"Toc Toc", një komedi në TK
Gëzim Kame do të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë "Toc Toc" të autorit francez Laurent Baffie. Regjisori Kame, i cili zyrtarisht do ta nisë nesër punën për të gjetur në skenën shqiptare komedinë e francezit, ka përzgjedhur edhe trupën e aktorëve. Do të interpretojnë për "Toc Toc" aktorët Rajmonda Bulku, Roland Trebicka, Fatos Sela, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga. Komedia është shkruar në vitin 2005, ndërsa autori i saj është angazhuar për më se 20 vitesh në gjininë e humorit. "Toc Toc" është historia e një neuropsikiatri me famë ndërkombëtare. Historia vërtitet rreth neuropsikiatrit të quajtur Stern, i njohur për aftësitë e tij që të zhdukë fobitë dhe manitë në një seancë të vetme. Gjashtë personalitete të ndryshme drejtohen te ky neuropsikiatër, ndërsa jetët e tyre përzihen në dhomën e pritjes.