjuhën origjinale për përkthimet. Lexoj greqisht dhe hebraisht, latinisht, idisht, anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht, portugalisht dhe italisht". Për Blum, Italia është një nga vendet me kulturën letrare më të gjallë në Evropë. "Jo vetëm Dante dhe Bokaçio, por edhe Manzoni, një nga romancierët më të mëdhenj në botë; Pirandeli, më inovativ se Çehovi dhe Beket; Kampana, që mund ishte Walt Whitmani italian, nëse nuk do të kishte vdekur aq i ri. Pastaj Leopardi, një poet në nivelin e Keats, Shellit dhe Uordsuorth, që e kam përfshirë në librin tim ‘Living Labyrinth‘". Libri i tij, "Ligjet perëndimore", është përkthyer në 45 gjuhë, duke u shndërruar në best-seller në vende si Brazili, Greqia, Polonia dhe Shqipëria. Ky sukses e ktheu Blumin në një ikonë kulturore për miliona të rinj në të gjithë botën. "Marr me dhjetëra e-mail-e në ditë nga Turqia, Irani, Koreja e Jugut, Egjipti, Bullgaria, Australia dhe më kërkojnë që të zbres sërish në ‘fushë‘. Por unë jam i lodhur dhe i kam shpenzuar të gjitha betejat e mia. Atë që duhet të them e kam thënë me kohë: nëse një punë nuk ka shkëlqim estetik, forcë konjektive, autenticitet dhe origjinalitet, nuk ja vlen ta lexosh. Letërsia është një pagëzim individual dhe nuk duhet të ketë asnjë valencë shpengimi social-politik. Ky afrim estetik ndaj letërsisë bëri që njerëzit të më shihnin ndryshe në të dyja brigjet e Atlantikut. U kam deklaruar luftë tezave feministe, marksiste dhe post-strukturaliste, që prej vitesh ishin shpërndarë nëpër universitete, jo vetëm në Amerikë". "Autorët e mi të preferuar janë Dante, Shekspir, Servantes, Faulkner, Homeri, Prusti dhe Wild, sepse e zgjeruan më tej ndërgjegjen tonë pa e deformuar. Folën për individët, dhe nuk pretenduan që të ndryshonin botën". Mes të pavdekshmëve, Blum përmend poetët Jacob Glatshtejn dhe Mojshe-Lejb Halpern, por jo fituesin e çmimit "Nobel", Isak Bashevic Singer. "Një autor mediokër. Në vend të tij e meritonin të fitonin Chaim Grande, mjeshtri i veprës së mrekullueshme "Yeshiva" dhe Israel Joshua Singer, vëllai i madh, shumë herë më i talentuar se Bashevis, që na ka lënë vepra të magjishme". Nga ana tjetër, kryqëzatat e tij anti "Nobel" janë shumë të njohura. "Lesing ka shkruar vetëm një libër të mirë 40 vjet më parë dhe sot është drejtuar nga fantashkenca feministe, ndërsa Zhan Mari Gustav Le Clezio, thjesht i palexueshëm dhe i pakuptueshëm". Sipas tij, edhe Toni Morrison nuk është i denjë për këtë çmim: "Jemi miq të vjetër dhe e dua shumë, por edhe ai këto kohët e fundit i ka kthyer sytë drejt letërsisë komerciale". Por cilët kanë qenë për Blumin shkrimtarët që e kanë merituar vërtet çmimin "Nobel"? "Harold Pinter, një zë autentik edhe pse dishepull i Samuel Beketit dhe Hoze Saramango, me të cilin jam zënë, sepse është një stalinist që nuk e lejojnë në Izrael, duke e akuzuar se kishte krijuar një Aushvic të ri në Gaza". Nga shkrimtarët e rinj, Blum "urren" J.K. Rouling, Stefan King e Adriene Riç, por pëlqen së tepërmi Cormac MecCarthy, Filip Ruth, Tomas Pinchon dhe Don Delilo. Më pak i sertë tregohet për Salingerin: "Djaloshi Holden vazhdon të na bëjë për të qarë, por pas 30 vjetësh do të jetë demode". Kur e pyet se ndoshta po tregohet i ashpër në ato që thotë, Blum përgjigjet: "Kritika letrare duhet të jetë objektive dhe e drejtë. Autorët gjithmonë duhet t‘i njohësh përmes veprave të tyre". Më tej vazhdon, duke qeshur: "Nëse nuk flasim ne keq për të vdekurit, kush mund ta bëjë"? Në fund nuk harron të përmendë disa shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, që fatkeqësisht nuk janë më. Lista është e gjatë, ku padyshim në krye qëndron Updike, të cilin Blum e cilëson si një shkrimtar të vogël, por me stil të madh; Mailer, një njeri bujar dhe shumë i pasionuar, por vepra e tij më e mirë ka qenë "Norman Mailer"; Bellou, një njeri i çmendur dhe shpesh i pakuptueshëm, e në fund David Foster Uallace, që e përshkruan si një njeri me shumë talent, por që çdo libër i tij ishte i papërfunduar. Mes fansave të tij, Blum përmend edhe Papa Vojtilën, që siç i kishin thënë miqtë e përbashkët, kishte lexuar çdo libër të tij. E meqë dolëm në këtë temë, cili është raporti i tij me Zotin? "Nuk e kuptoj dot një Zot të gjithëpushtetshëm dhe gjithëdijshëm që lejoi Aushvicin dhe skizofreninë", replikon Bloom, djali i madh i të cilit, Daniel, vuan nga një formë e rëndë e skizofrenisë që nga lindja".