Dubai, pas bumit, largohen të papunët
Popullata e emiratit të Dubait, deri dje e konsideruar si parajsa mbi tokë, pritet të pakësohet me 17 për qind si pasojë e ndërprerjes së projekteve ndërtimore që gjatë viteve të fundit patën krijuar disa nga mrekullitë inxhinierike më mbresëlënëse mbi tokë, njoftoi së fundmi "The Economist". Popullata tradicionale e Dubait përbëhet nga një numër shumë i vogël fisesh, por ajo u rrit së bashku me zhvillimin e qytetit si një qendër rajonale financiare dhe tregtare. Gjatë viteve të fundit, shumica dërrmuese e popullatës, përbëhej nga të huaj të punësuar me paga nga më spektakolaret. Por gjithçka ndryshoi gjatë muajve të fundit dhe tashmë, apartamentet në shkretëtirë që strehonin me mijëra punëtorë, po zbrazen ndërsa emigrantët e të gjitha niveleve, largohen. Megjithëse Dubai është shumë larg nga të qenit një shtet i falimentuar, sërish qendra e hoteleve me shtatë yje dhe e ishujve artificialë të mrekullueshëm, nuk është më si më parë. Sheiku Muhamed, i cili ideoi zhvillimin e vendit të vet, tashmë i është drejtuar për ndihmë vëllait të madh Abu Dhabi, për ta ndihmuar për të shlyer borxhet prej shumë miliarda dollarësh.