E Diel, 1 Nëntor 2026

"Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti", promovohet sot në Teatrin e Operës

Promovohet sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit libri "Xhoni Athanas, njeriu dhe artisti", i trajtuar në një vëllim publicistik nga gazetari Anxhelo Xhaçka. Nëpërmjet fotove, filmimeve, këngëve e kujtimeve, do të kujtohet tenori dramatik Xhoni Athanas. I lindur në Amerikë, më 4 nëntor të vitit 1925, ai e kaloi fëmijërinë e tij në fshatin Grapsh të Devollit, por talenti që ra menjëherë në sy e detyroi djaloshin të zbriste në qytetin e Korçës. Më pas i drejtohet Moskës për t‘u regjistruar në konservatorin "Çajkovski", në klasën e studentëve të cilët u quajtën të preferuarit e profesor Aleksandër Poturi, një nga solistët kryesorë bas-bariton i Balshoi Teatër të Moskës. Në vitin 1957 la Moskën dhe iu drejtua Tiranës për t‘iu bashkëngjitur trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit. Me zërin e tij e bukur, të plotë e harmonik, sa lirik, aq edhe tragjik, sa romantik e sentimental, po aq edhe në planin komik, ai kristalizoi tipin, karakterin dhe personalitetin e tij në skenë. I fiksuar në kujtesë si "Skënderbeu" i Prenk Jakovës, ai arrin me këtë interpretim në piedestalin e arritjeve artistike. Gjatë viteve të karrierës së tij, Xhoni ka udhëtuar nga njëri kontinent në tjetrin për të kënduar në mjaft shtete, si në Jugosllavi, Rumani, Bullgari, Hungari, Rusi, Ukrainë, Kirgistan, Uzbekistan, Taxhikistan, Turkmenistan, Bjellorusi, Lituani, Letoni, Estoni, Kinë, Mongoli, Vietnam etj. Pas viteve ‘90, tenori Athanas largohet drejt Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›