Fermerët ankohen për konkurrencën e padrejtë
Për të dytin vit radhazi, prodhimet vendase të fshatrave të Beratit dhe zonave përreth janë prezantuar në një panair agrobiznesi që ka pasur si qëllim promovimin e arritjeve në bujqësi dhe në industrinë ushqimore të këtij rajoni. Aktiviteti është zhvilluar në sheshin kryesor të qytetit dhe do të zgjasë dy ditë. Në të janë paraqitur produktet e fermerëve të zonës dhe 100 subjekteve që merren me prodhimin dhe përpunimin e fruta-perimeve, pijeve alkoolike, pijeve freskuese, prodhime të brumit, vajit të ullirit, nënprodukte të qumështit dhe mishit, bimë mjekësore dhe prodhime të bletës. Fermerët kanë gjetur rast të ngrenë një sërë shqetësimesh që hasin gjatë punës së tyre. Shumë prej tyre janë ankuar për mungesën e infrastrukturës dhe tregjeve, si dhe futjen e mallrave nga shtetet fqinje, sidomos Maqedonia e Greqia, të cilat krijojnë probleme në konkurrencën e tregut. Fermerët pohojnë se çmimi që ofrojnë këta tregtarë është shumë i ulët në krahasim me ato që mund të ofrojnë ata. Në panair ka marrë pjesë ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, zëvendëskryeministri Genc Pollo, si dhe pushtetarë lokalë të zonës.