E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjoni dhe Eltoni, largohen nga "Big Brother"

Arjoni largohet prej shtëpisë më të famshme në vend. Publiku nga shtëpia ka vendosur që konkurrenti i cili duhej të linte "Big Brother" të ishte 24-vjeçari nga Vlora, i cili ka jetuar 15 vite në Itali. Së bashku me të, në një eliminim të dyfishtë, surprizë për banorët, por edhe për publikun, në spektaklin e mbrëmshëm u largua edhe një banor tjetër. Eltoni hoqi gjithashtu dorë nga ky "reality shoë", por edhe nga çmimi i madh prej 70 mijë eurosh.

Spektakli

Ashtu si çdo mbrëmje, edhe spektakli i mbrëmshëm i "Big Brother Albania" ka rezervuar surpriza me të vërtetë emocionuese, për banorët brenda shtëpisë, e sigurisht edhe për publikun.

Për Aidën, e cila ka qenë e ulur në panelin e banorëve të eliminuar, java jashtë shtëpisë së "Big Brother" ka qenë shumë emocionuese. Ajo ka thënë se ka nostalgji për pjesën më të madhe të banorëve, por i mungonte më shumë ngrohtësia që i ka falur Toni në shtëpi. Aida i ka thënë Arjan Konomit, njërit prej opinionistëve se nuk e ka pyetur asnjëherë për lojën e saj me banorët, ndaj i ka kërkuar të dinte se pse e ka pyetur përherë vetëm për emocionet e saj. Ai i ka thënë se uron që brenda shtëpisë nuk duhet të ketë lojë, por të jenë të sinqertë. Arjani e ka pyetur për familjen, sepse i ka bërë përshtypje dhe se shpresonte që ajo t‘i jepte një përgjigje këtij fakti. Aida i ka thënë se nuk ka dashur që brenda shtëpisë, dhimbja e saj të kthehej si një viktimizim nga banorët. "Unë nuk kam dashur të fitoj mëshirën e publikut", ka thënë ajo. Arbana, pasi ka uruar Arjonin për datëlindjen, u ka kërkuar banorëve që vendosën të bënin tatuazhe se çfarë domethënie kishin ato.

Juna dhe Ari, "takim" me baballarët

Vëllai i Madh organizoi mbrëmjen e djeshme një surprizë për dy nga konkurrentët e shtëpisë së "Big Brother". Juna dhe Ari, dy prej banorëve të rinj, ishin në qendër të surprizës, sepse për ta, figura prindërore, babai, është shumë e rëndësishme. Në shtëpinë e "Big Brother" bie papritmas telefoni, e dikush nga ana tjetër dëshiron të komunikojë me Junën. Është i ati. "Të kemi ndjekur vazhdimisht e na vjen mirë që ke qenë brenda vetes tënde", i ka thënë babai Junës. "Po çmallemi duke të parë, e po rikuperojmë ato 12 vite larg nesh, por do çmallemi më shumë kur të dalësh. Tani, ne të njohim më mirë. Duhet të kesh kurajë e forcë, ashtu siç di ti", ka thënë më tej ai, ndërsa Juna është emocionuar dhe përlotur. Pas këtij çasti emocionues për Junën, Arbana i kërkon atij të shkojë në akuarium. Në këtë zonë të shtëpisë, Ari gjen foto të të atit. Së bashku me Arin, Arbana komenton këto foto. "Unë mendoj për babain çdo sekondë, është idhulli im, është udhërrëfyesi im. Ka qenë babai, por edhe miku im më i mirë", ka thënë i emocionuar Ari. Arbana tregon se babai i Arit ka qenë një person i rëndësishëm. Sami Bakalli ka qenë një nga balerinët më të njohur të brezit të tij, që fatkeqësisht nuk jeton më. Në monitorin e shtëpisë, u shfaqën imazhe të babait të Arit.

Eliminim i dyfishtë

Arbana i ka komunikuar të kandiduarve, Arit, Arjonit, Qetsorit e Junës të shkojnë në zonën e kampingut, të futen brenda një rrethi pishtarësh. Ajo u komunikon se mes konkurrentëve që largohet nga shtëpia e "Big Brother", këtë javë, është Arjoni. Por edhe një herë "Big Brother" ka vendosur të bëjë një surprizë jo të këndshme për banorët brenda shtëpisë. Edhe dje, pati një eliminim të dyfishtë. Arbana ua komunikon këtë vendim banorëve. Ajo u thotë se të gjitha vajzat duhet të shkojnë në akuarium. Në muret e akuariumit janë vendosur emrat e të gjithë konkurrentëve djem. Arbana u ka shpjeguar se secila prej vajzave duhet të zgjedhë njërin nga djemtë. Pasi vajzat bëjnë të ditur emrat e konkurrentëve të zgjedhur, djali që nuk u zgjodh nga vajzat, Bjordi, shpëtoi nga kandidimi. Pas kësaj, Bjordi, nga dhoma e rrëfimit, ka zgjedhur njërën nga vajzat, Anjezën, e cila, së bashku me djemtë, Qetsorin, Adin, Arin dhe Eltonin, ishin në televotim.

Surpriza për Mimozën

Ndërkaq një tjetër surprizë është rezervuar për një banore "të vjetër", por më e reja në moshë në shtëpinë e "Big Brother". Bëhet fjalë për Mimozën, të cilën Arbana e ka përshkruar si një vajzë e cila, pavarësisht moshës së re, është përballur me të gjithë banorët brenda shtëpisë, duke treguar se nuk është vetëm e bukur, por edhe e fortë. Fillimisht, marrëdhënia e saj me Polin, banorin e edicionit të parë të "Big Brother", u mbajt e fshehur, por u zbulua më vonë dhe u pranua nga Mimoza. Vajza nga Kosova nuk ishte në dijeni të këtij zbulimi, derisa një javë më parë, Ari, ia ka treguar. Spektaklin e mbrëmshëm, Poli, i komunikoi Mimozës, por edhe Arit se ai nuk ka rivalë... E për këtë arsye kishte menduar një surprizë për Mozën. Në dhomën e rrëfimit, Mimoza gjen një kuti që është një dhuratë për të. Arbana i thotë se ia ka dërguar një fans i saj. Në kuti gjendej një arush i madh me një zarf në dorë. Brenda, një fotografi e Mozës së bashku me Polin, pas saj ishte shkruar një mesazh nga ai. "Të gjitha historitë e dashurisë kanë një fillim, zhvillim e ndoshta edhe një fund. Unë do preferoja që historia jonë e dashurisë të këtë vetëm zhvillim, por dua të them të mos heqësh dorë nga kjo ëndërr. Gjëja më e bukur e dy njerëzve që duhen është që ai që të dashuron do të të presë për një kohë të gjatë. Ti je më e veçanta, Poli", lexoi letrën Mimoza, e cila falënderoi Vëllain e Madh, duke pranuar publikisht këtë dashuri.

Prova e javës

Arbana i ka kërkuar banorëve të përmbushin provën e javës, e cila kishte të bënte me tiparet karakteristike, zakonet dhe aktivitetet tipike aziatike. Faza e parë e saj ishte një ndeshje në sportin e sumos. Arjoni është përzgjedhur për fazën e parë të provës. Ai është ndeshur me ekspertin e sumos. Kjo pjesë e parë e lojës u fitua nga Arjoni. Arbana prezanton ekspertin e sumos. Ai është Beçka, njeriu i zarfit.

Faza tjetër e provës javore i ka bërë banorët të përballen me provën e karaokes, të cilën e kanë praktikuar edhe gjatë javës. Adit e Anjezës, të përzgjedhurit e kësaj prove, u është dashur të interpretojnë një këngë të njohur, duke ndjekur kombinimin e germave kineze. Prova e javës u kalua me sukses. Mimoza është kryefamiljarja e re e shtëpisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›