E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetaria, si mund të mbijetojë

Gazetari i njohur shqiptaro-amerikan, Bill Kovac, gjatë një interviste në emisionin "Excluzive" në "Top Channel", ka treguar jo vetëm fillimet e punës së tij në këtë fushë, por edhe se si mund të shpëtojë gazetaria nga konkurrenca ose nga ata që ai i konsideron si "qytetarë-gazetarë".

Zoti Kovac, na tregoni pak për historinë e familjes suaj. Si erdhi ajo në Shtetet e Bashkuara dhe pse?

Im atë ishte i pari që arriti në Shtetet e Bashkuara. Ai mbeti jetim. Nëna i vdiq pasi e lindi dhe i ati ndërroi jetë pak kohë pas saj. Ata jetonin në fshatin e nënës së tij, pasi i ati ishte përfshirë në një nga revoltat kundër turqve dhe ndodheshin në një fshat afër Fierit. Asokohe, turqit vinin dhe u përpoqën të dëbonin djemtë jashtë vendit. Ata e hipën tim atë në një anije italiane, që vinte në Shtetet e Bashkuara. Ai erdhi këtu në vitin 1912 dhe nisi punën, ndërsa nëna erdhi më 1919 ose 1920-ën. Ajo ishte nga Gjirokastra. Gjyshja e saj ishte vrarë dhe ata u zhvendosen në Vlorë. Gjatë luftës, italianët bombarduan dyqanin që kishte gjyshi dhe ai vdiq nga infarkti. Edhe nëna ishte jetime. Vëllai i saj erdhi në Shtetet e Bashkuara dhe solli me vete vëllezërit e motrat, nënën time dhe dajat. Prindërit u takuan në Chester të Pensilvanisë, u martuan dhe lëvizën në pjesën lindore të Tenezi (East Tennessee), ku unë linda.

Po për punën tuaj. Ju ishit dhe jeni një nga gazetarët më të shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara...

Nëna dhe babai im bënë gjithçka të mundur që unë, dy vëllezërit e mi dhe motra të merrnim një arsimim të mirë. Ata këmbëngulën dhe punuan gjithë jetën, që ne të shkonim në shkollë dhe Universitet (College). Kur përfundova universitetin, kisha një familje, kisha qenë në ushtri, në Marinë. Isha i martuar, kisha dy fëmijë kur përfundova universitetin. Më duhej një punë verore. Dhe një miku im, në një gazetë, më ofroi punë atje. Rashë në dashuri me punën. Mbuloja kontenë, qeverinë, atje në malet lindore të Tenezi (East Tenesse). Një nga historitë e para që shkrova ishte kapja e një sherifi të korruptuar, i cili arrestonte njerëzit në mënyrë të paligjshme. Nisa të shkruaja rreth tij dhe shumë shpejt, shumë njerëz u shqetësuan nga kjo, sa ai u shkarkua si sherif. Një tjetër histori është ajo e kushteve në një azil pleqsh. Të moshuarit më merrnin në telefon dhe tregonin se ishin trajtuar si kafshë dhe unë shkrova për këtë ngjarje dhe ndryshuam situatën atje. Nga këto përvoja, e kuptova se mund të sillja ndryshimin si gazetar, t‘i bëja njerëzit të vepronin, të bëja gjëra të mira e të ndaloja të këqijat. Do të bëhesha biolog marine dhe kisha një bursë për në Universitetin Djuk (Duke) për studime të mëtejshme. I telefonova universitetit dhe i thashë: "Jepjani dikujt tjetër bursën, sepse tashmë e kam zgjedhur profesionin e jetës sime". Dhe kështu vazhdova. Gjëja më e madhe që ndodhi më pas ishte lëvizja për të drejtat e njeriut. Për një gazetar në jug nuk kishte histori më të madhe se lufta për të drejta të barabarta dhe kështu u largova nga gazeta e Tenezisë Lindore dhe shkova në "The National Tenezi", një nga gazetat më të mëdha në shtetit të Tenezi, që kishte një botues largpamës. Unë, bashkë me tre reporterë të tjerë, mbulonim pjesën më të madhe të historive mbi të drejtat e njeriut, Martin Luther Kingun, Xhon Ljuizin, konferencat e udhëheqësve të krishterë, djegien e kishave, vrasjen e vajzave të vogla dhe histori të tilla të ngjashme. Për tetë vjet të tjera, mbulova histori që lidheshin me të drejtat e njeriut, varfërinë dhe politikën.

Ju drejtoni organizatën "Komiteti për Gazetarët e Shqetësuar". Si arritët në këtë ide dhe pse e quajtët gazetarët e shqetësuar?

Shqetësimet ndoqën të gjithë karrierën time. E nisa gazetarinë në vitet ‘50 dhe gazetaria amerikane ishte një faktor kyç në lëvizjen për të drejtat e njeriut. Ne e detyruam vendin të shikonte nga vetja. Ndihmuam Martin Luther Kingun dhe lëvizjen ta bënin këtë. Mbuluam histori dhe u dhamë zë njerëzve që kundërshtonin luftën në Vietnam. Kur punoja për "Nju Jork Tajms" mbuloja lëvizjen kundër luftës dhe atë feministe. Shtypi ishte faktor i rëndësishëm për të mbuluar çështje të rëndësishme. E ndihmuam vendin të përballej me vetveten në çështjet e të drejtave të barabarta për personat me ngjyrë apo te gratë, por edhe për luftën. Mbuluam këto histori për shumë kohë, me shumë reporterë e redaktorë. Kur mbarova karrierën time në punë, në vitet ‘80, e lashë gazetarinë e përditshme (në vitin 1989) për të shkuar në Harvard, për të drejtuar programet e Fondacionit "Nieman" për bursat e gazetarisë. Kur isha në Harvard, gjërat po ndryshonin për gazetarinë: interneti, satelitët dhe revolucioni i teknologjive të reja të komunikimit, ndryshuan atmosferën konkurrente të gazetarisë dhe anën ekonomike të saj. Kësisoj befas nuk ishte më e zgjuar ekonomikisht të investojë para në mbulimin e historive të tilla, si lëvizja kundër luftës, skandali i WaterGate-it apo lëvizja feministe. Pak e më pak, organizatat e informimit (News Organizations) bënin lajme si këto. U shqetësova, po aq dhe disa nga miqtë e mi, disa nga gazetarët më të mirë në SHBA: David Halberstem, Gren Hajfell, Xhenevi HoverHousel, Maks King. U shqetësuam, sepse atmosfera konkurruese në botën ekonomike po e ndryshonte gazetarinë, duke e bërë më pak të dobishme për demokracinë dhe njerëzit. Dhe unë u kërkova të vinin në Harvard, një fundjavë në vitin 1997, dy javë para vdekjes së princeshës Djana, në atë aksident në Paris, ku shtypi ishte i egër dhe mbuloi si të ishte film hollivudian. Asokohe, vendosëm që ne, gazetarët, duhet të fillonim t‘i flisnim publikut për rëndësinë e asaj që bëmë dhe t‘u flisnim pronarëve të shtypit për përgjegjësinë e tyre ndaj publikut. Krijuam organizatën tonë. Nxorëm një deklaratë dhe Tom Rozënstill u zgjodh zëvendëskryetar. Tomi dhe unë nisëm të shkojmë anembanë vendit, duke organizuar forume publike, te të cilët mblidheshin gazetarë dhe anëtarë të publikut dhe flisnim për gazetarinë: ç‘bëjnë gazetarët, si e bëjnë punën e tyre, pse publiku nuk beson tek ata, nëse ata duhet të mbijetojnë kur informacion ka kudo? Atëherë lind pyetja: Pse u duhet një gazetar? Pasi zhvilluam këto forume, që përfshinë mbi 4000 gazetarë, Tomi dhe unë e kaluam të gjithë materialin e mbledhur dhe shkruam një libër: "Elementët e Gazetarisë", që përcakton për herë të parë se ç‘është gazetaria dhe pse është e ndryshme nga format e tjera të komunikimit.

Nëse gazetaria nuk është zgjidhja më e zgjuar për të investuar paratë, në SHBA, si dhe në vende të tjera, ka kompani të mëdha të forta. Po a i respektojnë vërtet parimet e gazetarisë për të cilat ju shkruat librin?

Disa organizata po, disa jo. Si çdo gjë tjetër. Në një sistem të lirë, nëse ju ndershmërisht besoni në lirinë e fjalës, nëse besoni se çdokush flet dhe ka të drejtë fjale, atëherë duhet të pranoni faktin që gjithkush ka të drejtë ta quajë veten një gazetar, është e drejta e tyre për të folur lirisht. Pyetja që ju duhet të bëni: A është gazetari kjo që bëjnë ata? A është ky, një proces për të zbuluar të vërtetën, duke u përpjekur për ta verifikuar informacionin dhe t‘u shpjegojë njerëzve, jo vetëm për atë që dinë, por dhe për atë që nuk dinë. Të jenë plotësisht transparentë për informacionin që kanë. Ne u përpoqëm të ndihmonin gazetarët, përfshirë edhe qytetarët-gazetarë, që ata të kuptonin se fillimisht kishim një detyrim ndaj publikut, për t‘u thënë se nga vinte informacioni, si merrej dhe pse duhej besuar.

Cili është vlerësimi juaj për mediat, median e madhe që ka një influencë të madhe në Shtetet e Bashkuara?

"Nju Jork Times" (NYT), në vlerësimin tim është gazeta më e mirë në botë. Ata kanë disa nga reporterët dhe redaktorët më të mirë. Investojnë më shumë para për ta siguruar informacionin dhe për ta paraqitur me më shumë korrektësi se të tjerët. Por duke u kthyer te lufta, në vlerësimin tim, nuk e bën punën ashtu siç duhet ta bënin. Ata zgjodhën të bëhen një zë për ata që donin të shkonin në luftë në Irak, sesa të analizonin në mënyrë realiste pyetjet, informacionin e të dokumentonin faktet. Ata ndihmuan ta keqdrejtonin publikun dhe të mbështesnin një luftë që nuk duhet ta bënim…

Ata e keqdrejtuan me qëllim?

Gazetari pa rregulla. Ata nuk i ndjekin rregullat e tyre. Kur Kolin Pauell doli para OKB-së, nxori një fotografi dhe tha se "kjo është një fabrikë ku prodhohen armë kimike", ajo që gazetari duhet të bënte ishte ta pyeste: Nga e dini ju? Dhe nëse ai nuk përgjigjej, duhet të shpjegojë; Ai, Pauell, nuk e provoi këtë. Ai e tha, por ne nuk dimë më shumë.

Sa e madhe është influenca e marketingut për televizionin në veçanti dhe gazetat gjithashtu? Sa i dëmton parimet e gazetarisë?

Jo, jo, marketing është një pjesë e madhe e saj. Televizioni, ku njerëzit marrin pjesën më të madhe të lajmeve, televizionet lokale dhe rrjetet televizive, por kryesisht ato lokale, nuk shqetësohen sa i rëndësishëm është informacioni, por sa njerëz e shikojnë atë. Nëse ka mjaftueshëm njerëz që e shohin, atëherë ata e shfaqin. Kështu, ata kanë zjarre, vrasje policore, vrasje dhe jo lajme serioze për çfarë ndodh në komunitet. Ne, "Komiteti për Gazetarët e Shqetësuar" dhe projekti për një gazetari të shkëlqyer, ka dokumentuar faktin se një raport i mirë televiziv për një temë të rëndësishme, si edukimi, do të tërhiqte shumë më tepër audiencë, se sa një zjarr apo një skenë krimi. Pavarësisht faktit, kjo nuk ndodh, sepse duhet më shumë punë. I duhet gazetarit më shumë kohë të mbledhë informacionin. Ti mund të marrësh një histori të bukur për një zjarr, duke vendosur një kamera, që tregon ndërtesën që digjet dhe spikeri i lajmeve ta shpjegojë atë. Kjo nuk kushton asgjë, nuk paguan asgjë ekstra. Është marketingu dhe dëshira për të maksimizuar përfitimet ajo që po e minon gazetarinë. Por publiku nuk është se nuk kupton. Jemi të gjithë të paditur. Dhe gazetaria shërben që njerëzit të mos mbeten të tillë, por të informojë, të shtojë informacionin. Dhe publiku e kupton mirë kur keqtrajtohet, keqpërdoret apo abuzohet nga organizatat e informimit. Ta ndryshosh këtë është shumë e vështirë, është e vështirë të shkosh kundër lakmisë së trashëguar, që është tek të gjithë njerëzit dhe dëshirës për të bërë më shumë para.

Ku po shkon gazetaria sot?

Mendoj, siç ka ndodhur më parë, kur gazetaria u krijua fillimisht nga themelet, duhet të vijë nga njerëzit. Ishin ata që krijuan gazetarinë për t‘i shoqëruar gjatë udhës së tyre.

Po tani, është afër njerëzve krahasuar me disa vite më parë, apo larg tyre?

Është larg. Ajo që ndodh tani është se themelet e hershme të gazetarisë po shfaqen, ne i quajmë "blogers" apo qytetarë- gazetarë. Janë mijëra, ndoshta së shpejti mund të jenë miliona, që thonë: "Ne do të nxjerrim lajmet tona dhe do të zbulojmë ç‘ndodh". Nëse ata bëhen më aktivë, atëherë shumë e më shumë "blogers", shumë më shumë qytetarë-gazetarë mund të mësojnë për ta bërë më mirë punën…

A janë sfida këto?

Janë sfida. Organizatat e informimit po përfshijnë dhe po krijojnë një lidhje të re me publikun. Kjo makinë na lejon si gazetarë të ndërveprojmë me publikun dhe ta ftojmë të jetë pjesë e gazetarisë sonë.

Cilat janë këshillat tuaja për gazetarinë në Shqipëri e Kosovë, si vende në zhvillim?

Mendoj se gjëja më e rëndësishme që mund të ndodhë në Shqipëri, Kosovë apo kudo, është se gazetarët duhet të dinë se është marrëdhënia e tyre me publikun çelësi i gjithë kësaj. Sa herë që shkruajnë një histori, siç bëri gazetari në Miluoki, të përfshijë sa më shumë njerëz nga publiku, që do t‘i ndihmojnë për të menduar për historinë dhe për të pasur më shumë material. Kështu nis e zhvillohet një lidhje direkte mes gazetarit dhe publikut. Gazetaria duhet të jetë transparente: "Ja çfarë ndodhi, ja si dhe si e dimë që ndodhi, ja si duhet ta besoni, sepse unë e pashë, ja ku është fotoja apo personi me të cilin fola. Kjo është pjesa, për të cilën nuk kam informacion dhe ndoshta ju mund të më ndihmoni për të mësuar më shumë".

Kur përmenda Shqipërinë dhe Kosovën si vende në zhvillim, doja të thosha se këto vende janë të vogla dhe gazetaria e zhvilluar apo gazetaria e mirë, në të tilla vende, duket më e vështirë?

Sigurisht që kështu është. Nuk është e lehtë në të gjithë botën. Gazetarët duhet të gjejnë bazën ekonomike për të mbijetuar, duhet të kenë me vete njerëzit. Ky është çelësi.

Si mendoni, a është në krizë gazetaria sot?

Absolutisht po. Kjo gjëja këtu është kriza (tregon kompjuterin). Gjithkush ka akses në internet; qeveria, institucionet sociale, siç janë kishat apo grupe të ndryshme. Të gjitha organizatat, tregtarët kanë akses dhe të gjitha këto forca, politike, ekonomike, sociale, janë të fuqishme, kanë shumë para. Për 100 vjet, qëkur Frojdi na ndihmoi të kuptonin se si mund të kontrollohet mënyra e të menduarit të njerëzve, këto organizata kanë harxhuar miliarda dollarë për të studiuar mënyrën si t‘i bindin njerëzit të blejnë produkte apo të mendojnë në këtë apo atë mënyrë. I gjithë shekulli XX ka praktikuar mënyrat që kontrollon mendimin e njerëzve, që nga Adolf Hitleri, Benito Musolini, kompania ‘General Motors‘, Kisha Katolike apo qeveria në SHBA... Gazetaria është e vetmja praktikë e organizuar, e ndërtuar të ndihmojë njerëzit që ata të mendojnë vetë dhe në konkurrencë me gjithë këto organizata, të cilat kanë akses. Gazetaria duhet të mbijetojë ose demokracia do të vdesë. Gazetaria dhe Demokracia kanë lindur bashkë dhe do të jetojnë ose vdesin bashkë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›